Sot është e shtunë, 13 qershor. Sipas disa kulturave e
popujve është nje ditë ters. Po të ishte e premte 13 do ishte trefishi, katërfishi
më ters. (Përjashtohen këtu motoçiklistat tersë, që mblidhen në Port Dover për
ta festuar). Për kultura të tjera e
popuj të tjerë. Që ekzistojnë ose janë zhdukur mund të ketë qënë kundërters ose
me fat të mbarë. Eshtë thjesht një konvencion , që nuk është provuar dhe as ka
për tu provuar kurrë. Se si ditët apo numurat mund të jenë fatndjellëse apo
tersndjellëse nuk ka se si të spjegohet. (Ose ndoshta ndjell tersllëk po u
spjegua.)
E megjithatë njerëzit janë supersticiozë. Ndoshta vetëm një
përqindje e vogël mund të mos kenë asnjë lloj ndikimi nga numurat, sendet apo
veprimet, që konsiderohen ters apo tersndjellëse. Duket dhe se sa më shumë
itensitet të ketë veprimtaria e tyre, aq më supersticiozë janë ose bëhen. Shumë
sportistë dhe artistë të suksesshëm edhe pse në më të zotët në fushat e tyre,
ju kushtojnë rëndësi sendeve apo zakoneve më të rëndomta e më pa lidhje me
ngjarjen, që po i prêt. Ka syresh , që mbathin të njëjtat brekë, ose nuk
ndrrojnë çorapet, ose marrin me vete një lloj kukulle hajmali, dhe sa e sa gjëra
të tjera, që duket se i takojnë një bote të perënduar. E megjithatë i bëjnë. Për
të mos ju shkuar ters!
Shkaktohet kjo se rezultati i ngjarjes është shumë i rëndësishëm?
Eshtë për të ulur disi trysninë e brendëshme, që do i ndihë për të qënë në formën
më të mirë?
Sot është data 13 dhe asgjë nuk është ters. Më ka dalë dy
herë rrota e makinës korrëse të barit ndërsa mundohesha të hiqja qafe barin e
harlisur të lëndinave para dhe prapa shtëpisë, por kjo ishte për fajin tim, që
nuk e kisha shtrënguar sa duhet, ose edhe për cilësinë jo të mirë të makinës. Në
datën 13 nuk kujtoj as të kem ngelur në provim, as të kem pësuar aksident me
makinë, as të kem gëlltitur ujë ndërsa notoja, as të kem humbur portofolin, as
të më kenë ikur pëllumbat, as të më ketë filluar të pikojë çatia, as të më ketë
mbetur valixheja në aeroport, as të më jetë djegur gjella, as të më kenë përjashtuar
nga shkolla, as të më ketë ndaluar policia rrugore, as të më jetë thyer dora, as
të më kenë pushuar nga puna, as të më jenë grisur pantallonat. Që të gjitha këto
kanë ndodhur më datën 13 po aq sa kanë ndodhur në gjithë datat e tjera, pra me
një shpeshëri në masën 3% në muaj.
E megjitatë, ndjenja e të paspjegueshmes, e përjerë me dëshirën
tonë për të spjeguar gjithshka, mund të shtyjë këshilltarin tim për çështjet
mendore dhe shpirtërore(mentale dhe spirituale), të më thotë “Po ty ç’të duhet
që shkruan për tersllëqet, apo do të ndjellësh ndonjë tersllëk?” Dhe në çast
dhe unë mendohem dhe nuk dua të vihem para të Panjohurës së madhe, që na tremb
me pafundësinë e saj. Na tremb edhe më shumë pamundësia jonë për ta kuëptuar.
Po a ekziston Tersi?
Po edhe nëse nuk ekziston e kanë shpikur. Duket se është
dashur.
No comments:
Post a Comment