Po pse vlen të
luftosh edhe një “betejë“ të humbur?
Tingëllon si patetike, por jeta dhe historia të mësojnë, që
jeta është një zinxhir i pandërprerë, ku ngjarje të caktuara edhe pse duken se
pak mund të ndikojnë tek njëra tjetra, kanë një ndërlidhje. E di , që shokët e
mij, ata që janë shumë racionalë janë kategorikisht kundër shpenzimit të
padobishëm të energjive. Ende një pjesë “i tremben” kthimit në qesharak pas një
ose më shumë “betejave” të humbura. Edhe pse në dukje racionale, filozofia e
tyre është më e prapambetur se e imja apo e Benit. Jo vetëm në natyrë, por as në
jetën shoqërore nuk mund të gjenden apo krijohen makina të tipit “perpetum mobile” e llojit të katërt apo
të pestë. Shpesh herë jo vetëm do harxhosh energji, por do i harxhosh edhe kur
e di se në një çast kohe apo edhe periudhë të shkurtër janë të “hedhura në erë“.
Debati i fundit me autoritetet apo dhe me prof. Wilson i shërben
“mosbindjes” qytetare apo profesionale. Ju duhet bërë e qartë autoriteteve (atyre
që nuk i kanë plotësisht të dyllosur veshët) dhe profesionistëve vendas, që nuk
ka vend për “mithin” e projektuesve të huaj. Rasti i firmës gjermane
Bolles+Wilson është dëshmi e mungesës jo vetëm të vizionit, por edhe të
profesionalizmit apo edhe të etikës së biznesit. “Biznesi” i arkitekturës
ndryshon nga të tjerët. Duke përjashtuar arkitektët Italianë të viteve ’30 (autorë
të projektit të Bankës, Shtëpisë së Pionierit dhe disa banesave individuale)
thuajse të gjithë projektuesit e tjerë të huaj kanë injoruar fizionominë
arkitekturore të Korçës. Në një qytet me një zhvillim të ngadalshëm ose në një
gjendje stacionare nuk ka nevojë të projektojnë të huaj dhe sidomos arkitektë,
që priren drejt eksperimentimeve. Qytete të tilla kanë nevojë për rifreskim,
modernizim dhe konsolidim të vlerave, që kanë arritur në “bumin” e zhvillimit të
tyre.
Dobia tjetër është për të treguar, që opinion publik edhe se
në një stad foshnjarak, nuk është lehtësisht i manipulueshëm nga Partitë apo
mediat në shërbim të tyre. Gjatë debateve publike në Shqipëri rreth ndërhyrjeve
të rëndësishme në qytete(rasti Piramidës në Tiranë etj.) thuajse të gjitha palët,
me profesionistë apo intelektualë, sulmojnë apo mbrohen nga pozitat e Klanit, të
cilit i përkasin. Kjo ndodhi edhe tre vjet më parë me diskutimin për Qendrën e
Korçës dhe Pedonalen. Kjo ka bërë , që njerëzit të dyshojnë në qëllimet e atyre
që fillojnë e përfshihen në debate. Ndaj diskutimet rreth Kullës, që linin
jashtë sulmet për korrupsion, si dhe nuk injoronin ato ç’ka ka bërë administrate
e Peleshit për qytetin, i shërbejnë pikërisht ndihmës në forcimin e opinionit publik
të pavarur.
Ka edhe një arsye tjetër, e cila edhe pse mund të mos jetë
aq e dobishme për shoqërinë ka vlerë për psikologjinë individuale. Eshtë përballja
me ndërgjegjen, në çastet kur pyet:
-Po unë ku isha dhe ç’bëra?
Eshtë më e lehtë t’i përgjigjes vetes, që “unë luftova sa
mundesha dhe humba”, se sa t’i thuash “unë ndenja duarkryq”.
No comments:
Post a Comment