Wednesday, 9 November 2016

​Pse fitoi Tramp




Të gjithë analizat e bëra nga analistët e paguar, janë vetëm për të ngritur mjegull , që të mbulojë të vërtetën e madhe dhe të thjeshtë të fitores së Tramp.
Tramp është Iluminati.
Këtë e dinë yë gjithë Iluminatit e botës, që nuk janë të pakët, pasi ndërmorën një punë të vështirë, që jo vetëm të siguronin fitoren, por edhe ta kamuflonin si fitoren e dikujt jashtë establishment. 
Tramp është bërë Iluminati, që në vitin e dytë të Akademisë Ushtarake, por vetëm tani, nga shoqëria e fshehtë, u lejua të hynte në politikë. Interesante është, që iluminati janë edhe Billi dhe Hillëri, por kjo e fundit ka dhënë shenjat e krijimit të një korrenti femëror brenda shoqërisë me pjesëmarrjen e Madonës, Bejonsesë dhe Grida Dumës, gjë që nuk ju ka pëlqyer patriarkëve. Ata detyruan edhe Tereza Mejin të ftohte marëdhëniet me Klintonët, në rast se donte të zgjidhej kryeministre e Britanisë.
Cdo gjë është e thjeshtë tashmë.
Iluminatit e tërhoqën edhe njëherë pas hunde popullin amerikan dhe po krijojnë Rendin e Ri Botëror. Pengesë është vetëm Kina dhe Meksika të cilat Donald i ka sulmuar ashpër gjatë fushatës.
Rendi i Ri botëror do ketë në krye Amerikën me 66% të influencës globale, Rusinë me 16%, Anglinë me 6% dhe Turqinë me 3%. Ato që mbeten,  do ndahen mes iluminatëve të hemisferës së jugut, ose si i quajnë mes tyre “kokëposhtët”.
Europa, si një organizim i çorientuar dhe me shumë kokë, do goditet vazhdimisht për të shkuar drejt shpërbërjes. Roli kryesor ju është caktuar ballkanasve Rama, Cipras dhe Vuçiç. Goditja e parë e grekut lehtësoi daljen e Britanisë dhe tani pritet goditja e Ramës, që mund të sjellë shkëputjen e vendeve Skandinave dhe Italisë.
Në një plan më afatgjatë është rikrijimi i Perandorisë Austro-Hungareze, e cila do ndajë me Iluminatin Putin të gjithë Ballkanin problematik. Pjesa e Shqipërisë mbi gazsjellësin TAP(vepër që financohet nga shoqëria e fshehtë)I bashkohet Vienës. Jugu, i shqiptarëve rondokopë dhe që pinë raki me gradacion më të lartë do i ngjitet votkëpirësve rusë. Për të mos krijuar pakënaqësi në Iluminatin Erdogan, Peqini dhe Shijaku do shpallen vilajete të Turqisë me dalje në Adriatik.
“Bota nuk ka për të qënë më e njëjtë“ tha sot sabah , sabah Tramp.
E dimë o xhan e dimë! Mos na merr fare për loço edhe ne!

Tuesday, 8 November 2016

Xhiko Hillëri ç’të duhet Presidenca?



Ende, pas 18 muajsh fushatë intensive, nuk kam arritur të kuptoj se ç’i duhet thuajse 70 vjeçares Hillëri Rodhëm Klinton Shtëpia e Bardhë.
T’i shërbejë vendit të saj?
Këtë nuk e besoj se nuk më duket natyrë, që përgjërohet për t’i shërbyer vendit dhe popullit të saj.
Për para?
Edhe kjo nuk ta mbush mendjen, se ish Zonja e Parë mund të fitojë më shumë duke mbajtur fjalime në mbledhje pasunarës ose duke ligjëruar nëpër universitete  se sa prej rrogës si Presidente. (Në Amerikë Presidentët nuk merren me tendera rrugësh dhe koncensione në mjekësi.)
Të krijojë një Dinasti Klinton në politikë?
Nuk ka shumë të ngjarë, se në të kundërt do kishte lindur shumë djem e vajza për të vazhduar karrierën e prindërve, ose nëse kjo do ishte e vështirë për të (jo për Billin) do kishte adaptuar si Zholi një tufë shumëngjyrshe kalamajsh.
T’I tregojë gjithë botës se ka qënë dhe është më e zonja se Billi?
Për këtë kanë qënë të mjafta deklaratat e Billit që në kohën e fushatave elektorale për guvernator të Arkansas dhe deri më sot.
E detyruar nga ndonjë rreth i fshehtë masonësh apo illuminati, në të cilin bën pjesë?
Kjo teori mund t’ju mbushë mendjen Kastriot Myftarajt dhe gjithë konspirativistëve të tjerë, por mua, edhe sikur të më shkone në mendje ta pranoja si mundësi , do më hidhej në grykë avokati im.
Të flirtojë me stazhierët që do punojnë në Shtëpinë e Bardhë, për tu hakmarrë ndaj tradhëtisë të të shoqit me Monika Luinskin?
Hillëri ka pak gjasa të jetë akoma në gjendje të ndjejë kënaqësi për flirtime, “ljubbjoçka” të lehta apo të rënda, tani që po mbush 70 edhe po ta ketë në maksimum ndienjën e hakmarrjes.
Të hyjë në histori si e para grua në krye të shtetit më të fuqishëm që ka njohur deri më sot njerëzimi?
Këtë ëndërr Hillërit ja kanë përkundur edhe të tjerët, që në kohën e angazhimeve të saj politike, kur ishte studente në Harvard. Gatë 8 viteve në Shtëpinë e Bardhë, ajo ka qënë gjysëm e dehur nga “pushteti i pamatë“ I Presidentit të Shteteve të Bashkuara, një dehje kjo që nuk del lehtë. Për më tepër kur është e shoqëruar edhe me libra jetëshkrimorë para e pas vdekjes, monumente bronxi jo vetëm në Kosovë, emra aeroplanmbajtësesh apo planetesh të zbuluar rishtas, apo më tepër akoma, krahasimi me Kleopatran, Katerinën e Madhe, Mbretëreshën Viktoria apo Anxhela Merkel. (Më shkoi në mendje të rendisja mes tyre edhe Shoqen Shenka, por e di që do akuzohem pa të drejtë si maskilist.)
Ndoshta kjo e bën pensionisten Klinton, që në vend të rrijë e të shkruajë kujtimet, të shijojë në qetësi ndrrimin e stinëve, të kundrojë me të shoqin ose me miq të afërt vende që nuk i ka vizituar më parë, të këshillojë të bijën dhe të rinjtë e tjerë që duan të hyjnë në politikë se ç’gabime të evitojnë, që merr ‘sokakët” e Amerikës për 18 muaj dhe të shtrëngojë miliona duar, të përqafojë pa qejf mijra njerëz, të përsërisë deri në ngjirrje të njëjtat fjalë, të dëgjojë mijra sharrje ndaj saj dhe të shoqit.
Suksese xhiko Hillëri!
Pas kaq shumë sakrificave, vërtet meriton të hysh në  Zyrën Ovale dhe në Histori!

Monday, 7 November 2016

“Sindromi” i Eskobarit.



Nuk di nëse ka vërtet një sindrom të tillë, po meqë emocionet e zgjatura, veset, pasionet e tepruara, brengosjet disaditore dhe shumë gjendje të tjera emocionale të njerëzve po trajtohen gjithnjë e më shumë si probleme të shëndetit mendor, ka mundësi të ketë edhe një Sindrom të Eskobarit.
Pablo Eskobar, njihet tashmë si më i famshmi dhe më i suksesshmi narkotrafikant. për paratë e  fituara dhe rrjetin gjigand dhe efikas. (El Chapo dhe të tjerë sot  nuk mund të afrohen në madhësinë e Perandorisë të kokainës të Eskobarit.)
Ishte një burrë shumë i pashëm, me flokë të zeza të errëta dhe i sjellshëm. Gëzonte popullaritet në krahinën e tij dhe ishte zgjedhur deputet në Parlamentin Kolumbian. Njerëzit e deshin dhe ende sot ka shumë syresh, që e kujtojnë të malluar. Gratë linin kokën për të.
Këtu ze fill ideja e “sindromit” të Eskobarit, i  cili, ndryshe nga çrregullimet e tjera mendore, të cilat janë kryesisht individuale, kap grupe të tëra të popullsisë.
Kur ishte në politikë Pablo komandonte një fond jo të pakët parash të taksapaguesve dhe pjesën dërmuese të tyre e përdori për të ngritur shkolla, kisha dhe spitale në zonën e tij të Medelinit, gjë që bëri ta adhurojnë më tepër ndjekësit e tij dhe të nisnin ta simpatizonin edhe dyshuesit. Sepse në fund të fundit, nuk ka rëndësi(thoshin) se kush është, kur po ndërton kaq shumë për popullin. “E bëri Medelinin si Majami!”, “Cuditen të huajt kur na vizitojnë!”, “Medelin, parajsa ku dua të jetoj!”, “Shiko Medelinin dhe nuk ke si të mos qëndrosh për një bandeja paisa me një petë!”, ishin shprehjet që dëgjoje pijetoreve të Medelinit nga adhuruesit, dyshuesit dhe të kthyerit. Të gjithë i kishte kapur “sindromi” i Eskobarit, pasi kishte më pak rradhë në urgjencat e spitaleve, më pak fëmijë që nuk kishin bango dhe besimtarët nuk luteshin më nëpër kisha, të cilave ju pikonte çatia. Kur Eskobari vinte në qytetin e tij, i mbrojtur nga shoqërues të paguar nga shteti dhe nga plot trupmbrojtës së “perandorisë së tij”, rrugëve dëgjoheshin thirrjet entusiaste “Pablitooo!!”, “Don Pablo!!”, “Viva Eskobar!”, “Te kiero Pablo mi korason!!”. Tufa të tëra me “muçaçita”, lënesha, virgjëresha, të përdalme, të pandalme, të padjallëzuara, finoke, në ekstazë, vallzonin para pas dhe anash shpurës që shoqëronte Perandorin e Kokainës. Në këngët që i kushtoheshin, më e famshmja ishte ajo me vargjet “Eskobar o djalë i ri/Gjurmë le në histori/sa të shkojnë ato mustaqe/Solle dritë, ndërtime, paqe.”(Përkthimi mund të ketë edhe të meta, për shkak të njohjes sime të cekët të spanjishtes dhe mungesës së dëshirës të Plasarit për të përkthyer këngën në fjalë.)
Njerëzit ishin më shumë të gëzuar se të sëmurë, ndërsa Pabloja ishte më shumë në llogaritje se sa në delir.
E keqja është se gjendje të tilla shpirtëroro- mendore nuk mund të zgjasin gjithë jetën, sepse idhujt e rremë, ose përfundojnë në burg, ose i vrasin , ose borxhi i madh shtetëror bën që vendi të kalojë në krizë të thellë.
Pabliton e vranë. (Amerikanët dhe Lobi Peruan e bënë, sepse jo vetëm Perusë qe ja kaloi Medelini, por do ja kalonte edhe Amerikës- thanë të gjithë ata që vuanin nga sindromi i Eskobarit).
Në Kolumbi ka ende shumë të sëmurë me ‘sindromin” e Eskobarit.
Tani edhe në Rusi.
Do Zoti dhe e mban larg këtë sëmundje nga vendi jonë i dashur!





Friday, 4 November 2016

Ku fshihesh ti, njeriu i ndershem?



“I nderuari” Filan, nuk është e njëjtë me “I nderçmi” Fistëk dhe asnjëherë nuk ka qënë e tillë edhe kur përdorej në letërkëmbimet e shumë dhjetëvjeçarëve më parë. I nderuar- është ai, të cilit i bëhen nderime, ndërs “I nderçmi”, është ai, të cilit nderimet i bëhen rrallë.
Në mediat e sotme, qofshin profesionale apo jo, cilësorët “I nderuar” dhe “I ndershëm” përdoren më rrallë. (Fjalën e kam për mediat shqip.)
Në një debat, ku përmendej një biznesmen. i njohur për të shkuarën e tij kriminale, një mbrojtës i tij e quante “njeri të nderuar”. Dhe vërtet është i tillë. Ka mbi 20 vjet, që nderohet thuajse kudo që shkon. Në festa, bankete zyrtare, ceremoni familjare, koncerte, panaire librash, p[rurime nd[rtimesh etj, etj. Rri në tavolina me ministra dhe kryeministra. E ka për turp ta quajë veten “të ndershëm”, sepse të qënit të tilë, ka humbur vlerën në Shqipëri.
Me “biznesmenin e nderuar”, pi kafe edhe një pedagogu im. Shumë vite më parë, më tregonte se si ishte prishur me një mikun e tij. Miku i kishte kërkuar të ndërhynte tek e shoqja, për të kaluar një student dhe pasi pedagogu im kishte refuzuar, tjetri nuk i kishte folur më.
Ndershmëria e tij(dhe shumë të tjerëve) nuk e kaloi dot sprovën e ndrrimit të sistemeve. Tani hesht, mbyll sytë dhe veshët, pi kafe me të “nderuarit” dhe punon duke u justifikuar me veten “tregu nuk pyet se nga dhe si vjen puna”.
Në aradhën e të “nderuarve” hyn edhe një i njohuri im, i cili ka punuar rrallë gjatë 25 viteve të fundit. Ose ka lënë përshtypjen, që nuk ka punuar, se profesioni i tij është i pakonfirmuar ligjërisht nga Ministria e Punës. Eshtë sekser. Ka punuar për disa ofiqarë si i tillë. Nuk shtë aq e lehtë sa mendohet, se veç preokupimit, bythëlëpirjes, takimeve në kafene, ky profesion ka brenda edhe frikën se mund të zëvendësohesh nga një sekser tjetër më i shkathët, ose ofiqari të marrë të tatëpjetën, ose më keq akoma të përfundosh në një grackë me kamera të fshehtë, që do të të detyrojë të paguash gjithë ato që ke nxjerrë në disa sekserë të tjerë policësh, prokurorësh dhe gjykatësish. E megjithatë, për sa kohë njihesh si sekseri i ofiqarit, “kudo të hapen dyert”.
Në kafenetë ku hyj, për të kërkuar njeriun e ndershëm, shikoj “të nderuarit” bashkë me pedagogun tim, “njeriun të cilit i hapen gjithë dyert”, një poetuc , që thurr vargje për të nderuarit, që lenë gjurmë në histori, një aktore dështake, që reciton vargjet që thurr poetuci për të nderuarit, që lenë gjurmë në histori, një madamë e shkuar në moshë, që ndjek të gjitha mbrëmjet poetike, ku recitohen vargjet për të nderuarit, që lenë gjurmë në histori dhe një shakator, që nuk paguan kurrë ato që pi. 
Atë, njeriun e ndershëm nuk e gjej.
Nuk është se ai ka mbetur aq i varfër sa të mos paguajë dot një kafe. E di që punon diku edhe pse nuk pranon të punojë për ‘të nderuarit”. E di edhe që është një mjeshtër i mirë pothuajse perfeksionist. Punon pa u nxituar dhe pa lakmuar. Ka një celular, por pak njerëz e dinë numurin e tij. Nuk ecën rrugëve kryesore dhe shpesh është i vetëm, i menduar, duke thithur llullën e tij, që e bën të duket më tepër jashtë kohe.
E kërkoj kudo me sy(jo aq shumë për tu çmallur, se sa për të më meremetuar diçka), njeriun e nderçim, të cilin shumë pak e njohin.
Diku është, fshehur zhurrmës dhe turmës larushane, që zdërhallet kafeneve dhe nderon “të pandershmit”.


Wednesday, 2 November 2016

Trampi dhe Rama


Qarkullon në rrethet e politikës shqiptare(sidomos në nivelet që nuk kanë idenë e politikës amerikane), që në rast se Tramp fiton zgjedhjet e 8 nëntorit, ditët e Ramës në krye të vendit do jenë të numëruara. Për këtë, kanë ndikuar edhe deklaratat e kësaj vere të Ramës në Tiranë dhe Amerikë. Rama u përbetua se ishte një anti-Tramp i klasit të parë dhe se do ishte fatkeqsi, që të mos votohej për Hillërin në nëntor.
Po a është Rama një simpatizant i Klintonit dhe përbuzës i Tramp?
Jo vetëm dyshoj, por e kam gati bindje që thellë thellë Rama dëshëron fitoren e Tramp.
Janë një sërë politikanësh të lartë në vendet e Europës Lindore, të cilët kanë simpati të fshehura për Putin, Erdogan dhe bjellorusin Lukashenko. Edhe pse duhet të hedhin këmbët sipas “avazit” demokratiko-liberal të Europës së Bashkuar, të gjithë ëndërrojnë pushtetin e pakufi të Putin. Pushtet, që shoqërohet me një rritje maksimale të pasurisë së tyre personale dhe të klanit, që kanë rrotull. Të njëjtin adhurim, disa prej tyre e kanë shprehur hapur ndaj Berluskonit, që edhe pse nuk është Putin, ka shumë ngjashmëri me “The Donald”.
Të njëjtat karakteristika si të Silvios(plus arrogancën) ka dëshmuar Tramp në kohën e hyrjes së tij në politikë.
Rama, si natyrë , është i afërt me Tramp. Egocentrik, i papërmbajtur, arrogant, maskilist, delirant, gojështhurrur, Ramën nga Tramp e ndan vetëm mosuksesi personal në biznes apo në profesion, por këtë e balancon me suksesin në politikë.
Po përse atëhere, Rama doli hapur kundër Trampit, gjë kjo jo e zakonshme për kreun e një qeverie të huaj?
Rama nuk e bën këtë se është amator në politikë, apo se nxitohet. Eshtë më djallëzor dhe dinak se sa duket.
Qëllimi i parë është të bjerë në sy të Merkelit dhe Holland, për të cilët është i sigurt,që duan fitoren e Klintonit.
Gjithashtu, për brenda vendit i duhet një marëdhënie sa më e mirë me ambasadorin Lu, i cili vjen nga Partia Demokratike.
Së treti, në rastin e fitores së Klintonit, ai mendon të përfitojë maksimalisht nga mbështetja e hapur e dhënë në fushatë.
Po a mbart kjo rrezikun e një armiqësimi të pandreqshëm me Tramp dhe fillimin e një dështimi të karrierës së tij politike?
Rama është i ndërgjegjshëm, që me politikanë si Tramp, nuk është e zorshme t’i rrregullosh marëdhëniet edhe në rast se njerëzve të tij nuk ju kanë shpëtuar deklaratat e kësaj vere të Ramës. Ai i beson diplomacisë së tij të “batutave”, “peshqesheve” dhe “koncesioneve”. Me politikanët autokratë, këto funksionojnë për bukuri. Kështu që, me përfshirjen e tij në politikën amerikane, Rama del i fituar në ç’farëdo rezultati të zgjedhjeve. Me Tramp ndoshta mës humë se sa me Klinton.
Ndaj kot gëzohen ose dëshpërohen në Shqipëri për fatin e Ramës pas zgjedhjeve presidenciale amerikane. Nuk ka rëndësi në fiton e Majta apo e Djathta.
Rama ka dhe do të ketë mbështetje.
Deri sa ta derdhë kupën.

Fjala e Blushit ne lindjen e LIBRA-s



Dëgjova pak nga fjala e Blushit në ditën e krijimit të LIBRA-s.
Më frikësoi.
Jo se ishte një fjalë, që ngjallte frikë, (si mund të jenë fjalimet e nacionalistëve apo ekstremistëve të tjerë)por ishte në vazhdën e fjalëve të tij të gjata, në foltoren e parlamentit. Fjala, të kujtonte monologjet e Celentanos në spektaklet e tij “Rockpolitik”, me antonimet “rock” dhe “lento”. Tek Blushi ishin të njëjtat moralizime- me “e drejtë“ dhe e padrejtë“.
Sigurisht, që është e drejta e Blusit të komunikojë me ndjekësit e tij dhe me elektoratin, si Blush, me shumë fjalë dhe figura. Po, a është kjo, gjuha që duan të dëgjojnë shqiptarët, për të pasur shpresë në vetja e tyre dhe në e ardhmja?
Unë nuk di se si do e pëlqente shumica e atyre, që interesohen për fjalët dhe veprat e Blushit, por mendoj, që njerëzit e shkolluar, të lirë dhe të barabartë duan të dëgjojnë diçka tjetër.
Fillon me një pastrim të ndërgjegjes duke thënë, që e njoh nga brenda, se si është bërë politikë deri tani dhe pranoj përgjegjësitë e mija, qofshin edhe jo të mëdha.
Vazhdon me spjegimin se ç’duhet bërë ndryshe nga sa është bërë.
Shkallëzohet me ngjalljen e besimit se është diçka që mund të bëhet.
Mbyllet me ide të qarta se si do të bëhet.
Këtë duan të dëgjojnë shqiptarët, që duan të ndryshojnë mënyrën se si bëhet politikë.
Shkurt, qartë, me frymëzim.
Ndoshta nuk duhet pritur nga Ben Blushi, të shkëputet plotësisht nga “kultura shqiptare” e politikës, me fraza të përgjithshme, shpesh të mjegullta, që tingëllojnë interesante por shpesh janë pa bukë.
Në fjalën e tij të parë si Udhëheqës, Blushi mu duk moralist. Nëse vazhdon kështu nuk do bëhet dot kurrë lider. 
Për më tepër, nuk e ka moralin e papërlyer.


Monday, 31 October 2016

Pse Blushi mund te jete ne Qender.



Blushi ja ka dalë të jetë në qendër të vëmendjes me daljen nga PS dhe me përpjekjet për krijimin e një partie të re shqiptare. Ide rreth të adhmes së partisë të tij, kanë hedhur analistë seriozë, si Lubonja, Lela, Nano e ndonjë tjetër. Nuk di se sa ndikohet Blushi nga idetë e analistëve, (ka një lloj prirje të tij për të dëgjuar veten, gjë jo shumë e mirë për një politikan), por duket se ai I befasoi më të shumtët. me njoftimin se Partia e tij do jetë parti e Qendrës. Gjatë demaskimeve, që ai i bënte Rilindjes në këto dy vjet, i mëshohej idesë se grupi drejtues kishte tradhëtuar elektoratin e majtë dhe sidomos shtresat më të pambrojtura të tij. Dukej që Blushi do përpiqej të ngjasonte me Cipras dhe lëvizja e re. që mund të krijonte dhe udhëhiqte, do ishte e një ideologjie të majtë. 
Por  a ka devijuar Blushi nga idetë e tij politike të shumë viteve më parë, apo edhe të viteve të fundit?
Historikisht, ai nuk i ka përkitur së Majtës. Në rast se Berisha nuk do ishte ky që është(autokrat në pakufi), Ben Blushi i “Rilindjes Demokratike”, sot do ishte një nga figurat kryesore të PD-së. Rrjeshtimi i tij në frontin anti-PD të para 1997-ës ishte anti-Berishë dhe jo kundër së djathtës. edhe gjatë viteve të pushtetit të së Majtës, ai ka qënë në qëndrimet e tij më pranë Qendrës.
Në rikthimin e PS-së në pushtet, kritikat e tij ndaj Ramës dhe Rilindjes ishin më tepër për mosmbajtje premtimesh, mungesë koherence dhe mbytje të demokracisë brenda partisë. Nëse me të drejtë, ai kritikonte braktisjen e të varfërve, masat e ashpra ndaj mospaguesve të faturave të elektrikut apo ndaj atyre që riparonin shtëpitë pa leje, koncesionet, rritjen e borxhit publik, këto ishin kritika me karakter të ndryshëm ideologjik, se vinin edhe nga e Majta por dhe nga e Djathta, për të treguar se vendi po qeverisej keq.
A ka në ShqipërI, të Majtë , të Djathtë, Qendër dhe populistë?
Në vend ka dy Parti të mëdha,të cilat e quajnë veten të majta, ka një parti të madhe që vetëquhet e djathtë dhe shumë partiçka të tjera që i përkasin të Majtës së Djathtës dhe Qendrës. Partitë që alternohen në pushtet, kur qeverisin kanë profile jo të qarta. PD-ja ka bërë ligje dhe ka ndjekur edhe politika të majta dhe e kundërta mund të thuhet për PS-në. LSI-ja poi het që ka qeveriur me të dy krahët dhe megjithatë kjo nuk e ve në Qendrën e spektrit politik, se flirton më shumë se të tjerat me “mbeturinat” e Diktaturës. Ndaj pa frikë, “lojtarët” kryesorë në politikën shqiptare mund t’i quash edhe të Qendrës edhe populistë. Ata pretendojnë se punojnë për interesat e gjithë polpullit shqiptar, karakteristikë kjo e pastër e populizmit. Ndaj me të drejtë analisti Lela vëren se në këtë Qendër të ngjeshur, nu ka vend për “Listën” Blushi-Hafizi.
Mendimi im është, që nëse dy deputetët e posalarguar nga PS-ja do arrijnë të krijojnë një formacion politik me një jetë të brendshme demokratike, me një program reformator, nuk ka pse të druhen nëse mund të gjejnë apo jo njerëz, të cilët do I ndjekin dhe do i votojnë pas 7 muajsh dhe më shumë pas 5 vjetësh.
Ajo, e cila i mungon më shumë politikës shqiptare, është një grupim politik, që funksionon demokratikisht, hapur dhe me koherencë. Tek një lëvizje e re e Qendrës mund ta ndjejnë veten të përfaqësuar shtresa e mesme e popullsisë, studentët, pronarët e vegjël, punonjësit shtetërorë, fermerët e shumë të tjerë. Atë do e mbështesin të gjithë ata , që kanë kuptuar se diçka shkon shumë shumë keq në politikën shqiptare.
A ka Blushi karakteristikat e një politikani, që mund të udhëheqë një lëvizje të fuqishme?
Duke kundërshtuar atë që thotë ish-shoku i tij Rama, Blushi ka bërë jo pak, në 20 vitet e tij në politikë. 
E para është, që ai është ndjerë si politikan kryesor edhe pa patur poste zëvendës kryeministri, ministri të jashtëm apo të brendshëm, në ndyshim nga rreth 20 të tjerë, të tre partive kryesore, që kanë mbajtur poste të larta që prej vitit 1997.
Së dyti, në shkrimet dhe fjalët e tij, Blushi ka dëshmuar se e njeh politikën si disiplinë, më mirë se gjithë politikanët e tjerë.
Së treti, edhe nëse ai ka mangësi në krijimin e kontakteve të drejtpërdrejta me njerëzit, Blushi është shkrimtari, veprat e të cilit blihen më shumë , gjë që e bën të komunikojë me një numur të madh njerëzish dhe pasuesish.
Së katërti. edhe në raportet me të huajt, ai nuk është mes politikanëve që injorohen.
A do jetë në gjendje të ngrejë një tufan në politikën shqiptare apo do bëjë vetëm një furtunë në gotën e Qendrës?
Këtë e di vetëm Koha( jo ajo e Nikollë Lesit).