Monday, 11 August 2014

Historia “mesjetare” e Muzeut të Artit Mesjetar

Një mik më dha një lajm të mirë. Më në fund do zgjidhet problem i Muzeut të Artit Mesjetar. Eshtë objekti më i rëndësishëm i qytetit tim. Më në fund u zgjidh ngërçi 6 vjeçar i një ndërtimi, i cili ka brenda dëshirë të mirë, por edhe shumë hilera.
Ndërtimi I Muzeut të Artit Mesjetar, i cili filloi të ndërtohej në lulishtja përballë Spitalit, u nis me fonde të një fondacioni qeveritar(ose jo qeveritar) grek. Në historinë e miratimit të projektit u përfshiva edhe unë, pasi projekti i paraqitur nga përfaqësuesi shqiptar i Fondacionit, ishte tepër i dobët dhe nuk miratohej nga KRRT e Bashkisë Korçë. Në bazë të kërkesës së Kryetarit të atëhershëm të Bashkisë, së bashku me dy kolegët e mij(ark. Matilda Pando dhe ing. Ferdinand Kosti) përpunuam nga fillimi projektin grek dhe projektit tonë ju dha leja e ndërtimit. Për një fazë të mëtejshme, punuam edhe për një shtesë të mëvonshme, që do përmblidhte gjithë vlerat muzeore artistike të qytetit.
Këtu filloi hileja e parë “bizantino-anadollake” e përfaqësuesit shqiptar, i cili kontrollonte fondet dhe projektin. Në kundërshtim me ligjin dhe me mbështetjen e heshtur të Bashkisë ai filloi të zbatonte projektin e pamiratuar. Fondet greke u “gëlltitën” dhe për disa vite me rradhë mbeti skeleti b/arme. Gjatë një vizite në Korçë mbeta i habitur nga një hile kaq e shëmtuar dhe shqetësimin tim e shpreha në shtypin shqiptar.
Problemi mbeti pa zgjidhje deri në kohët e fundit, kur më thanë , që në faqen FB të Kryetarit të ri të Bashkisë është paraqitur një projekt i ri i Muzeut.
Me sa arrij të kuptoj, është një përshtatje e projektit të nisur grek. Nuk dua të hyj në analizën e projektit, i cili është i detyruar nga një “fakt i kryer”. Eshtë ndërtuar në kundërshtim me ligjin një projekt i dobët dhe i pamiratuar. Për më tepër s’ka asnjë lloj transparence se ku ikën fondet e fillimit. Tani, për t’i dhënë zgjidhje, dyshja Pelshi-Filo, të ndërgjegjshëm dhe jo pa gisht në gjithë meselenë e shumë viteve më parë, përshtatin një projekt të cungët, i cili dyshoj se do plotësojë kërkesat e atij fondi të jashtëzakonshëm ikonash dhe objektesh të tjera.
(Sa për problemet e autorësisë, para çështjes së madhe të Muzeut të Artit Mesjetar, për mua janë minore. Në një kohë të caktuar, autoritetet përdorën projektin tonë dhe emrin tonë për të arritur diçka. Tani mund të përdorin projekte të tjera dhe emra të tjerë. Prandaj e kanë “gurin dhe me të i bien arrës dhe e thyejnë.“)



No comments:

Post a Comment