Nuk di nëse ka vërtet një sindrom të tillë, po meqë emocionet e zgjatura, veset, pasionet e tepruara, brengosjet disaditore dhe shumë gjendje të tjera emocionale të njerëzve po trajtohen gjithnjë e më shumë si probleme të shëndetit mendor, ka mundësi të ketë edhe një Sindrom të Eskobarit.
Pablo Eskobar, njihet tashmë si më i famshmi dhe më i suksesshmi narkotrafikant. për paratë e fituara dhe rrjetin gjigand dhe efikas. (El Chapo dhe të tjerë sot nuk mund të afrohen në madhësinë e Perandorisë të kokainës të Eskobarit.)
Ishte një burrë shumë i pashëm, me flokë të zeza të errëta dhe i sjellshëm. Gëzonte popullaritet në krahinën e tij dhe ishte zgjedhur deputet në Parlamentin Kolumbian. Njerëzit e deshin dhe ende sot ka shumë syresh, që e kujtojnë të malluar. Gratë linin kokën për të.
Këtu ze fill ideja e “sindromit” të Eskobarit, i cili, ndryshe nga çrregullimet e tjera mendore, të cilat janë kryesisht individuale, kap grupe të tëra të popullsisë.
Kur ishte në politikë Pablo komandonte një fond jo të pakët parash të taksapaguesve dhe pjesën dërmuese të tyre e përdori për të ngritur shkolla, kisha dhe spitale në zonën e tij të Medelinit, gjë që bëri ta adhurojnë më tepër ndjekësit e tij dhe të nisnin ta simpatizonin edhe dyshuesit. Sepse në fund të fundit, nuk ka rëndësi(thoshin) se kush është, kur po ndërton kaq shumë për popullin. “E bëri Medelinin si Majami!”, “Cuditen të huajt kur na vizitojnë!”, “Medelin, parajsa ku dua të jetoj!”, “Shiko Medelinin dhe nuk ke si të mos qëndrosh për një bandeja paisa me një petë!”, ishin shprehjet që dëgjoje pijetoreve të Medelinit nga adhuruesit, dyshuesit dhe të kthyerit. Të gjithë i kishte kapur “sindromi” i Eskobarit, pasi kishte më pak rradhë në urgjencat e spitaleve, më pak fëmijë që nuk kishin bango dhe besimtarët nuk luteshin më nëpër kisha, të cilave ju pikonte çatia. Kur Eskobari vinte në qytetin e tij, i mbrojtur nga shoqërues të paguar nga shteti dhe nga plot trupmbrojtës së “perandorisë së tij”, rrugëve dëgjoheshin thirrjet entusiaste “Pablitooo!!”, “Don Pablo!!”, “Viva Eskobar!”, “Te kiero Pablo mi korason!!”. Tufa të tëra me “muçaçita”, lënesha, virgjëresha, të përdalme, të pandalme, të padjallëzuara, finoke, në ekstazë, vallzonin para pas dhe anash shpurës që shoqëronte Perandorin e Kokainës. Në këngët që i kushtoheshin, më e famshmja ishte ajo me vargjet “Eskobar o djalë i ri/Gjurmë le në histori/sa të shkojnë ato mustaqe/Solle dritë, ndërtime, paqe.”(Përkthimi mund të ketë edhe të meta, për shkak të njohjes sime të cekët të spanjishtes dhe mungesës së dëshirës të Plasarit për të përkthyer këngën në fjalë.)
Njerëzit ishin më shumë të gëzuar se të sëmurë, ndërsa Pabloja ishte më shumë në llogaritje se sa në delir.
E keqja është se gjendje të tilla shpirtëroro- mendore nuk mund të zgjasin gjithë jetën, sepse idhujt e rremë, ose përfundojnë në burg, ose i vrasin , ose borxhi i madh shtetëror bën që vendi të kalojë në krizë të thellë.
Pabliton e vranë. (Amerikanët dhe Lobi Peruan e bënë, sepse jo vetëm Perusë qe ja kaloi Medelini, por do ja kalonte edhe Amerikës- thanë të gjithë ata që vuanin nga sindromi i Eskobarit).
Në Kolumbi ka ende shumë të sëmurë me ‘sindromin” e Eskobarit.
Tani edhe në Rusi.
Do Zoti dhe e mban larg këtë sëmundje nga vendi jonë i dashur!
No comments:
Post a Comment