Monday, 19 August 2013

Vendi i Laraskave



Një miku im , i cili jeton në atdhe, kur e pyesja se si shkojnë punët në Vendin e Shqiponjave, mu përgjigj "Ky nuk është as Vendi i Laraskave!".

Më mbeti në mend ky lloj përcaktimi i Mëmëdheut dhe duke u marrë me përkthimin e Korbit të Poes këtë gusht, duke bluar, kuptova se sa pak dija nga bota e zogjve dhe raportet që ata kanë me kulturën njerëzore në përgjithësi e sidomos me kulturën shqiptare.

Pse Laraska duhet të jetë e kundërta e Shqiponjës mendova? Mos Shqiponja fluturon lart dhe Laraska vetëm në nivelet e pullazeve?

A mos Shqiponja është mishngrënëse dhe Laraska vegjetariane? Po si e tillë duhet konsideruar më e kohës (qytetëruar) apo jo?

A mos Shqiponja shquhet për vështrim largpamës dhe Laraska është miope e nuk sheh më larg se sqepi i saj?

A mos Laraska është llafazane e Shqiponja është tingujpakë dhe stoike?

Më kujtohet, që në disa përralla fëmijësh Laraska cilësohej si vjedhacake, bile i ishin ngarkuar edhe vjedhje lugësh të argjënta, të cilat sigurisht që nuk i hynin aspak në punë sojit të Laraskave, bile edhe rroba fëmijësh të ndera në tel. (Kjo e fundit për fat të keq më sjell ndërmend ca veprime të ngjashme të futbollistëve tanë jashtë shtetit në vitet '70-'80, por ato ishin vite nën diktaturë ndaj nuk mund të jenë tipike për sjelljen e shqiptarëve në shekuj.)

Po meqë di kaq pak për Laraskën, le të mundohem e të mësoj më shumë mendova dhe fillova të gërmoj. Laraskat që fluturojnë viseve tona, janë laraska Euroaziatike me emrin latin pica pica dhe bëjnë pjesë në familjen e madhe të Korborëve(kësaj ja futa pak si kot, se duket që bien kushërinj me korbat, sorrat dhe galat.) Për çudinë e madhe timen, jo vetëm që ja u kalojnë në zgjuarsi shqipeve, por janë të vetmet kafshë, veç disa gjitarëve, që kanë qënë në gjendje të kalojnë Provën e pasqyrës. (Prova e Pasqyrës, e fillluar që në kohën e Darvinit dëshmon nëse kafshë të caktuara janë në gjendje apo jo të njohin veten e tyre në pasqyrë.)

A thua nga njohja e vetes në pasqyrë, tek laraskat kanë lindur elementët e parë të estetikës dhe vanitetit, e për t'i plotësuar këto, si çdo qenie varfanjake, ka filluar të vjedhë edhe gjëra që nuk lidhen thjesht me ngrënien e mbijetesën?

(vijon)

No comments:

Post a Comment