Apo nga që laraska e sheh veten të shëmtuar në pasqyrë edhe
kur është me bisht (kujto shprehjen e popullit "si laraskë pa bisht")
e për t'i ngjarë mjellmës ose palloit, rrëmben xhingla të ndritshme e mundohet
pa sukses t'i bashkëngjitë në pendët e saj?
Po këtë e bëjnë edhe shumë shëmtaqe në viset tona (dhe jo
vetëm në viset tona), që duan të duken gati gati hollivudiane. Thua për këtë ta
ketë pasur fjalën miku im?
Le ta marrim të mirëqënë legjendën e hajdutllëkut të
laraskave meqë është jo vetëm në kulturën e popullit tonë por edhe të popujve
sllavë (po të kujtojmë Sorovka Borovka të Hercenit) e ndoshta edhe të
tjerëve. Se popujt në fund të fundit nuk ja futin kot! Laraskat diçka do kenë
bërë ndryshe nga shpendët e tjerë joshtëpijakë, që ju kanë ngjitur këtë
cilësor.
Për shembull skifteri( jo sklifteri) vërtet i rremben
vetëtimthi zogjtë e pulave, por e bën në mes të ditës e në sy të të gjithëve
ndaj mund të cilësohet si grabitqar por jo hajdut! Ose bufi, që vërtet përfiton
nga nata për të marrë gjëra që nuk i takojnë, (si bëjnë rëndom vjedhësit në
botë), po popujt nuk e kanë thirrur me cilësorin përbuzës hajn duke e
justifikuar, që ka probleme të shikimit kur ka dritë të fortë ndaj i lejohet të
punojë turnin e natës. Në fund të fundit një copë buf është! E kështu mund të
përmendim lejlekun, qyqen, kukumjaçkën, çakçukun, micakun e të tjerë me rradhë.
(Qyqja psh ju le doçërit në fole të tjerëve t'ja rritin dhe nuk persekutohet si
heroina e këtyre rrjeshtave.)
Por edhe nëse laraska, duke vënë në punë intelektin e saj(të
vërtetuar tashmë shkencërisht), ka vjedhur gjëra të dobishme apo të padobishme
për të, në gjerdhet apo oborret e fshatarëve të varfër, përse ne nga simboli i
Shqiponjës duhet të zbresim në simbolin Laraskë?
Ne nuk jemi më hajdutë se rumunët ose italianët. Bile edhe
po t'i referohemi shprehjes të popullit "si laraskë pa bisht", tani
nuk jemi aq të pocaqisur sa janë grekët.
Përmendja fjalës "tani", më bëri të qartë një gjë.
Krahasimi i vendit me Vendshpendëësh ka karakter historik!
Ne duhet të kemi qënë Vendi i Shqiponjave dikur në Mesjetë.
Mbase jo të gjithë prijësit shqiptarë kishin Shqiponja në stemat dhe barjaqet e
tyre, por sjelljet deri diku ishin të grabitësve sypatrembur. Pastaj erdhën
turqit dhe ne u bëmë Vendi i Pulave( e kam fjalën për pulat e egra të pyllit
dhe jo ato që rritim në shtëpi për kokove). Për njëzetepesëvjet, me Gjergj Hundëshqiponjën
në krye, u kthyem sërish në Vend Shqipesh.
(vijon)
No comments:
Post a Comment