Friday, 23 August 2013

Vendi i Laraskave (mbyllje)


Për fatin e keq të Shqipeve, Gjoni nuk kishte të njëjtën hundë si  i jati, ose nuk i ishte rritur akoma, ndaj menjëherë pas vdekjes së Heroit Kombëtar, ne u kthyem në një Vend Pëllumbash të egër me çallmë. Trumba trumba Pëllumbat e egër fluturonin sa në një shkëmb në një tjetër, pa bërë të mundur të ndryshonin Vendin. Kështu vazhdoi për disa shekuj deri sa erdhi një tjetër Hundëzhgabë dhe u kthyem në Vendin e Zogut. Kjo ishte edhe periudha më e çuditshme për të identifikuar veten apo për të na kuptuar të tjerët, se Zogu jonë kombëtar nuk ishte as Shqiponjë, as Pëllumb me çallmë, as Pulë e Egër, as Qyqe dhe as Buf. Ishte një Shpend hibrid që edhe pse nuk ngjante me asnjë nga të sipërpërmendurit, kishte diçka nga sejcili prej tyre. Sqepshpinonje, sybufi, kthetra pëllumbi, krahëqyqeje dhe zërin si të pulës së egër. Veç hibridët nuk shkojnë gjatë dhe nuk lenë trashëgimtarë ndaj për gati dyzet vjet ne u kthyem në Vendi i Korbave në brigjet e Adriatikut. Të veshur me rroba të errëta e të gjithë me këpucë të zeza, ne i ngjanim(sidomos kur mblidheshim në stadiume) një ushtrie korbash të udhëhequr nga Kryekorbi dhe Nënkorbat e tij Politikë. Ishim Korba krenarë, që na dukej vetja shqiponja sepse recitonim me vend e pa vend "Shqiponjat fluturojnë lart". Dhe në dallim nga gjithë soji i Sorrave dhe Gallofëve, ne kishim harruar edhe shprehjen "Korbi korbit nuk ja nxjerr sytë", se s'lamë sy pa i nxjerrë njëri tjetrit dhe synxjerrjen e patëm pagëzuar me emrin shkencor "lufta e klasave". Po një ditë të zezë Prilli, Kryekorbi na la dhe ne të nxirrë më shumë se kurrë krrakarritnim pa ja ditur nga t'ja mbanim. Deri sa na hynë mendtë ca e nga ca dhe evoluam në Laraska.

Tani tek ne gëlojnë të gjitha varietet e Laraskave. Dhe kjo për meritë të një Hundëzhgabonje tjetër, që ka llomotitur pambarim për njëzet vite e më shumë.

Tek ne gjen nga ato pa bisht, që s'fluturojnë dot dhe mezi ushqehen se marrin ushqimet me listë.

Gjen Laraska të zgjuara e hilanjose, që fryjnë universitetet me studentë, të cilët nuk dinë se ku do shkojnë një ditë. Këto laraska të squta marrin e ndonjë lekë nën dorë për të të kaluar në provime.

Gjen Laraska zëçjerra që trumbetojnë përditë të pavërtetat në televizione e gazeta, në shërbim të padronëve që kanë.

Mbi të gjitha këto, shquhen Laraskat Supervjedhacake që kryesojnë partitë e qeveritë, e që rrëmbejnë me krenari e devotshmëri, çdo gjë me vlerë, që ju jepet në varësi të vulave që kanë të varura në qafë.

Dhe që të gjitha e kanë kaluar me sukses Provën e Pasqyrës!

No comments:

Post a Comment