Saturday, 7 October 2017

I am separatist!

Pa Amerikën  s’bëjmë dot Republikën Autonome ce nuk është si në vaft të Themistokliut. Edhe qyngjërve të Bostonit tani ja u kanë vënë emrin “lobingët e Bostonit”. Duhen shfrytëzuar këta lobingët e Bostonit, Cikagos dhe Usterit, që të na japë të njojturën Trumpi. Ja dhe avokati Ngjelka, që është gjysëm nga Pojani ka thënë që marinsat mbarojnë punë. Të kishim edhe ca det do qe më mirë po se marrim dot Selanikun. Edhe gjolin e Maliqit na e thanë të kuqtë dhe për punë pllazhi dhe ardhjen e marinasve me nëndetse nuk jemi aq mirë. Duhet të zbojmë shulet e Pustecit dhe t’i këmbejmë me ata Gegët e hallvëkoskës.
Kur qenë ata byrazerët Prifti, që këndonin në Amerikë nga këto serenatat tona, dollarët i mblidhnin me fshesë. Po të dërgojmë edhe një herë nga një të grup muzikor të çdo dore këta nipërinë e Tasit, Eli Farën me gjithë çupë, Genan dhe kantautorin Maksi Kulla, dynjanë e dollarëve do mbledhim për çështjen e separatizmit. 
Po sefte duhet të çvillojmë turizmin patriotik.
Në Pazarin e Korçës të tërë dyqanet të shesin suvenire patriotike. Duke filluar me “Konjak” nga të Kondakçiut që kishte tërë ato çmime internacionalle, fytyrat e tërë kryetarëve të Bashkisë nga Vasil Avrami deri në Raqka, skulptura të vockla të Iliaz bej Mirahorit mbi kalë, poçka pe të Vasit, dhisqe të Uratë Spiro Katundit dhe recetën e kërnackave të Tushkës. Po ka dhe të tjera gjëra që mund të na vinë në mëndje si idhe të reja. Ujë në shishka nga të pusit të Themistokli Gërmenjit, gazoza me shishe me detkë pe të Koço Loços, fuga pe druri dhe bilbilka pe balte, qirinj pe të Pano Gudulimës, çomage pe t[ Babucit, si dhe pjavica kurative pe të Shetros në vazo. Mund të ketë edhe një dyqan ku t’ju shtien kupa të ftohurve, se këto SPA janë shumë në modhë për turistët.
Në “Lëndinka e Lotëve” të bëhet monumenti i të tërë emigrantëve të Amerikës(ce këta të Greqisë nuk quhen patriotë se kanë karta pe Vorio-Epiri). Atje të shënohen tërë emrat dhe llagapet dhe emigrantët që kanë emrat të japin nga 100 dollarë në vit për mirëmbajtjen e Monumentit dhe Republikën Autonome.
Cdo vit, si në buzëbehari që mos jetë plehviti, të bënet marshimi patriotik i Republikës së Korçës që të nisë në Kishën e Tudasit në Opar e të vazhdojë në Voskopojë, pe aty në Teqenë e Melçanit dhe të degdiset në Xhamia e Mirahorit, mbasandaj në Sugarët ku u ngrit flamuri i Themistokliut, në Bashta e Gegës dhe të mbyllet para Binasë të Re të Qeverisë së Korçës.
Për bina të Qeverisë, që do jetë bashkë me Ambasadën Amerikane të bëhet Pallati i Sportit me ca ujdisje të reja që të jetë edhe pranë Universitetit të Fan Nolit.
Arqitekt kemi mirë këtë të Kullës dhe po mos e lerë Rama, marrim atë çupën, që thërriste për sheshin në Cajupi “Po është i madh o milet!”

I love Korça! I am separatist!

Friday, 6 October 2017

Mblidhen katër familjet e krimit

Gjatë zhvillimit të ndeshjes Spanjë - Shqipëri, kur vëmendja e opinionit publik dhe e policisë ishte në Kombëtarja në Alikante, në Petrelë janë mbledhur përfaqësuesit kryesorë të katër familjeve të krimit.
Tema e mbledhjes – si të reagojmë ndaj deklaratave të papërgjegjshme të ambasadorit Lu.
Vendi i mbledhjes dihet, tema e mbledhjes gjithashtu dihet, po se cilat janë familjet nuk dihet. Ambasadori, që e di nuk e thotë. Qeveria nuk e thotë se bën sikur se di.  Opozita di tre nga familjet se i ka të sajat, po nuk di të katërtën, që t’ja nxjerrë bojën. Mediat e kanë bërë çorbë se kanë botuar hamëndje gazetarësh, analistësh dhe historianësh, që e kanë çorbavitur mendjen e miletit.
Një gazetar ishte i sigurt se janë familjet Hoxha, Shehu, Kapo dhe Alija.
Një analist akoma më kompetent i vuri vulën se janë familjet Berisha, Meta, Rama dhe Basha. Nano shpëton se ka krijuar familje të re.
Ish shefi i SHISH-it, Fatos Klosi pranon ekzistencën e klaneve, por nuk i quan familje.
Historiani Pëllumb Xhufi shkon më thellë në familjet Vërlaci, Merlika, Kryeziu dhe Kupi, ndërsa Moikom Zeqoja nuk jep emra familjesh, por përjshton Kastriotët, Muzakat, Dukagjinët dhe Topiajt.
E megjithkëtë, katër familjet u mblodhën dhe diskutuan gjërë e gjatë se si të reagojnë ndaj ndaj Lu-së, edhe për të mos u acaruar me Amerikën, por edhe për të mos treguar dobësi, që do të thotë, që tregun shqiptar ta pushtojnë menjëerë pesë familjet kosovare të krimit.
Ideja e hedhur nga një përfaësues gjaknxehtë “të vrasim Lu-në“ u hodh menjëherë poshtë, pasi u sqarua përfaqësuesi, që nuk duhej ngatërruar koreano-amerikani Lu me armikun e Trump, koreanin Kim Jong Un.
Edhe ideja tjetër. për të treguar forcën duke hedhur në erë Qendrën Tregëtare të Zamirit të Bitijes, nuk u pranua, se “Zamiri o çun përsmari, qi ka pagu detyrimet!”
Nuk u pranua as linja e e heshtjes së plotë, por konsensusi u arrit, në idenë e “dorëzimit të një peshku të madh” nga ata të 20 familjeve vasale.
“Kështu ene Lu-së i mbyllet goja, ene i gjati del i nerum, ene Tik Llalla mush i dosje t’modhe.”
“Peshku i Madh”, që do i dorëzohet së shpejti qverisë, ka inicialet S.T. dhe arrestimi pritet të bëjë bujë të madhe.
Mund të ndodhë disa ditë para mbledhjes së dy qeverive shqiptare në Korçë, për të mos prishur imazhin e mbledhjes së hapur të atyre që luftojnë me gjithë shpirt krimin.

Thursday, 5 October 2017

Një grua si Brixhita

Gjithnjë kam qënë i bindur, se po the për dikë “është i dashur me popullin dhe i rreptë me armikun” i kthënë të gjitha. Kjo deri sa rastësisht, lexova në një gazetë statusin në FB të Brixhita Kokëdhimës, gruas të politiko-biznesmenit Koço Kokëdhima. Sublime, madhështore, gjeniale dhe nuk di se ç’epitete të tjera të zgjedh për fjalët e bukura të gruas së përkushtuar. Aq e përkushtua, sa kur flet për burrin e quan zoti Kokëdhima, që më sjell ndërmend një të njohurën time, që I drejtohej të shoqir drejtor, si “shoku Osman”. Oh ju gratë e përdëlluara të dheut tim sa të rralla jini! Por mbi to Brixhita. Edhe më lart se Nexhmija.
Po ve më poshtë pa asnjë ndryshim statusin e Brixhmijes, me ndonjë koment të shkurtër timin.
Unë kam jetuar një jetë të lumtur e të madhe pranë z. Kokëdhima! Ai është një njeri i jashtëzakonshëm! Është patriot dhe atdhetar si rrallëkush, i ditur dhe i mençur, punëtor dhe i drejtë, i ndershëm dhe bujar, i lidhur me njerëzit e thjeshtë dhe me popullin tonë, besnik i kauzave të mëdha kombëtare dhe i interesave të larta të shtetit tonë. Ai është njeri krijues dhe menaxher i rrallë, njohës shumë i mirë i historisë, traditave dhe kulturës sonë, është njohës i thellë i ekonomisë, artit, politikës dhe biznesit. “
Kush mund të shkruajë kështu përveç dikujt që të njeh mirë! Jeta e Brixhitës është vërtet e madhe, se duket që ka jetuar në të njëjtën kohë me Ainshtainin, Adam Smithin, Fan Nolin, Napoleonin, Bill Gates dhe Moikom Zeqon.
“…Zoti Kokëdhima ka qenë vetëm 30 muaj deputet. Nuk ka qenë asnjëherë në qeveri apo në ndonjë post tjetër. E kam shoqëruar kudo dhe e njoh shumë mirë punën e jashtëzakonshme që bëri me shpirtin e tij inovator dhe reformator. Duhen volume të tëra për të treguar me detaje veprën që ai bëri si deputet i popullit. Unë do tregoj vetëm shumë pak gjëra. Ai dëgjoi me vëmendje e respekt të thellë dhe ndihmoi me zemër e përkushtim çdo banor, fshat më fshat e familje më familje, luftoi me vendosmëri korrupsionin e zyrtarëve të shtetit dhe në zonën ku drejtoi ai i dha fund shitblerjes së posteve të punës, emërimeve nepotike e me diploma false, pa meritë apo vetëm për interesa partiake. Mobilizoi qindra ekspertë, specialistë e shkencëtarë dhe hartoi qindra projekte për t’i dhënë një zhvillim të gjithanshëm bregut të Jonit…
Mirë thonë që nuk ka fat i miri! Dhe në këtë rast më i pafati është populli i Bregut të Jonit. që vetëm për 30 muaj përjetoi ëndrrën e Europës.
“ Ngriti 14 zyra, me njerëz që dëgjonin e shërbenin njerëzit e thjeshtë e të braktisur të provincave tona. Mbrojti në çdo rast banorët nga çdo padrejtësi dhe nga prishjet dhe shkatërrimet barbare të INUK të urdhëruara nga qeveria. Organizoi në verën e vitit 2014 dëgjesat dhe ballafaqimet e çdo fermeri dhe blegtori të zonës me përfaqësuesit më të lartë qendrorë e lokalë të ministrisë së bujqësisë. Ai negocioi me qeverinë një politikë të re për bujqësinë dhe planin që nga buxheti i shtetit për vitin 2015, bujqësia shqiptare të përfitonte 100 milionë euro subvencione. Punoi pa u lodhur që të bindte qeverinë të vendoste si prioritet nr.1 bujqësinë dhe ushqimin e popullit. Ideoi shumë projekte konkrete për të nxitur krijimin e ndërmarrjeve të prodhimit të madh në fushën e ushqimit. Ai ka shumë vite që shpjegon vizionin e tij se është jetike për shqiptarët që ata ta prodhojnë vetë ushqimin e tyre. Shqipëria, jo vetëm nuk duhet të importojë, por duhet të eksportojë ushqime…”
Më duket e qartë, që Nikoja po kopjon pikë për pikë këto, që ka bërë Kokëdhima, i cili me siguri do e hedhë në gjyq për plagjiaturë dhe paratë e dëmshpërblimit do i japin taksapaguesit.
 “…Ai ka analizuar sistemin politik të kalbur të Shqipërisë dhe ka hartuar e përcaktuar saktësisht rrugët dhe platformat për ta reformuar këtë sistem politik dhe për ta modernizuar e ngritur shtetin shqiptar. Asnjë deputet tjetër në historinë e pluralizmit nuk ka bërë kaq shumë punë e përpjekje dhe nuk ka trazuar jetën politike të Shqipërisë si zoti Kokëdhima. Idetë, iniciativat dhe qëndrimet e tij kanë qenë përvëluese si uthulla dhe acidi në plagë për moçalin e ndyrë të politikës së vendit. Kjo është edhe arsyeja që mandatin e tij e goditën me komplot të gjithë liderët aktualë politikë. Këta liderë që janë armiq për njeri tjetrin u bënë të gjithë bashkë për zhbërë modelin dhe politikën e zotit Kokëdhima dhe për ta larguar atë nga politika. Por unë që e njoh shumë mirë vendosmërinë, kurajon dhe aftësinë e këtij njeriu, që i qëndroj dhe më qëndron në krah prej 35 vitesh, e di shumë mirë se ai dhe ZGJIDHJA do e fitojnë këtë luftë, do e reformojnë patjetër sistemin politik dhe do e përmbysin këtë elitë të diskredituar politike…”
(Këtu të them të drejtën, fillova të dyshoj se Brixhita po tall gajden me Kokëdhimën dhe me ne lexuesit, por duke qënë i divorcuar prej një dyzine vitesh, mendova që edhe mund të gaboj.)
Ja kjo është Brixhita ose Brixhmija ose zonja Kokëdhima!

E si të mos jemi optimistë për të ardhmen e vendit!

Hajde bëjmë sikur zihemi!

Lu-ja nuk ka ndërmend të tërhiqet. Do bëjë Reformën në Drejtësi, sikundër është planifikuar, sëbashku me Komisionet e Vetingut. Pastaj çdo gjë mund të ndodhë. Humbet kontrolli jonë mbi policinë, prokurorinë, gjykatat.
Nuk duhet të hyjmë në detra, të cilët nuk i njohim!
Kundër Lu-së nuk e ngremë dot zërin dhe ky çinmaçin, ka kërkuar të rrijë deri në verë “se ka shumë punë për të bërë!”
Ne kemi ndërmend vitin që vjen ta shtyjmë me këtë meselenë e Skënderbeut dhe nga viti 2019 fillojmë avazet e fushatës për 2020! Ka kohë kjo puna e Drejtësisë.
Ndaj duhet nisur ai avazi “ i të zënës”.
Bëjmë sikur “therremi” dhe opozita fillon bojkotin. E shtyjmë si atë punën e “çadrçs” për nja 4-5 muaj dhe po ndenji Lu-ja akoma deri në korrik mendojmë ndonjë gjë tjetër.
Kush e di si vete puna e Katalonjës!
Po dhe qeveria në Kosovë sikur ka rënë.
Pa edhe Erdogani mbase ju bie kurdëve dhe s’e ka njeri mendjen nga ne.
Po të ndrohet ambasadori, do nja 6 muaj sa të orientohet, pa mund të qëllojë edhe ndonje “jashai”, që ja gjejmë volinë me ato “zuskat paparti” të OJQ-ve.
Se po arriti të hyjë një nga ne brenda, hapet loja keq. Po hyri Zeni, do hyjë dhe Tan Prifti dhe po hyri ai, i vjen rradha Cac Angjelit e shkon deri në Meta, Bodeja dhe nuk shpëtojmë dot as Bashën dhe as Ramën!
Po bën dot Shqipëria pa ne?
Kurrën e kurrës!

Ndaj hajde bëjmë sikur zihemi!

Je suis…separatist!

Ky shekull do jetë i separatistëve. Ce mos jemi dhe neve!
Të ikën truri bre të mendosh ce si kemi qënë dhe ce si na lanë këta legenat e Tiranës.  Qëmoti, kur beheshin ballo në Korçë, tërë këta që na hiqen tani si modernë i mbanin gratë me ferexhe. Neve me ferexhe i vishnim vetëm për Karnavale dhe në ballo me maska.
Po të jemi Republikë Autonome si në vaftin e Themistokliut ja u vëmë kufirin në Plloçë tërë këtyre tiranasve e nga ç’janë dhe t’ju kërkosh paranë që të hysh në Korçë. Do ta japin ce s’bën ore! Ce nga do t’i hapin sytë ata?!
Ta kthesh edhe paranë në napolon e në lopka e ta vësh edhe kursin si të duash, Ce po të kontrollosh kursin e parasë e bën ekonominë si të duash. Ne jemi pikë kyçe bre, si katinar hesapi. I bllokojmë të tëre edhe durrsakët edhe grekët! Pale këta elbasanllinjtë e drogës. Një të vënë bllokadën dhe nga do e shpijen mallin? Fushën e aropllanëve e kemi, që vinin nga këto linjat internacionale, që në kohën e Zogut. Kisha gjyshen e një shoku që me aropllan vinte në Tiranë ce e zinte tomobilli.
Ne kemi tërë mëndtë në Tiranë dhe Amerikë. Sikur gjysmit të vinë e të jenë në kokën e Republikës së Korçës jemi llaftari. Dy më të pasurit o, janë Zamiri i Bitijes, që kishin blerë shtëpinë e inxhinjer Plluskës dhe Gigoja i Piro Jotit që rrinte në Mapoja. Sikur njëri të vijë e nuk na çan topi! Universitetin, që e kanë patur këta devollinjtë dhe doli i pari në Shqipëri, pop o të sjellim Ndreçkën e Vangjos së Mishit ose Valkë Kalkën dhe të bëjmë dhe Akademinë e Voskopojës, tërë truri i Ballkanit këtu do vijë të studiojë.
Po sikur vetëm bukë me qiqër të eksportojmë dhe s’kemi nevojë për më shumë. Kemi Festën e Birrës, të Lakrorit, Karnavalet e Qershorit, ato të Shkurtit dhe ato të Polenës, që të të mblidhen nga tërë bota. Po të shtojmë edhe Festën e Dromkave, atë të Cigaridhkave dhe Festivalin e Ashikëve jo këto hotelle që s’dalin, po edhe ato jashtë territorit të Republikës nuk do mjaftonjnë.
Qeveria të jetë nga të katër duart. Dora e kaurëve, e muhamedanëve, e çobenëve dhe nga dora e evgjitërve. Ce të tërë kanë të drejtën e tyre!
Dhe të bëhet me të vërtitur. Një vit kryeministri kaur, një vit muhamedan, një vit çoban, një vit evgjit dhe një vit kaur. Mbyllet një legjislaturë. Pastaj fillojmë nga fillimi: Një vit kaur, një vit muhamedan e me rradhë.
Dhe të shikosh si do na bashkohen me rradhë Leskoviku, Përmeti, Follorina, Manastiri dhe Pogradeci. Ce pas të pasurit dhe të sqojturit vinë të tërë.
Në Evropë që vitin e parë do na futin. Kemi nam të mirë ne korçarët. Me Amerikën po tejendanë.
Mund ta kemi Nikon kondra kësaj idheje se është Ministër i Bujqësisë, po dhe ay është lavrak dhe e kupton ce ku është aveniri. Mund të dojë dreq e në kryeministër, po sefte duhet të deklarohet është kaur apo muhamedan, se dy mandate rresht andej nga bostanet ka!
Dhe që ta mbyll, po thërres si Kia në kohën kur ishte xhandar i Francës:

Je suis separatist!

Wednesday, 4 October 2017

Viti i …Dhive!

Gjithshka është simbolike!
Në botën tonë arbërore, të lashtë dhe shumë të munduar, simbolika e “shenjtërisë“ së Dhisë rikthehet me shumë vonesë.
Jo më kot Heroi jonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, kishte në përkrenaren e tij një kokë dhije. Eshtë shkruar se ai i vendosi brirët e dhisë në kokë, pasi i kishte shpëtuar ndjekjes nga turqit duke ndjekur shtegun e dhive të egra, diku në afërsi të Martaneshit, por kjo nuk është e mbështetur në fakte. Mund të jetë edhe më thellë në histori. Se brirë vendosnin në përkrenare edhe Vikingët, por ishin brirë demi. Edhe përkrenaret e gjetura para Vikingëve kishin brirë të mëdhenj dhe për më tepër jo turi prej “dhiçke”, si në atë të Heroit tonë.
Që dikush, si Artan Lameja apo Auron Tareja, ka zbuluar një dokument tepër të vlefshëm dhe të panjohur për lidhjen e Skënderbeut me dhitë, kjo është e sigurt edhe pse po mbahet shumë e fshehtë në rrethet pranë Kryeministrit.
Ndoshta, fshehtësia ka të bëjë me edhe me raportet tona me Gjermaninë, sepse dihet, që romakët quanin “cornuti”, gjermanët për shkak të brirëve në helmeta, por si pasojë e  sjelljes tepër liberale të grave teutonike, shprehja më vonë mori kuptimin fyes “brinjar”, që në gjithë Mesdheun njihet si cilësim i leshkove, që ja u dredhin gratë. Ndaj rikthimin e kësaj teme Merkel e quan po aq fyese sa cilësimin e by… të saj të shëmtuara nga Berluskoni.
E megjithatë hapat u hodhën.
Ngritja e kultit të Rigertas dhe lidhja e saj me Romën, ka të bëjë drejtpëdrejt me ngritjen e  kultit të dhive.
Në fillim, për të mos rënë në sy, do propozohet nisma e Ministrisë së Bujqësisë “Dhija çan bllokadën”, për të vazhduar më tej me nismën e Ministrisë së Arsimit “ 1 dhi + 1 cjap = Fermë ”. Eshtë në shqyrtim edhe ideja e Manastirliut për një sensiblizim të gjithë grave shqiptare “Të kontrollojmë gjinjtë, si ja pa delja dhisë - Cdo ditë!”  Në fund, do jetë nisma kulturore-shpirtërore e Ministrisë së Kulturës “ Në Europë jo si këmbët e dhisë, por si kryet e bukur të saj!”
Për festimet gjatë vitit, që vjen, jnë porositur në Kinë nga Vilma Nushi, një million përkrenare , kopje të asaj të Skënderbeut, të cilat do ju shiten, nxënësve dhe studentëve të dalluar, pas mbarimit të semestrit të dytë. Sigurisht, që nisma e biznesmenes është në kuadrin e PPP-vë dhe me finanacim nga fermerët taksapagues.
Krahas titullit “Bleta Punëtore” do jepet edhe titulli “Urdhëri i Dhisë“ me tre klasa, për kontrbute të shquara në fushën e shpikjeve dhe racionalizmeve, ku si motivacion bazë do jetë thënia “Usta është dhia, që i bën kakërdhitë e barabarta”.

Me sugjerimin e akademikut Fuga, do hiqen nga të gjithë tekstet e letërsisë në shkolla dhe universitete, i refrerencave të librit të Daniel Defosë “Aventurat e Robinson Kruzoit”, për shkak se heroi shumë i njohur i librit, gjatë izolimit shumëvjeçar në ishull, ka abuzuar seksualisht me dhitë.

“Ju japim fjalën e nderit/ Kullat më lart do i çojm’!”

Duket si një premtim i mbajtur, në një “përshëndetje të Pionierëve të Ramë-Veliajt” në një Kongres të Fshehtë të Ndërtuesve të mëdhenj, gjatë fushatës elektorale të këtij viti, se sa për premtimim ndaj zgjedhësve tiranas në fushatën vendore ishte krejt i kundërt.
Por tani janë premtuar qiellgërvishtëse dhe qiellgërvishtëse do bëhen! Përderi sa të “mbretërojë“ Princi i Arbërisë Rama dhe “delfini” i tij Lal Eri!
Po pse domosdoshmërisht duhen ndërtuar kulla në Tiranë dhe kush është i interesuar për to?
Nëse do krahasojmë Tiranën me 4 qytete europianë, të një madhësie të ngjashme, si Zurihu, Torino, Shkupi dhe Selaniku, që tani, Tirana ka jo vetëm numurin më të madh të qiellgërvishtësve, por planifikon të ndërtojë edhe dhjetra të tjera.
Në Zyrih, edhe pse nën trysninë e kërkesave të shumëkombësheve finanaciare, deri para disa vitesh nuk lejohej të ndërtohej mbi lartësinë 40 metra (12-13 kate), ndërsa edhe tani, që lejohet deri në 80 metra, vetëm në zonën industriale të tij.
Kufizime të më të forta kanë Torinoja dhe Selanik. Por edhe në Shkup, ku mund të mendohet se politikanët dhe ndërtuesit punojnë në të njëjtin sinkronizim si tek ne,  projektimet stërmëdha dhe të shtrenjta nën okielon “Skopje 2014” janë orientuar drejt parqeve, monumenteve dhe gjallërimit të zonave historike, në një “kiç nacionalist” absurd si e kanë quajtur kritikët, por që nga pikëpamja urbanistike është më pak i dëmshëme se “kullëzimi “ i Tiranës, që po ndodh në periudhën Veliaj.
Ka dy mundësi, që “investitorët” të miklohen nga ideja e ndërtimit të qiellgërvishtësve, pa qënë grup i fuqishëm investitorësh dhe në një vend, ku popullsia sa vjen dhe zvogëlohet.
E para është mundësia e ngjashmërisë në mentalitetin e investitorëve në Tiranë me ata të Las Vegasit të viteve ’60, kur tentohej “të ndërtoj më bukur dhe më lart se rivali”. Dhe dihet se kazinot e Las Vegasit u ndërtuan kryesisht me paratë e krimit të organizuar dhe më të shumtëtë e krerëve mafiozë ksihin ego të mëdha po pak shkollim.
Mundësia e dytë, është mungesa e plotë e informacionit ekonomiko-demografik, e ngjashme me kohën e bumit të ndërtimit të banesave, që i bën investitorët të mendojnë se “qiellgërvishtësja” e tyre mund t’i “kullufitë“ të tjerat nëpërmjet konkurencës dhe pas “bumit” të kalohet në rregullore të tjera urbanistike, të cilat ndalojnë ndërtimet shumë të larta. Edhe pse nuk tingëllon shumë e logjikshme, paqëndryeshmëria e Ramës në raport me urbanistikën e Tiranës, ndalimi për 3 vjet i lejave të ndërtimit, ndryshimi disa herë i planit rregullues ju jep kurajë investitorëve klientëtë tij të mendojnë “sa të kemi shefin, rregullat i bëjmë si duam ne”.
Por kush mund ta ndalojë revanin e Ramës dhe Veliajt në lejimin e vëllimeve stërmëdha prej betoni apo edhe prej xhami, që e dëmtojnë hapësirën e kryeqytetit, që dëmtojnë edhe ekonominë e tij dhe e bëjnë edhe më tej një nga kryeqytetet europiane me kushtet më pak të mira për të jetuar?
Zëri i urbanistëve dhe arkitektëve shqiptarë është thuajse tërësisht i fashitur. Disa nga “arkitektët me akses” të hershëm, vazhdojnë të bëjnë “ingranazhin lidhës” mes investitorëve, Bashkisë dhe arkitektëve të huaj të Ramës, Stefano Boeri dhe Peter Wilson.
Profesionistët e tjerë të punësuar në Bashkinë e Tiranës apo në qeveri, luajnë “duartrokitësin shpjegues” për veprat e “papame” të arkitektëve të huaj.
Opozita  është shumë “ e kujdesshme” në çështjet e urbanistikë-ndërtimit, se ka gjynahet e veta dhe të njëjtit klientë-investitorë.
Të vetmit kritikë të palëkundur mbeten Fatos Lubonja dhe Gentian Kaprata, por vetëm me dy zëra, sado të fuqishëm, nuk mund të përballet fronti “i përbindshëm” Qeveri-Bashki- Investitorë.
Amatorizmi i shoqëruar me korrupsion të madh, është formula më adekuate për shkatërrimin e urbanistikës së qendrave të banuara. Dhe në Tiranë këto dy përbërës të kësaj formule janë tashmë të kristalizuar.
A ka ende mundësi për të ndalur “pionierët e Ramës”?

Asnjëherë nuk është vonë për tu ngritur e mbrojtur “ajrin dhe diellin” që i takon çdo qytetari.