Tuesday, 19 August 2014

A është Komandant Goneja ateist?

I kam dëgjuar dy bisedat e rregjistruara të Kom Gones dhe sepse janë të pazakonta, kam dashur të kuptoj se ç’mund të ketë në kokën e tij. Më është krijuar bindja, që komandanti nuk është thjesht pedofil. Më tepër do ta cilësoja si një maniak seksual ose “koleksionist aventurash seksuale”.
Rasti I Komit duket se është pjesë e psikologjisë të shoqërisë shqiptare të burrave macho, të cilën e kam prekur dikur në shkrimin “E kam ferru këtë!” Komandanti nuk ndjehet i turpëruar(aq më pak I tmerruar) nga fakti, që E.G. ka vënë në dijeni për kërkesën e tij, shokun e tij Kostaq. Nuk ka në reagimin e tij asnjë ndienjë dyshimi a keqardhjeje apo pendimi. Komandanti bile mburret se ka të dashura, që “po t’I shohësh të ik mendja”.
Më kujtohet një episod i 30 viteve më parë, kur një i njohur i martuar më mburrej se kishte tre të dashura. Njëra syresh dukej si burrë, e dyta kishte një dorë të cungët dhe e treta ishte vartëse e tij. Epëria e burrit që mburrej kishte të bënte me pushtetin mbi to dhe me një psikologji të prapambetur e të një njeriu, që mendon se në këtë botë duhet të sundosh dhe të të sundojnë, nënshtrimin e tre “gati handikapateve” e quante kulmin e burrërisë.
E lidha këtë ngjarje të së shkuarës me Kom Gonen dhe me ateizmin edhe pse mund të duket se nuk kanë asnjë lidhje. Ose më mirë le të themi me ateizmin e prapambetur komunist të periudhës së Diktaturës.
Në atë system “pa din e pa iman”, ata që dinin më mirë se si funksiononte sistemi  ‘vasalizmit” me peqe-lepe ndaj shokëve Lart dhe duke shtypur shokët poshtë. Ata , që kishin më pak frikë dhe as një fije morali “shtypnin” sa mundnin edhe shoqet poshtë. Të gjithë i kanë dëgjuar “bëmat” e Feçor Shehut, që kur kishte qënë Kryetar Dege në Shkodër e deri sa u arrestua si Ministër i Brendshëm. Bëmat faqezeza të disa sekretarëve të Partisë në Korçë nuk ishin sekret gjithashtu. Mes viktimave kishte edhe gjimnaziste. Abuzimi me pushtetin për përfitime seksuale edhe me minorene, ka qënë jo pak I përhapur në kohën e Diktaturës dhe më të shquarit ishin Partiakët e Lartë dhe Degaxhinjtë.
Komandant Goneja është mashkulli tipik karrierist i kohës së Diktaturës. Sa më lart drejt majës së Piramidës për të patur më shumë përfitime, përfshi këtu edhe pushtet mbi gratë.
Ateizmi i Gones së sotëm dhe i Goneve të atëhershëm ka të bëjë me mungesën e dy gjërave kryesore. Dashurisë për Lirinë dhe Pasjes të gjërave të shenjta. Një njeri I Lirë nuk abuzon kurrë me pushtetin. Në jetën e tij mund të ketë edhe shumë lidhje me gra(edhe në të njëjtën kohë), por janë të bazuara në vullnetin e lirë të çdokujt për të bërë atë që i pëlqen. Kom Goneja nuk ka asgjë të shenjtë, se në të kundërt do e bënte të dridhej vetëm idea se mund të bënte seks me dikë, në moshën e nipërve dhe mbesave të tij.
Për fatin e mirë të vajzës, nëna e saj nuk u nënshtrua por e denoncoi Gonen.

Ka dhjetra vajza, që sot janë gra ose gjyshe, të cilat janë mashtruar nga Gonet e Diktaturës dhe askush jo vetëm është dënuar, por as ka kërkuar falje për to. Janë viktima, që nuk mund tëpërfitojnë as kompesime, si të persekutarit e tjerë.

No comments:

Post a Comment