Unë i simpatizoj ata , që i vjedhin Bankat pa dhunë. Dhe nuk
e them as me shaka dhe as për të qënë kundër rrymës. Ndoshta ka më shumë se 40
vjet, që i kam të preferuar filmat dhe historitë rreth atyre që vjedhin me
zgjuarsi bankat dhe kazinot. Ndër 10 personazhet më simpatikë të shekullit të
kaluar do fusja pa hezituar Alber Spaxhiarin(Albert Spaggiari), hajdutin e famshëm
të bankës së Nisës në vitin 1976.
Sigurisht hajduti, që mbante çelësat e thesarit të bankës
Kombëtare Shqiptare nuk është pranë inteligjencës dhe nivelit krijues të francezit,
por gjithsesi ka arritur të vjedhë jo pak dhe në një kohë relativisht të gjatë.
Francezit ju desh kohë e gjatë planifikimi, ngritje ekipi dhe të gjithën këtë e
bëri pa pasur ndonjë ndihmë nga brenda. Hajduti ynë Bitraj kishte çelësat dhe
kohën e mjaftueshme për të gjetur dobësitë dhe vrimat në sistemi e përgjimit
dhe kontrollit. Gjithashtu u kap se nuk kishte nga shpëtonte, kurse Spaxhiari u
kap vetëm nga kallzimi i një pjestari të grupit.
U zgjata me një krahasim të dy “keqbërësve” shumë të ndryshëm
pa spjeguar se pse i simpatizoj ata që vjedhin bankat.
I urrej bankat!
Nuk di nëse është urrejtje klasore, zili e atij që s’ka ndaj
atyre , që kanë shumë apo ndonjë lloj kompleksi tjetër. Di, që i urrej.
Zyrat e Bankave i kam parë si zyra, ku acarohem më shumë se
kudo. Në 10 këshilltarë banke vetëm 9 nuk dinë se ç’bëjnë ndësa i dhjeti mund të
të mbarojë punë për 5 minuta. E keqja është , që shanset kur nisesh të mbarosh
një punë në bankë janë vetëm 10%. Krizë
pa krizë, bankat dalin me fitime të mëdha dhe kur gabojnë ndonjëherë rëndë, ju
gjendet dermani se ato nuk mund të lihen të falimentojnë! Dhe ç’është më e rëndësishme,
bankat e kanë në dorë të bëjnë ligje, që unë, individi i thjeshtë, të mos jetoj
dot pa to. Dua apo nuk dua, jam i detyruar të kem llogari bankare dhe Banka të “më
rrjepë“ me lezet, në mënyrë konstante çdo muaj, kam apo nuk kam para në
llogari.
(vijon)
No comments:
Post a Comment