Friday, 4 November 2016

Ku fshihesh ti, njeriu i ndershem?



“I nderuari” Filan, nuk është e njëjtë me “I nderçmi” Fistëk dhe asnjëherë nuk ka qënë e tillë edhe kur përdorej në letërkëmbimet e shumë dhjetëvjeçarëve më parë. I nderuar- është ai, të cilit i bëhen nderime, ndërs “I nderçmi”, është ai, të cilit nderimet i bëhen rrallë.
Në mediat e sotme, qofshin profesionale apo jo, cilësorët “I nderuar” dhe “I ndershëm” përdoren më rrallë. (Fjalën e kam për mediat shqip.)
Në një debat, ku përmendej një biznesmen. i njohur për të shkuarën e tij kriminale, një mbrojtës i tij e quante “njeri të nderuar”. Dhe vërtet është i tillë. Ka mbi 20 vjet, që nderohet thuajse kudo që shkon. Në festa, bankete zyrtare, ceremoni familjare, koncerte, panaire librash, p[rurime nd[rtimesh etj, etj. Rri në tavolina me ministra dhe kryeministra. E ka për turp ta quajë veten “të ndershëm”, sepse të qënit të tilë, ka humbur vlerën në Shqipëri.
Me “biznesmenin e nderuar”, pi kafe edhe një pedagogu im. Shumë vite më parë, më tregonte se si ishte prishur me një mikun e tij. Miku i kishte kërkuar të ndërhynte tek e shoqja, për të kaluar një student dhe pasi pedagogu im kishte refuzuar, tjetri nuk i kishte folur më.
Ndershmëria e tij(dhe shumë të tjerëve) nuk e kaloi dot sprovën e ndrrimit të sistemeve. Tani hesht, mbyll sytë dhe veshët, pi kafe me të “nderuarit” dhe punon duke u justifikuar me veten “tregu nuk pyet se nga dhe si vjen puna”.
Në aradhën e të “nderuarve” hyn edhe një i njohuri im, i cili ka punuar rrallë gjatë 25 viteve të fundit. Ose ka lënë përshtypjen, që nuk ka punuar, se profesioni i tij është i pakonfirmuar ligjërisht nga Ministria e Punës. Eshtë sekser. Ka punuar për disa ofiqarë si i tillë. Nuk shtë aq e lehtë sa mendohet, se veç preokupimit, bythëlëpirjes, takimeve në kafene, ky profesion ka brenda edhe frikën se mund të zëvendësohesh nga një sekser tjetër më i shkathët, ose ofiqari të marrë të tatëpjetën, ose më keq akoma të përfundosh në një grackë me kamera të fshehtë, që do të të detyrojë të paguash gjithë ato që ke nxjerrë në disa sekserë të tjerë policësh, prokurorësh dhe gjykatësish. E megjithatë, për sa kohë njihesh si sekseri i ofiqarit, “kudo të hapen dyert”.
Në kafenetë ku hyj, për të kërkuar njeriun e ndershëm, shikoj “të nderuarit” bashkë me pedagogun tim, “njeriun të cilit i hapen gjithë dyert”, një poetuc , që thurr vargje për të nderuarit, që lenë gjurmë në histori, një aktore dështake, që reciton vargjet që thurr poetuci për të nderuarit, që lenë gjurmë në histori, një madamë e shkuar në moshë, që ndjek të gjitha mbrëmjet poetike, ku recitohen vargjet për të nderuarit, që lenë gjurmë në histori dhe një shakator, që nuk paguan kurrë ato që pi. 
Atë, njeriun e ndershëm nuk e gjej.
Nuk është se ai ka mbetur aq i varfër sa të mos paguajë dot një kafe. E di që punon diku edhe pse nuk pranon të punojë për ‘të nderuarit”. E di edhe që është një mjeshtër i mirë pothuajse perfeksionist. Punon pa u nxituar dhe pa lakmuar. Ka një celular, por pak njerëz e dinë numurin e tij. Nuk ecën rrugëve kryesore dhe shpesh është i vetëm, i menduar, duke thithur llullën e tij, që e bën të duket më tepër jashtë kohe.
E kërkoj kudo me sy(jo aq shumë për tu çmallur, se sa për të më meremetuar diçka), njeriun e nderçim, të cilin shumë pak e njohin.
Diku është, fshehur zhurrmës dhe turmës larushane, që zdërhallet kafeneve dhe nderon “të pandershmit”.


No comments:

Post a Comment