Thursday, 29 August 2013

Refleksione mbi Letren e Guerrieros (2)


Eshtë ora 7 e mëngjesit të 21 shtatorit 2013. Ai zgjohet në Botën e Festës së Përditshme. Mrekullia ka ndodhur prej disa ditësh. Nuk bëhet më luftë në Afganistan e taleibanët ndihmojnë ushtarët e NATO-s të hipin avionëve për t'u kthyer në vendet e tyre; Putin paraqet kompleksin "Pussy Riot" në një koncert bamirësie për vejushat çeçene; Asadi i rikthehet profesionit të okulistit dhe përpiqet t'ju kthejë shikimin  fëmijëve të verbuar gjatë bombardimeve; në Amazonë indigjenët festojnë bashkë me pronarët e ndërtimit të rrugëve festën e Pyllit të Përjetshëm; në plazhet e Meksikës fëmijët mbulojnë deri në grykë me rërë priftërinjtë pedofilë që janë vetëskopitur; izraelitë dhe palestinezë të ndihmuar edhe nga qindra vullnetarë të tjerë nga e gjithë bota rindërtojnë në tre ditë Tempullin e Solomonit si simbol të Paqes; Obama dhe Zhulien Asanzhe katalogojnë sëbashku dokumentet e mëparëquajtura sekrete; në Japoni, gjuetarët e balenave dhe veprimtarët e "Green Peace" kultivojnë sëbashku harenga.

Pasi mbaron dushin dhe ka larë dhëmbët, Ai del nga shtëpia, nuk e mbyll derën, se fqinjët mund të duan  të përdorin gjëra të tij dhe i hipën biçikletës për të mos përdorur makinën, e cila edhe pse hibride mund të ndohtë mjedisin. Nuk ka ndonjë plan të caktuar në kokë se e di që jetohet për çastin dhe bota mund të ketë nevojë për aftësitë e kontributin e tij, në mënyra nga më të paparashikueshmet. Para disa vitesh ka studiuar për piano, por njëkohësisht ka edhe diplomë riparuesi automjetesh dhe zjarrfikësi.  Ndonëse qielli është i vrejtur, kalimtarët janë të gjithë të gëzuar e përshëndesin njëri tjetrin me kokë, duar e pasthirrma gëzimi. Eshtë e shtunë dhe nëpër rrugë ka vetëm të rritur, se fëmijët zgjohen më vonë në ditët e fundjavës. Papritur, një grua e moshuar rrëzohet në trotuar, jo se dikush e shtyu apo u mundua t'i bënte keq, por thjesht se pingulja e hequr nga qendra e saj e gravitetit i doli hashtë bazës së mbështetjes. Ai le biçikletën e vrapon ta ndihmojë, por para tij kanë arritur të tjerë më të shpejtë, që e ngrejnë të moshuarën, përkujdesen për të, bile një infermiere rastësore ka me vete një çantë të ndihmës së shpejtë dhe e vetmja gërvishtje në këmbë mjekohet menjëherë. Ai vazhdon rrugën i gëzuar që çdo gjë shkoi mirë dhe mendon sa bukur tingëllon të jesh Njeri. Në ekranet e mëdha elektronike mbi ndërtesa ose në faqet e qelqta të tyre krahas pamjeve direkte nga e gjithë bota, që tregojnë elefantë të lumtur nëpër savana, ose ajsbergë gjigandë, dalin vazhdimisht tekste rreth çka ndodh në botë, mundësive ditore për punë, arritjes dhe nisjes së avionave, nevojave të menjëhershme për vullnetarë, orareve të festivaleve të muzikës e brinjëve të pjekura, adresat e parqeve ku jepen mësime për të gjithë e të tjera informacione për jetën e çdokujt. Atij i tërhoqi vëmendjen një shënim "Kërkohet pianist për një drekë datlindjeje në Shtëpinë e Clodhjes në Bulevardi i Gështenjave nr 168". Bulevardi i Gështenjave ishte në anën tjetër të qytetit, por mund të arrinte në kohë edhe pa kaluar shpejtësinë e mjeteve të qarkullimit në qytet.

 (vijon)

No comments:

Post a Comment