Para
disa vitesh, një i njohuri im në atdhe më tha "Ti je minimalist." U
stepa pak nga njohuritë e tij për arkitekturën (ndonëse kishte disa vjet që
frekuentonte studio arkitekture), por sidomosa nga fakti, që unë kam qënë gjithmonë
i prirur drejt Minimalizmit në arkitekturë, por këtë gjë nuk e kam shprehur as
në diskutime mes kolegësh. Zaten, gjithnjë kam menduar, se tërheqja në vitet
studentore ndaj arkitekturës japoneze apo ndaj veprave minimaliste të Mies van
Der Rohes, më tepër se një orientim estetik, tek unë ishte krijuar nga dëshira
për t'i mbaruar projektet me sa më pak punë.
Por
i njohuri im nuk e kishte fjalën për prirjet e mia, pasi kur e pyeta se nga e
dinte, më tha që vite më parë, në zyrën time i kisha rrëfyer se isha i kënaqur,
po qe se nga puna private do nxirrja një sasi të caktuar parash në muaj. E
kuptova, që me minimalizmin tim ai kuptonte "kënaqjen me pak",
"mungesën e ambicieve për një jetë plot begati e suksese". Duket që
"filozofia" ime për paratë ishte, për të, tepër e dobët dhe jo e
kohës. (Për të qënë i drejtë, ai vërtet ka arritur shumë dhe vazhdon të ngjitë
shkallët me prirjen e tij maksimaliste-sa më shumë aq më mirë.)
Po
a është më i dobishëm "minimalizmi" im, "maksimalizmi" i të
njohurit tim apo një rrugë më e mesme të cilën le ta quajmë
"optimumizmi"?
Do
mundohem t'i shoh nën një dritë pozitive të tre tipat dhe mundësisht në një
rrafsh që e kapërcen atë të vendit tonë.
"Maksimalisti"
i fillimit të këtij mijëvjeçari është i sapodiplomuari (ose dhe dikush që
ndryshon profesion), që mendon të bëjë një karrierë të shpejtë e të bujshme në
fushën e biznesit, financave të mëdha, politikës ose në të trejat bashkë.
Energjik, i pagjumë, "maksimalisti" kërkon të shfrytëzojë çdo sekondë
të ditës, të krijojë lidhje me njerëzit(sidomos të fuqishmit), të grumbullojë
informacion por më shumë para, prona e vepra arti, të vizitojë sa më shumë
vende ekzotike, të jetë i adhuruar nga një numur i pakufizuar përfaqësues të
seksit tjetër (ose të të njëjtit kur është homoseksual), të ndihmojë sa më
shumë nga ata që i përkasin rrethit të tij e për më tepër ata që nuk i
kundërshtojnë ose ekzaltohen pas çdo fjale të tij. Ai jeton në vila t[ m[dha,
të ndërtuara me shije dhe të kompletuara me paisjet më të fundit, përdor automobilë
me motorrë të fuqishëm, ndërsa në verë, edhe nëse nuk ka ende jaht, lundron me
skafe të shpejtë. Modelet e tij për jetën janë Berluskoni, Abrahamoviç, Tramp e
kompania bela. Nuk ka asnjë ideologji të caktuar, e mund të përdorë çdo
ideologji a orientim spiritual, për të arritur synimet në jetë. Lexon në atë
kohë të pakët që i mbetet, se nuk do të konsiderohet i pakulturuar. Pëlqen dhe
mbështet artet, e sigurisht më të lehtë e ka ta bëjë këtë me paratë e
taksapaguesve.
(vijon)
No comments:
Post a Comment