Friday, 30 June 2023

“Vdekja” e ngadaltë e PD-së


Ndoshta ka edhe një përbërës të karakterit psikologjik të shqiptarëve me atë c’ka po ndodh me Partinë demokratike. Duket që si popull ne kemi një raport shumë të sikletshëm me Vdekjen. Mbase pasojë e një kohe të gjatë nën një Diktaturë ateiste, që përmbysi një koncept tradicional të raporteve të njeriut me jetën dhe vdekjen.

Duket si një lloj analize tejet e sforcuar, por nuk kam se si të shpjegoj atë ç’ka ndodhi më 1992 me Partinë e Punës (e cila duhet të ishte shpërbërë-pra të kishte vdekur). Shqiptarët u munduan t’i bënin një makiazh dhe ndonëse ja bënë me programe gjoja eurosocialiste, ajo është sërish një Zombie, që vepron po njëlloj si para makiazhit. Një piramidë, e cila kontrollohet plotësisht nga kreu i saj.

Por le të kthehemi tek shqiptarët që kanë krijuar partinë opozitare , kanë milituar në të dhe i tremben vdekjes së saj. Një parti që duhej të ishte shpërbërë që në vitin 1997, pas asaj “katrahure” që bëri në Shqipëri, por n donëse e sëmurë rëndë, hiqte herë pas here dhe i “ringjiste” pjesë të saj sikundër ishin ish-Aleancistët, Selamistët, Polloistët, Topallistët dhe më vonë të tjera ndarje dhe rindarje.

Tashmë ka dy vjet që nuk është në gjendje të pranojë që është në koma dhe duhet vendosur t’i hiqen tubat, për të vdekur në paqe dhe të rikrijohen një, dy ose tre parti të tjera, serioze me një program të qartë, që mund të jetë i Qëndrës, i Djathtë apo dhe shumë Konservator.

Që partitë të sëmuren rëndë dhe të vdesin është normale në botë, duke përjashtuar këtu Amerikën, e cila edhe pse ka një demokraci të shëndoshë nuk le hapësira për parti të tjera që mund të rivalizojnë dy kryesoret, të cilat herë pas here kalojnë krizat e tyre por nuk vdesin. Nuk ka arsye të shkojmë shumë larg, por mjaft të nxjerrim mësime nga dy vende mesdhetare, që erdhën pas një të shkuare politike totalitare dhe që janë Italia dhe Greqia. Demo-kristania italiane, që drejtoi vendin për disa dhjetvjeçarë nuk figuron më në spektrin politik italian. Thuajse fat të njëjtë me të pati PASOK në Greqi, që pasi drejtoi vendin për disa legjislatura pas vitit 1974, tashmë me vështirësi del parti e tretë në vendin fqinj.

Vështirësia e jonë (gjë që e kam përsëritur shpesh në shënimet e mia) është sa psikologjike aq edhe nga mungesa e një stofi (textile) i shoqërisë shqiptare. Në të (për shkak të diktaturës ekstreme) nuk ka as shtresa të caktuara, as klasa, as organizime të fuqishme, pra as “ind as majë“, të cilat të jenë premisat për të pasur organizime politike të një profile dhe të një ideologjije të caktuara. Ndaj duke mos patur “organizma të gjalla” të një profili të caktuar dhe me një psikologji kolektive normale nuk mund të ketë as “vdekje” të tyre. Sepse njerëzit që merren me politike varen tek strukturat (forma) dhe jo në thelbin e një lëvizje politike. Për ta struktura është gjithshka sepse ajo ju garanton mbijetesën në politikë.

Ndaj dhe PD-ja do jetë vazhdimisht në koma dhe do duhet një mrekulli që t’i dalë shpirti. Dhe kur nuk ka vdekje ka ngordhje!

Wednesday, 28 June 2023

Ura e Remziut

Ajo ishte një urë e bukur.

Ndoshta nuk kishte ujë nën të,

Por rrjedhë kishte,

Një të çmendur rrjedhë

Ngutjesh,

                Shqetësimesh, 

                                Përpjekjesh për të harruar.

Frikë ekzistenciale nga të mbeturit qetë,

Elegante varur prej qiejve

Si për të treguar mundësinë e lidhjeve,

Shpresën ende të pashuar

Se dhe përtej mund të ketë jetë.

Askush nuk e kishte parë të dridhej,

Sikundër e kishin llogaritur.

Furtunat njerëzore

Mbi të cilat mbështetej

Dhe pazgjidhshmërisht lidhej

Cuditërisht nuk e kishin tutur,

Metalit të saj kishin rrëshqitur.

E bardhë dhe elegante mbetur,

Simbol i ftohtësisë së Veriut,

Ndërsa pa frikë vrapoja mes saj,

Nuk di pse e quajta:

-Ura e Remziut.

Tuesday, 27 June 2023

Komedi-pështiria e Kukësit dhe mediat


Nuk di se pse sa herë lexoj rreth çështjes Gjici në mediat shqiptare hargalisem. Në mënyrë të veçantë me disa media, të cilat i mëshojnë kurthit të pregatitur nga Sali Berisha me njerëzit e tij në Kukës. Edhe pse nuk çuditem që Saliu dhe ndjekësit e tij mund të bëjnë çdo gjë, ajo që më bën të gajasem me shpikësit e kësaj teorie, është mënyra se si mund të funksionojë prapaskena e këtyre takimeve. Po mundohem t’i heq frerët e imagjinatës sime largmëmëdheiste dhe të krijoj dy biseda paraprake të Alma K. me tutorët e saj.

Tabloja I (Zyra e Berishës)

SB: Alma mirsekeardh!

AK: Mirsejugjej Doktor. Përshëndetje!

SB: M’kan than se je individeja ma e shkëlqyme për ta vu para betejën ton për Demokraci n’Bashkin e Kuksit edhe ma gjan! E vlersoj shum kët gjest!

AK: Bëj aq sa mundem Doktor.

SB: T’gjith jemi t’gatshm t’bajm ene sakrificën ma sublime për çështjen e popullit, t’partis demokratike e t’demokracis. Duhet ma me hollësi për kët operacion t’bisedosh me Njeriun ton n‘Kuks për ta vu me shpatlla pas murit at Safet Gjicin qi ka vjedh votat e demokratve n’Kuks. Mirënjohja jon do jet konkrete dhe n’vazhdimsi.

AK: Do bëj ma t’mirën Doktor! Mund ta bëjm një foto nga ky takim!

SB: Me knaqsi. Le t’urojm se gjithshka do shkoj mir dhe do luftojm edhe funksionar tjer ma t’nalt se Gjici!

(Dalin ne foto dhe Alma K. largohet)

Tabloja II (Disa ditë më pas në një zyrë në Kukës takohet Njeriu jon n’Kuks me Alma K.)

NjK: A i diskutut t’gjitha me Doktorin.

AK: Po, por për hollësitë dhe pagesën më tha se duhet ta bisedoj me ju.

NjK: Po normal…Doktori ka shum besim tek un! Duhet t’dish se Safeti o pervert i madh dhe mund t’kalosh menjiher në orale…e ke parasysh… Do e filmosh me kët kapakun e kafes, se atje nuk t’lejn as celular as çant për me hy n’zyr t’tij.

AK: Të diskutoj në fillim për projektin apo direkt në veprim?

NjK: Jo jo direkt n’veprim se nuk dihet se sa ma bateria dhe hupim at pjesn ma t’randsishme.

AK: Po sikur ai t’kërkoj të shtrihemi pas skrivanis së zyrës dhe  nuk e filmoj dot skenën?

NjK: Jo jo direkt ke oralja dhe ka për tu dorxu ai…ja dim horlliqet.

AK: Po perzervativ të përdor…se normal që s’i dihet…

NjK: Mo ski merak se nga qi ka grun shum xheloze dhe me frik nga smunjet e transmetushme i kërko çdo muj t’boj analizat. Sa i ka ba javn q’i shkoi.

AK: Ok at’her’…po shkoj drejt tek Bashkia dhe pastaj videon do e dorëzoj tek ju?

NjK: Jo, jo …n’Tiron ke Doktori!

Monday, 26 June 2023

Edepsëzët kundër edepsëzëve

 

Ka një prirje nga analistë, gazetarë, militiantë, që të paraqesin si më të rëndë veprimin e Alma K. (dhe prapavijës së saj- sipas tyre) se sa atë të Safet Gjicit, si administrator më i lartë i një Bashkie të nivelit të mesëm. Sipas tyre, përpjekjet për të provokuar, filmuar, në një akt seksual apo korruptiv janë bërë një epidemi në Shqipëri, e cila bëhet për gjobvënie, për shantazhe të natyrës politike dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda deri në rrezikim të sigurisë kobëtare?!

Mendimi im është krejt I kundërt. Përderisa shoqëria jonë është shumë e korruptuar, përderisa institucionet nuk janë të konsoliduara, nga “sehirxhinjtë“ (ku hyn i gjithë opinion publik) të tilla veprime duhen inkurajuar. Eshtë pak a shumë ajo që populli e thotë prej qindra vitesh “Edepsëzët le ta gjejnë nga edepsëzët!”

Në këtë mënyrë sa më shumë Alma K. të kemi, sa më shumë Dritan Prifti të kemi, sa më shumë Edvin Salianji të kemi dhe sa më shumë Filip Cakuli të kemi, aq më mirë për shoqërinë shqiptare “të mpirë“. Video të tilla tronditin shoqërinë, lëvizin ujrat e qeta dhe të qelbura ku notojmë të gjithë, ushtrojnë trysni në funksionarët që abuzojnë me pushtetin dhe i çjerrin maskën propagandës të pushtetit “ Se gjithshka shkon mirë dhe Shqipëria përparon.”

Përderisa fjalët e Arlind Qorit, apo të tjerëve politikanë të pakorruptuar bien në veshë të shurrdhët dhe askush nuk i ndjek madje ndoshta dhe tallen me ta, atëhere shyqyr që kemi grupe të tilla të fëlliqura, që përdorin metoda të fëlliqura për të nxjerrë në dritën e diellit fëlliqësinë e politikanëve shqiptarë.

Personalisht, rreth videos së Alma K. kam vetëm një vërejtje. Ajo duhet të kishte punuar pak më mirë për “koreografinë“ e aktit seksual, sepse ishte tmerrësisht vulgar.

 

Sunday, 25 June 2023

“O Safet ta bëri koka…!”

 

Ngjarjet, që kanë një efekt jo të zakonshëm, madje duhet quajtur i rëndë, se i tillë është arrestimi i dikujt, sjellin një lloj çorbavitje në kujtesë dhe ndonjë analogji të çuditshme.

Shprehja e përdorur si titull i këtij shkrimi i atribuohet një Safeti tjetër. Safet B. (i cili duhet të jetë shumë i moshuar ose nuk jeton më) ishte një hetues shumë i shkurtër dhe shumë energjik i kohës së Diktaturës. Me zellin e një njeriu shumë të shkurtër dhe me gëzimin që i vinte nga kompleksi i tij i Napoleonit, ai thurrte vargje ndërsa daktilografonte në zyrën e tij gjeneralitetet e Cvingut të arrestuar për bixhoz “O Ceço ta bëri koka/ Hyre ti na plasi rrota!” Sigurisht që Cvingu nuk donte ta rëndonte pozitën e tij fatkeqe dhe ishte i detyruar të dëgjonte edhe gëzimin cinik të hetuesit Safet.

Duke u hedhur tek i posaarrestuari Safet, mendja të shkon tek vargu i parë i bejtes së hetuesit adash. Safeti ka treguar me atë që kemi parë në video jo vetëm mendjelehtësi dhe fodullëk, por kryesorja është që Safeti dhe Safetët i futen politikës për përfitime të shpejta, të menjëhershme dhe të gjithfarllojshme. Sepse askush në Shqipëri nuk e beson se një njeri me biznese të konsoliduara hyn në politikë për të bërë diçka për njerëzit, qytetin apo vendin e tij.

Hyn dhe investon në blerjen e votave, për t’i kthyer në shumëfish ato që harxhon në fushatë nëpërmjet korrupsionit ose konfliktit të interesave.

Por koka e Safetit edhe pse u ngut në të gjitha veprimet e fundit nuk është koka që ka krijuar dhe po mban këtë sistem. Madje Koka e Zeusit, që sjell dhe inkurajon Safetët të hyjnë në politikë del “palagur” nga gjithë kjo histori, se sikundër hetuesi zellmadh i Diktaturës thotë: “Safet ta bëri koka  dhe cilido duhet të mbajë përgjegjësinë e vet!

Deri kur do vazhdojmë të presim video të Safetëve që ndajnë paratë apo përdhosin zyrat e shtetit me epshet dhe grykësitë e tyre të ndyra?

Ende nuk po kuptojmë se i gjithë ky sistem i Safetëve po derdh vazhdimisht fëlliqësitë e tij edhe mbi kokat dhe fytyrat tona?

Duhet të gëzohemi se arrestuan një Safet, kur SuperSafetët tallen çdo ditë me ne?

Kemi të bëjmë me një arrestim, që ngre shumë pyetje para nesh dhe nuk jep asnjë përgjigje.

Për më tepër koha e plazheve po vjen dhe nuk kemi nge të merremi me politikë dhe me shëndoshjen e shoqërisë shqiptare. Mbase nga shtatori fillojmë dhe shohim se çdo bëjmë.

Pyetje shtesë: (E ka njeri adresën e Alma K.?)

 

 

Saturday, 24 June 2023

Bota duhet të bëhet gati edhe për 4 vjet të Trump

 

Eshtë fundi i qershorit 2023 dhe ende ka për të rrjedhur shumë ujë në politikën amerikane, por gjasat nuk janë të mira. Trump nuk ka nga kush te mundet në garën mes republikanëve dhe i vetmi që mund ta pengojë të marrë Shtëpinë e Bardhë është Xho Gafa.

Eshtë për të ardhur keq, që për postin politik më të rëndësishëm në botë do të konkurojnë një 78 vjeçar i njohur për mungesë skrupujsh, mungesë ideologjish, si gënjeshtar i rrezikshëm, e plot të meta të tjera të papranueshme për një President, dhe në anën tjetër  një 82 vjeçar, i cili nuk ka shkëlqyer kurrë dhe tashmë tregon shënja të mëdha lajthitjeje.

Dikush mund të thotë se Xhoja e mundi në zgjedhjet e vitit 2020 Trump, por unë i qëndroj mendimit se ky i fundit mundi veten me mënyrën se si trajtoi pandeminë e Covid-19. Cilido nga kandidatët demokratë, që do kishin fituar garën brenda partisë së tyre do e mundte “The Donald” në nëntorin e vitit 2020.

Tanimë situata është krejt e ndryshme dhe në fokusin e opinionit publik ka qënë Shtëpia e Bardhë dhe jo Trump. Madje përpjekjet e për të ndjekur penalisht ish-presidentin, vetëm e kanë ndihmuar atë politikisht. Në sondazhet brnda republikanëve, ai ka mbështetje sa kanë të gjithë kandidatët e tjerë të marrë së bashku. Duket, se nëse nuk ndodh ndonjë “çudi mbi çuditë“ ai nuk do e ketë të vështirë të marrë nominimin e partisë së tij.

Në kampin tjetër, Xho Gafa e ka shpallur kandidimin e tij, edhe pse 4 vite më parë deklaroi se do ishte president vetëm për një mandate 4-vjeçar. Duket se zhgënjimet e opinionit publik nga zv-presidentja Harris kanë sjellë këtë rrjedhojë në kampin e Shtëpisë së Bardhë. Dhe gjendja e kandidatëve demokratë, që do përballen me Xhonë në primaret duket që nuk është shumë premtuese. I vetmi kandidat i fortë deri tani duket të jetë Bob Kenedi, i cili jo vetëm që ka një qëndrim anti-vaksinë, por nuk ka as mbështetjen e familjes Kenedi, me ndikim të madh në krahun demokrat të SHBA.

Në se asgjë nuk ndryshon në kampin demokrat, në nëntor 2024 do përballet Trump me Xhonë dhe Trum do jetë fituesi.

Njerëzimi do përballet me rritjen e populizmit në botë, forcimin e regjimeve autokratike, shtimin e buxheteve të luftës dhe të politikave të zhvillimit të bizneseve pa marrë asnjë masë ndaj dëmeve ekologjike. Duket një skenar shumë errët, pork jo ka për të ndodhur dhe i vetmi ngushëllim është se do jenë vetëm katër vite.

Kë mund të bëjmë fajtor nëse ndodh?

Ndoshta Nostradamusin…

Thursday, 22 June 2023

Bereqaversën, kemi shëndenë!

 

Kjo nuk është një shprehje e pagoditur ngushëllimi. Mund të shërbejë edhe kur punët të të kenë shkuar si mos më keq. Kur tëtëra kursimet të kanë ikur në një firmë piramidale, kur të ka lënë gruaja pas tridhjet vjet martese, kur anijae pasiguruar me gjithë ngarkesë të është mbytyr, kur të kanë nxjerrë nga shtëpia se nuk ke paguar qeranë e dhjetra e dhjetra gjëra jo të mbrothta, që mund të të ndodhin gjatë jetës. Dhe këtë ngushëllim mund t’ja thuash edhe Safetit pas daljes së videos erotike, Alma Beqirit pas arrestimit apo rektores së universitetit të Shkodrës pas pezullimit nga detyra. Eshtë një ngushëllim me vlera universal që t’i heq hallet si me dorë. (Nuk funksionon për ata që i ka zënë ndonjë sëmundje nga ato që hyjnë në kategorinë “sëmundje e keqe”, por edhe universalizmi ka karakter relativ.)

Unë në këtë çështjen e shëndetit (shnetit- sipas dialekteve mbiShkumbinore) nuk jam me shoferin Tajar, që vite më parë më deklaronte “Shnet do derri, se robi do pare!” Jam me Nino Manfredin, që në këngën e tij të njohur “Tanto per canta” thotë “Mjafton të kesh shëndetin dhe një palë këpucë të reja dhe mund t’i biesh botës vërdallë! (Dhe ishte një këngë filozofike-lirike, që nuk i bënte reklamë ndonjë firme të prodhimit të këpucëve.)

Eshtë e natyrshme (sikundër mund të jetë dhe absurde), që të gjitha qeveritë në botë, të të gjitha sistemeve, edhe pse e vlerësojnë me fjalë shëndetin e njerëzve, Ministritë e Shëndetit i kanë aty nga fundi, diçka më lart se Ministritë e Sportit edhe pse kjo e fundit ndoshta është mirë të jetë e përfshirë tek shëndeti, si parandaluese. Por nga rëndësia vijnë Financat, Lufta, e Jashtme, e Brendëshme dhe me rradhë deri atje ku mbërrijnë Turizmi dhe Shëndeti. Madje po të shohësh edhe ministrat e Shëndetit kudo në botë janë emra të panjohur, madje mund të jenë edhe shëndetligj.

Grykësia jonë e pakufi (që gjithashtu të dëmton shëndetin) na ka bërë të vlerësojmë Luftën, Paranë, Biznesin, krimin sig jërat më të rëndësishme dhe pasi t’i rregullojmë këto kemi dhe automatikisht të rregulluar dhe shëndetin, kur është krejt e kundërta. Vende të zhvilluara ku njerëzit duhet të falimentojnë kur kanë problem të shëndetit, vende të pazhvilluara ku mungojnë gjërat bazë që lidhen me shëndetin dhe më pas kompani minerare apo të industrisë së drurit, që për të fituar shkatërrojnë shëndetin e milionave.

Duket që Njerëzimi ka hyrë në një spirale të errët shkatërrimi e cila të bën gjithnjë e më pesimist dhe nuk të mjafton për ngushëllim as shprehja:

“Bereqaversën kemi shëndenë!”

E kemi, por me një qera shumë të lartë dhe në duar të dyshimta!