Perralla e Flokeverdhes se Bukur, per disa arsye te pakuptueshme quhet "Limani I Hashurres" dhe po e vazhdoj nen kete titull, edhe pse kam harruar perse-ne e titullimit.
.......
Kur
Flokeverdha rritej e bëhej më e bukur, kur ngjyra e kaçurrelave ishte gati e
artë, Sundimtari kishte vendosur që prindrit e saj të shkonin larg, shumë larg,
në Vendin e Madh përtej Dymbëdhjete deteve. Atje do mësonin se si rritej Lulja
më e Vjetër në botë.
Parfumi që nxirrej prej saj, jo vetëm i
bënte njerëzit e lumtur, po kur s'kishin gjumë, i vinte në një thellëgjumë
shumëvjeçar, pa ëndrra, që i bënte akoma më
të gëzuar, aq sa nuk donin të zgjoheshin. Si të mbarështronin Lulen e Vjetër Magjike do mësonin Ati dhe Ema e
Vajzës së Bukur, për ta rritur më pas në lulishtet shumëngjyrëshe të qytetit të
Sundimtarit. Rruga për në Vendin e Madh përtej Dymbëdhjetë Deteve, zgjaste tre
vjet, bile tre vjet, tre muaj dhe tre ditë. Me anije druri velore. Me më të
mirën e Ujrave. Dhe kur Era të frynte andej nga duhej. Dhe kur Kapedani të
kuptonte në kohë se nga frynte Era.
Vajzën
e Bukur nuk e linin të shkonte me prinderit. Nuk e linin se ishte larg; nuk e
linin se në Vendin e Madh nuk kishte Vajza me flokë të arta; nuk e linin se nuk
duhej të mësonte se si mbilleshin dhe rriteshin lulet e vogla. Asaj i shkonin
lotët rrëke, i vinte të fshihej diku në hambarin e anijes së drunjtë ose të
ngjitej në majën e direkut më të lartë, por anija ishte larg, në Limanin e
Hashurres dhe vajza nuk shkonte dot vetë atje. Edhe të rriturit nuk e mernin. E
ëma e qetësonte duke i thënë që do rrinte me Gjyshemadhen në Fshatin Akullnor.
Fshati Akullnor nuk kishte të bënte aspak me akulloret që jepeshin falas në
Qytetin e Sundimtarit. Zaten atje akulloret jepeshin qëllimisht falas në disa
shitore ku të ngjiteshin sandalet ose tabanet e këmbëve të atyre që nuk kishin
sandale. Flitej që sandalet plastike i shpinin në një punishte ku i shkrinin
dhe i bënin përsëri sandale, ndërsa gjurmët e këmbëve i kopionin dhe i mbanin në
një depo të madhe letrash që quhej Baza e Shtetit dhe që ruhej nga Bazashtetukët,
të cilët ndryshonin nga Bashibozukët, nga veshjet e errëta që mbanin."(vijon)
No comments:
Post a Comment