Sunday, 30 August 2015

Fundvere

Befas ngjyrat nuk janë më të tilla.
Verë
Pa të blertë,
Pa bardhezinë e dimrit
Apo të tymit gri.
Ec në ajrin që më ka rrëshqitur poshtë këmbëve,
Nxitoj
Edhe pse nuk lagem
Nën të furrishmin shi.
Sa dua të jetë makth,
Por pickimin ndjej edhe pse asgjë më tepër.
Rrëshqas thellë ndjenjës sime,
Që për çudi

Nuk bëhet as e vjetër.

Friday, 10 July 2015

Business as usual

Përkthimi më i afërt i kësaj shprehje më ngjan se është “Leskovik e tatëpjetë, si ka qënë do të jetë“. Leskoviku vetë është në gropë ndaj shprehja më shumë duhet të ketë të bëjë me onat në jug të tij, se sa me vende më të ulëta. Rastësisht, vendet në jug të Leskovikut janë trevat e përjera shqiptaro-greke dhe në këtë verë mundonjëse për Greqinë, pas shpresave të ardhjes të Ciprasit në shkurt, duket se i shkon situatës së sotme të Greqisë. Shteti modern grek, në 190 vite të ekzistencës së tij, 90 i ka vite krize të njohura nga specialistët vendas dhe të huaj. Tani duket , që ka hyrë në kriën më të thellë dhe më e çuditshmja është se kjo po i ndodh në kohën që është pjesë e familjes së madhe europiane, bile të elitës së saj të Eurozonës.
Pa përjashtuar të gjithë klasën politike greke, që është shkaktarja kryesore e krizës, duhet thënë se aktorët e tjerë kryesorë (kryesisht Gjermania) nuk pranojnë asgjë rreth politikave të dështuara ekonomike të masave shtrënguese. Për më tepër, Cipras po detyrohet të pranojë një paketë masash më të disfavorshme, se atë që paraqiti në Referendum ndaj popullit të tij , të cilit i kërkoi të votonte JO.
Eshtë edhe Cipras i racës së politikanëve, që synimin kryesorë kanë të qëndrojnë në pushtet?
A mendon se është në të mirën e Greqisë të bëjë një hap të madh pas, që mos ja lerë pushtetin Samaras apo Bakojanis e kompani?
A mendon vërtet ende se mund të ndryshojë Greqinë dhe Europën?
Të gjitha këto mbeten për tu parë në muajt , që do vijojnë, porn jë gjë është e sigurt për momentin, se e gjithë reizstenca greke( e përkrahur edhe nga lëvizjet e tjera të ngjashme europiane) dështuan për këtë vit. Momenti është në favor të burokratëve të fuqishëm dhe të korporatave.
Asnjë ndryshim!
Peshku i madh jo vetëm do vahdojë ta hajë të voglin, por po e mëson tjetrin edhe që me vullnet dhe gëzim të shtirur të futet në gojën e të madhit.
Ditë të mira për ata që i kanë parë hairin politikës duke luajtur sipas interesave të më të mëdhenjve dhe duke mbushur njëkohësisht edhe xhepat e tyre.

Ditë të errëta për idealistët.

Wednesday, 8 July 2015

Histori dashuri (Indila)

Edhe pse nuk ka forcen e Brel-it, ka dicka nga ritmi dhe dhimbja e tij ne kete kenge te Indila-s
Pol Mekartni ka te drejte kur thote "Kenget me te bukura per dashurine , jane te trishtat".

Një shpirt  përhumbur
Edhe fjalët i ka humbur
Duke pritur të bukurën
Para një fotoje që është zhubrur.
Nuk është i metë,
Beson tek ajo vetëm,
Atë shikon kudo
E pretë se aq shumë e do
Me një lule në dorë
Vetëm atë prêt, asgjë tjetër
Veç saj çdo gjë i duket pa jetë.
Ajri ndjehet i rëndë
Me fytyrën pa shprehje
Asaj i flet, por flet me vete.
Nuk është i metë,
Thjesht atë do vetëm
E sheh kudo të jetë
Dhe rri e prêt më këmbë,
Me një lule në dorë
Dhe për kurgjë s’mendon.

Në dashurinë e tij
Në dashurinë e tij,
Në historinë e tij
Dashurinë e tij.

Dorën më kap
Më thuaj që nuk do ikësh larg.
Më shtrëngo fort
Edhe pak të ëndërroj.
Sa dua të rri tek ti
Po nuk di më të bëj dashuri.
Kam qënë vërtet e metë
Po mos më lerë vetë
Në pendimin e tmerrshëm
Që mbajnë këto netë.
Do pasurohem një ditë
Dhe të ti jap gjithë florinjtë
Dhe po mos i duash
Do të pres në një liman të humbur
Dhe sytë mos më hedhësh
Të fundit frymë do të jap në buzë


Brenda times dashuri
Në timen dashuri
Në timen histori,
Timen dashuri

Një qiri
Për të ndritur errësirën
Një buzëqeshje
Që mund të ngrerë mbretëri
Ja ku je ti
Ja ku jam vetë,
Dhe le mos besojnë  të tjerët,
Se edhe një të metë dashuria e bën mbret
Po edhe të më harrosh ti,
Do vij përsëri e përsëri

Në tonën dashuri,
Në këtë dashuri
Në këtë histori jete,
Tonën dashuri.

























Monday, 29 June 2015

Syriza nuk u korruptua

Në një shënim të shkurtit të këtij viti, të titulluar “Kur do korruptohet Siriza?”, shkruaja rreth mundësisë të “korruptimit” të udhëheqjes së re politike greke. Nuk mendoja për një sjellje të tyre si të politikanëve shqiptarë apo të tjerë ballkanas, porn jë lloj ”korruptimi” nga pushteti i burokracisë së Brukselit dhe Berlinit, që mund të përkthehet “korruptim” nga korporatat. (Pak a shumë si majtisti i qendrës, ish demokristiani Mateo Renzi.)
Në një artikull të sotëm në “Guardian”, prof. Joseph Stiglitz(çmim Nobel në ekonomi)shkruan se “...nuk është fjala për paratë(e borxhit). Eshtë të përdorësh “afatet”për të gjunjëzuar Greqinë, që të pranojë ç’ka është e papranueshme- jo vetëm të pranojë masat shtrënguese, por edhe të tjera politika regressive dhe ndëshkuese.”
Mosnënshtrimi i Ciprasit dhe Varufaqisit, që e shpunë ofertën e fundit të kreditorëve për tu miratuar ose jo nga vetë populli grek, i tërboi Merkelin dhe udhëheqësit e tjerë europianë. Edhe pse e dinë, që moslëshimet e tyre do e fusnin gjithë Eurozonën në ujra të panjohura(sipas deklaratës së Draghit) përsëri vazhduan linjën e tyre të fortë, me shpresën e “korruëptimit” të udhëheqëve grekë dhe përuljen për të vazhduar biznes si zakonisht. Për fatin e mirë të të gjithë Europës(dhe jo vetëm të saj) nuk ja arritën. Pikërisht shpënia e diskutimeve në populli është ajo që nuk pëlqejnë të gjithë politikanët dhe burokratët. (Zbritja e diskutimeve dhe vendimeve kryesore në popull nuk është populizëm , por është A-ja e demokracisë. Psh Zvicra, një nga vendet më të përparuara dhe meë demokratikë në botë, praktikën e referendumeve e ka shumë të shpeshtë.)
Sigurisht, nuk duhet të besojmë me naivitet, se Syria dhe udhëheqësit e saj do jenë vazhdimisht të pakorruptueshëm. Janë ende në hapat e para të karrierës së tyre politike. Vite më pas do provohen se sa do I rezistojnë “magjisë të keqe” të pushtetit. Por sot për sot treguan se janë një lloj i ri politikanësh. Bile treguan edhe më tepër durim se sa duhej. 5 muajt e fundit kanë qënë torturues për Greqinë.
A do votojnë grekët JO?
Shumë economistë dhe politologë të huaj e këshillojnë këtë. Shto këtu edhe “kondrallëkun” dhe “delirin e madhështisë “ të ballkanasve, shumica e tyre do votojë JO.

Por edhe në ndodhtë e kundërta, Syriza tregoi se nuk u korruptua.

Tuesday, 16 June 2015

Fleta e bardhë

Fleta e bardhë është jo vetëm e pastër. Eshtë edhe e sigurt. Me plot vetbesim. Në të nuk është shkruar asnjë marrëzi.
Por marrëitë ekzistojnë pavarësisht se nuk janë në letër. Letra është si ato rrjetat që kapin fluturat. Nuk le të ikin marrëzitë, që fluturojnë në mendje.
Pra si do i kapte rrjeta e një shkrimtari, që në një të tretën e frazave ja fut kot(më mirë do ishte të shkruanja që dy në tre fraza i ka të mira), letra e bardhë është rrjeta bosh dhe nuk është qëllimi. Po edhe po të mos jetë mjeti është procesi. Nëse kapja është ideja atëhere flutura do jetë e kundërta e kukules. Dhe nëse luga nuk është supa atëhere garruzhdja s’ka si të ketë gjellë. Gjella nuk është ushqimi. Ushqimi është objektivisht nga gatimi. Gatimi thjesht e bën më të pranueshëm ushqimin. Ose më të përshtatshëm për ta marrë luga. Dhe luga nuk mund të jetë më e madhe se goja. Se gjuha koska s’ka po koska thyhen. Dhe koskat treten të fundit. Ose fosilizohen. Në rast të përmbysjeve të mëdha. Edhe të shpërthimeve vullkanore.

Fleta e bardhë ishte e paqme.

Pa miza pa kokë.

Saturday, 13 June 2015

Ters

Sot është e shtunë, 13 qershor. Sipas disa kulturave e popujve është nje ditë ters. Po të ishte e premte 13 do ishte trefishi, katërfishi më ters. (Përjashtohen këtu motoçiklistat tersë, që mblidhen në Port Dover për ta festuar).  Për kultura të tjera e popuj të tjerë. Që ekzistojnë ose janë zhdukur mund të ketë qënë kundërters ose me fat të mbarë. Eshtë thjesht një konvencion , që nuk është provuar dhe as ka për tu provuar kurrë. Se si ditët apo numurat mund të jenë fatndjellëse apo tersndjellëse nuk ka se si të spjegohet. (Ose ndoshta ndjell tersllëk po u spjegua.)
E megjithatë njerëzit janë supersticiozë. Ndoshta vetëm një përqindje e vogël mund të mos kenë asnjë lloj ndikimi nga numurat, sendet apo veprimet, që konsiderohen ters apo tersndjellëse. Duket dhe se sa më shumë itensitet të ketë veprimtaria e tyre, aq më supersticiozë janë ose bëhen. Shumë sportistë dhe artistë të suksesshëm edhe pse në më të zotët në fushat e tyre, ju kushtojnë rëndësi sendeve apo zakoneve më të rëndomta e më pa lidhje me ngjarjen, që po i prêt. Ka syresh , që mbathin të njëjtat brekë, ose nuk ndrrojnë çorapet, ose marrin me vete një lloj kukulle hajmali, dhe sa e sa gjëra të tjera, që duket se i takojnë një bote të perënduar. E megjithatë i bëjnë. Për të mos ju shkuar ters!
Shkaktohet kjo se rezultati i ngjarjes është shumë i rëndësishëm? Eshtë për të ulur disi trysninë e brendëshme, që do i ndihë për të qënë në formën më të mirë?
Sot është data 13 dhe asgjë nuk është ters. Më ka dalë dy herë rrota e makinës korrëse të barit ndërsa mundohesha të hiqja qafe barin e harlisur të lëndinave para dhe prapa shtëpisë, por kjo ishte për fajin tim, që nuk e kisha shtrënguar sa duhet, ose edhe për cilësinë jo të mirë të makinës. Në datën 13 nuk kujtoj as të kem ngelur në provim, as të kem pësuar aksident me makinë, as të kem gëlltitur ujë ndërsa notoja, as të kem humbur portofolin, as të më kenë ikur pëllumbat, as të më ketë filluar të pikojë çatia, as të më ketë mbetur valixheja në aeroport, as të më jetë djegur gjella, as të më kenë përjashtuar nga shkolla, as të më ketë ndaluar policia rrugore, as të më jetë thyer dora, as të më kenë pushuar nga puna, as të më jenë grisur pantallonat. Që të gjitha këto kanë ndodhur më datën 13 po aq sa kanë ndodhur në gjithë datat e tjera, pra me një shpeshëri në masën 3%  në muaj.
E megjitatë, ndjenja e të paspjegueshmes, e përjerë me dëshirën tonë për të spjeguar gjithshka, mund të shtyjë këshilltarin tim për çështjet mendore dhe shpirtërore(mentale dhe spirituale), të më thotë “Po ty ç’të duhet që shkruan për tersllëqet, apo do të ndjellësh ndonjë tersllëk?” Dhe në çast dhe unë mendohem dhe nuk dua të vihem para të Panjohurës së madhe, që na tremb me pafundësinë e saj. Na tremb edhe më shumë pamundësia jonë për ta kuëptuar.
Po a ekziston Tersi?

Po edhe nëse nuk ekziston e kanë shpikur. Duket se është dashur.

Thursday, 14 May 2015

Magjistaret

Nuk dimë
Se cfarë do gjejmë.
Magjistarë të fjalëve,
Që diçka të shtien në mendje
Dhe ti sheh me vëmendje,
Shkathësinë tinzare të buzëve
Që asgjë nuk thonë.
E detyrohesh të habitesh,
Se të gjithë habiten
Në atë rrëmujë gërmash e presjesh,
Të natës vonë,
Në një zezonë,
Ku drita nuk ndrit ,
Veç shkëndija kimike shalatanësh,
Ndrisin,
E ti pret të rritesh,
Mendërisht e të kuptosh,
Se ku ndodhesh
Dhe ata që më shumë dinë,
Ndoshta qiellin e ndrijnë,
Ndërsa koha hënën ndukën,
E më pas të gjesh,
Se në morinë e fjalëve dhe xixave,
Pranë nuk e ke.
Ta kanë marrë bukën.