Përkthimi i Korbit, në mënyrë të çuditshme lidhet me muajin
gusht dhe jo me "Dhjetorin drithërimë".
Nuk di nëse, kur e kam lexuar për herë të parë, në Albumin e
Nolit, ka qënë ndonjë gusht i fëmijërisë apo adoleshencës dhe mbase për ca
reaksione te pashpjegueshme kimike mbetet i lidhur në nënndërgjegje me një
temperaturë të caktuar të mjedisit, apo me një kombinim të caktuar të trupave
qiellore.
Meqënëse këto gjëra as mund të spjegohen dhe as ka pse të
spjegohen, po tregoj se si u rishfaq sërish Korbi në gushtin e vitit 2011. Po
lexoja tregime të Poes dhe mendova të shikoja ç'lloj atmosfere kishte në Korbi,
përmbajtjen e të cilës thuajse e kisha harruar, veç disa vargjeve të mbetura në
mendje nga përkthimi i Nolit dhe sidomos të shumënjohurën "Kurrë më".
Nisa ta lexoja për herë të parë anglisht dhe më mahniti
muzikaliteti dhe ritmi brenda çdo vargu e strofe. Diçka gati magjike, që dukej
gati perfekte, matematikore dhe hyjnore një kohësisht. U rreka të përktheja një
strofë e ndonëse dukej e vështirë, ishte si një lloj loje e bukur me pazzelsa,
që të mban të eksituar deri sa ta zgjidhësh.
Gjeta në internet edhe përkthimin e Nolit dhe ndjeva për një
kohë edhe turp edhe një lloj gëzimi të fshehtë. Atë që ndjen ndoshta çdo
amator, kur duket se po bën diçka më mirë se një mjeshtër. Për fat të mirë, i
tregova një miku të mençur për përshtypjen që pata nga përkthimi i Nolit dhe ai
më qetësoi duke më thënë "Ka gjëra që dhe Urata i ka bërë shpejt e shpejt
se s'ka pasur kohën e duhur".
Kështu vazhdova të përktheja edhe ndonjë strofë tjetër duke
u habitur me mundësitë gati të pafundme që krijon një poezi e kalibrit të
Korbit. Isha me më pak superentusiazëm, por ndoshta kjo i bën më mirë
përkthimit. Pas një jave, si çdo gjë tjetër, e lashë Korbin në një qoshe të
kompjuterit dhe e harrova.
Por Korbi u rikthye përsëri javën e parë të gushtit pas dy
vjetësh dhe më ringjalli të njëjtin eksitim. U mundova ta mbaroj pa erdhur koha
e braktisjes dhe ta vija në blog për ta ndarë me miqtë e mij të ngushtë.
Ndoshta gjatë viteve , në Shqipëri mund të jenë botuar edhe
përkthime të tjera të Korbit, por kjo nuk ka të bëjë me përpjekjen time për të
sjellë një variant të poezisë në gjuhën tonë në këtë gusht.
No comments:
Post a Comment