Përgjigja e menjëhershme është PO.
Ndoshta jo gjithmonë duhet përgjigjur menjëherë dhe e mira është
të pyesësh në fillim se ç’kupton me kulturë të përgjithshme.
Le të pranojmë, për të mos u zgjatur shumë, që me kulturë të
përgjithshme do quajmë njohuritë bazë në gjuhë, letërsi, filzofi, histori,
gjeografi, ekonomi dhe arte. Diçka më shumë se sa përfiton një nxënës, i cili
mbaron shkollën e mesme në Shqipëri. Në këtë rast edhe përgjigja ime është PO
edhe pse mund të bëhen përjashtime për talente të jashtëzakonshme.
Fjalën e kam për arkitektë të cilëve ju duhet të kenë një
studio të tyre apo të drejtojnë një grup projektimi. Mundet që brenda një grupi
projektimi të ketë edhe arkitektë me një kulturë të cungët, por me një formim
teknik të mirë, të cilët mbajnë një barrë të madhe të projekteve. Të parët e
kanë të domosdoshme për të komunikuar idetë e tyre tek klientët, publikun,
autoritetet që do miratojnë projektet e deri tek kontraktorët , që do e
realizojnë. Një arkitekt i mangët ngaa pikpamja kulturore është i destinuar të
dështojë.
Nuk përmenda se ç’farë u bë pikënisja e këtij shënimi, i
cili mbase do përsërisë gjëra të thëna në shkrimin “Shkolla Shqiptare e
Arkitekturës”. Ishte një shkrim i një arkitekteje të re, që lexova disa ditë më
parë, si dhe vendimi për mbylljen e shumë universiteteve në Shqipëri. (Me
vendimin për mbylljen e universiteteve jam plotësisht në një mendje edhe pse
dyshoj në motivet dhe nëse do realizohet mbi kritere vetëm profesionale.)
Shkrimi i koleges sime të re ishte postuar në faqen
personale Fb të zv.kryeministrit të qeverisë, që posa mbylli universitetet, dhe
ishte paraqitur si një “esse” brilante.
Nuk më çuditi mungesa e njohurive bazë të vajzës së re. E
kam konstatuar edhe 10-15 vjet më parë, kur arkitektë të posadiplomuar nuk
dinin se cili ishte Gropius apo edhe BAHAUS.
U çudita nga kurajoja e koleges për të shkruar me vetëbesim
për gjëra disi delikate, në hapat e para të karrierës si dhe në ‘shitja” si
brilante , që i bënte shkrimit numuri 2 i qeverisë shqiptare. Duket, që atij
ose i mungojnë këshilltarët e mirë për urbanistikën dhe arkitekturën ose nuk
merr mundimin të këshillohet më parë me ta. Gjithsesi, po uroj që kolegia të
ketë më pak mundësi të dëshmojë kurajën e saj në punët publike në Shqipëri, por
të ketë mundësi të fitojë njohuri gradualisht sepse është vetëm 26 vjeç.
Problem më i thellë dhe që le pasoja për shumë breza është
ai i programeve të arkitekturës në Universitete. Vazhdojnë të jenë shumë të cekëta
ose tepër të papërcaktuara, njohuritë, që jepen rreth raporteve hapësinore dhe
sidomos raporteve të njeriut me hapësirën apo objektet. Pedagogët e urbanistikës
duhet të ndjehen të turpëruar nga shprehje si “Gjithmone
ka një objekt të rëndësishëm, dominues, ku hapësira e madhe e sheshit lihet qe
ti ta perceptosh objektin edhe bashkë me të ndjesinë e jonjerëzores…”
e shkrimit të sipërpërmendur(duhet thënë
se shumë të posadiplomuar nuk janë as në gjendje të formulojnë një paragraf qoftë
edhe të gabuar). Jo më pak të rëndësishme janë nocionet rreth arkitekturës së
shekulit të XX-të apo asaj bashkëkohore. Nuk është çështje vetëm e një
diskutimi teorik. Të quash një objekt të viteve ’30 si Banka e Korëçs, si objekt
të Neoracionalizmit italian, i cili filloi vetëm pas viteve ’60 do të thotë të
mos njohësh as arkitekturën shqiptare dhe as atë botërore. Pa shtuar edhe “shpikjen”
e Realizmit Socialist në arkitekturë, po në të njëjtin shkrim.
Diskutimet në arkitekturë dhe në urbanistikë nuk mund të jenë
si diskutimet në matematikë, kimi apo në të tjera shkenca të sakta. Në to ka
vend për argument e kundërargumenta, për prirje dhe shije, për teori të
provuara apo edhe për ide eksperimentale. E tillë është natyra e këtij “lëmi”.
Por që të hysh në tryezën e rrumbullakët të këtyre
diskutimeve duhet të kesh njohuritë fillestare bazë. Dhe këto për fat të keq,
nuk i jep sistemi universitar i sotëm, të cilin e quan “skemë piramidale”, po i
njëjti qeveritar, i cili quan brilante essenë e arkitektes, që posa ka dalë nga
ky sistem.
Shqipëria ka vite, që po i ndjen “kusuret” e shkollimit të
cungët në arte dhe arkitekturë të kohës së komunizmit. Edhe më tepër janë
thelluar në këto 24 vitet e fundit pasojë edhe e krijimit të universiteteve
private pa një bazë të mirë mësimore si dhe trupa mësimdhënëse të
pakualifikuara.
Për fat të mirë apo të keq, veprat e arkitektëve janë të
dukshme dhe qëndrojnë gjatë mes njerëzve. Një bashkim i qeveritarëve
anti-kulturë me arkitektë të pakulturuar rrezikon të lerë monstra në qytetet
tona.
No comments:
Post a Comment