Tuesday, 8 October 2013

NE EMIGRANTET (n+1)

NE EMIGRANTET Më kujtohet dikush në Atdhe, "Ju emigrantët u bëtë njerëz!" Unë nuk i kundërshtova, jo pse më erdhi mirë, por se më dukej si e kotë t'i përgjigjesha, që jemi i njëjti brumë dhe cilësia e "furrës" nuk mund të sjellë ndryshime kaq të mëdha, sa nga "bagëti" të na kthejë në njerëz. Sigurisht që ndonjë gjë të re e kemi mësuar dhe ndonjë tarbiet të mirë e kemi marë, por mbetemi ata që kemi qënë, sidomos ata që kanë emigruar pasi kanë mbushur të tridhjetat. Në mjediset kolektive të emigrantëve shqiptarë gjen të njëjtën aromë "rakie", parfumesh të lira dhe bisedash "gozhdë-potkonjëse", si në kafenetë e qyteteve të Atdheut. Mbi të gjitha, veç krenarisë dhe patriotizmit, ne emigrantët rrezatojmë kompetencë. Dhe jemi në gjendje jo vetëm që fenomenet shqiptare t'i aplikojmë në dimensione superfuqish, por edhe të bëjmë analiza makro-shoqërore dhe gjeopolitike të kontinenteve ku jetojmë si dhe më gjerë. (Në postimet e këtij blogu ata që e ndjekin mund të gjejnë plot analiza të këtij karakteri të bëra nga emigranti Naum.) Psh një shofer labo-amerikan i linjës "Greyhound", një ditë më zbërtheu me detaje se si luftën në Irak e kishte nisur Bushi, Dik Ceni dhe Ramsfeld për të përfituar 600 miliard dollarë, të cilat i ndanë më tresh. (Mua nuk më bëri përshtypje se si mund të kishte një informacion kaq të brendshëm shoferi lab, por zemërgjerësia e Bushit që edhe pse president kishte marë pjesë të barabartë me dy vartësit e tij.) Dy vjet më parë, pasi kisha rreth 14 vjet që jetoja në Kanada, nga një grup korçarësh në Toronto mësova se ky vend sundohet nga çifutët. Kjo më tmerroi, se 80 vjet më parë, gjyshi në Stamboll kishte falimentuar, i mashtruar nga ortaku i tij çifut. Mendova që ky paska qënë fataliteti i Marave. Të mos ngrenë dot kokë ekonomikisht për shkak të zionistëve! Për të mësuar më shumë se ç'kishin në dorë çifutët dhe se si mund t'ju shmangesha i pyeta bashkëqytetarët, se në ç'fusha të jetës shtrihej ndikimi i çifutëve. "Në të tëra" më thanë. "Nuk i njeh çifutët ti?" Unë ca i njihja, se dentistin, doktorin dhe një bos i kisha pasur çifutë, por si duket ata më kishin mashtruar se nuk më ishin dukur shumë të këqinj. Por edhe këtë shqetësim ma fashiti një bisedë e mëvonshme me një korçaro-amerikan, i cili kishte mësuar për një zbulim të fundit, që banorët e fshatit Treskë të Korçës janë çifutë të ardhur nga Selaniku. Meqënëse mëma ime i ka të dy prindrit nga ky fshat dhe të qënit çifut varet nga mëmësia, unë mund të përfitoj statusin "jahudi" dhe t'i jap fund halleve. Thjesht do më duhet një rrethprerje. Se dy tre fjalë bazë i kam mësuar. Kishte të drejtë bashkëatdhetari që më tha dikur që Emigrimi të bën Njeri!

Friday, 4 October 2013

Josariani mbi spitalin dhe vdekjen.(Pjese e kap 17)

Josariani ja mbathi drejt e në spital, këtë rradhë i vendosur të rrinte më mirë tërë jetën aty se të bënte qoftë dhe një fluturim më shumë se ato tridhjetedy, që kishte plotësuar. Dhjetë ditë më vonë, kur ndroi mendje dhe doli, koloneli e kishte rritur numurin e fluturimeve në dyzetepesë, kështu që Josariani ja mbathi prapë për në spital, këtë rradhë i vendosur të mos bënte asnjë fluturim më shumë se ato gjashtë, që kishte bërë pas tridhjetedyve. Mund të shtrohej sa herë të donte për shkak të mëlçisë ose të syve; doktorët nuk ja gjenin dot se ç'kishte mëlçia dhe nuk e shihnin drejt në sy, kur ju theshte që i dhembte. Po qe se në pavionin e tij nuk kishte ndonjë të sëmurë rëndë, ai ishte birinxhi në spital. E kishte sistemin mendor të aftë për të përballur malarien dhe gripin tek tjetri pa i bërë syri tërr. Mund të kalonte operimin e bajameve të tjetrit pa pasur stresin e pasoperacionit, si dhe mund të kapërcente dhjamët e suadhet e të tjerëve me pak të përzjerë të rropullive. Por vetëm kaq mund të përballonte pa u sëmurur. Po të kishin probleme më të mëdha duhej të ikte nga sytë këmbët. Në spital mund të rrinte e të qetësohej se askush nuk priste ndonjë gjë prej tij. Ajo që pritej ishte të vdiste ose të bëhej më mirë dhe përderisa ai s'kishte gjë prej gjëje më e lehtë ishte të bëhej më mirë se sa të vdiste. Të rrije në spital ishte më mirë se të fluturoje mbi Bolonjë, ose mbi Avinjon me Haplin dhe Dobsin në kabinën e komandimit dhe Soudenin, që jepte shpirt në fund të avionit. Zakonisht në spital nuk kishte më shumë të sëmurë se sa Josariani kishte parë jashtë dhe shumë pak syresh ishin vërtet të sëmurë rëndë. Vdekshmëria brenda spitalit ishte shumë më e ulët se sa jashtë dhe për më tepër ishte një vdekshmëri cilësore. Shumë pak vdisnin pa qënë nevoja. Njerëzit që punonin aty dinin më shumë se si vdiset, kështu që për të bënin një punë të pastër. Vërtet Vdekjen nuk e vinin dot në zap edhe në spital, po e detyronin të sillej më mirë. I mësonin tarbiete më të mira. Jashtë spitalit nuk e linin dot, ama kur të hynte brenda duhej të sillej si zonjë. Njerëzit aty jepnin shpirt me delikatesë dhe plot nur. Nuk ngjiste aspak me atë shfaqjen e shëmtuar të të vdekurit jashtë spitalit. Askush nuk bëhej copë në ajër si Krafti apo si i vdekuri në çadrën e Josarianit dhe as nuk vdiste nga të ftohtit në mes të beharit, si Snoudeni pasi i kishte rrëfyer sekretin Josarianit në fund të avionit. - Kam ftohtë- dridhej Snoudeni-kam ftohtë. - Ja aty, aty- mundohej t'i jepte zemër Josariani- ja aty, aty. Brenda spitalit as nuk zhduken në mes të një reje si u zhduk Klevingeri. Nuk shpërthejnë si fishekzjarrë gjaku dhe indesh. Nuk mbyten në ujë apo goditen nga rrufeja, nuk japin shpirt të grirë nga makineritë apo të fundosur nga rrëshqitjet e tokës. Nuk pushkatohen në rradhë, nuk i mbytin pas përdhunimit, nuk ju çajnë barkun me thikë në bilardo apo t'i lakarosin me sëpatë njerëzit e shtëpisë. Qoftë edhe çdo lloj tjetër akti i mbylljes së jetës me bekimin e Perëndisë. Askujt nuk ja marrin shpirtin me ibret. Njerëzit vdesin si xhentëlmenë nga hemoragjia brenda sallës së operimit ose s'marrin më frymë pa bërë as çak me tubot e oksigjenit në hundë. S'ka në spital nga ato marifetet që ndodhin përditë jashtë "po unë sa e pashë- si vdiq" apo "tani jam e për një çast jam i ikur". Nuk ka vdekje nga uria apo përmbytjet. Fëmijët nuk vdesin nga të lidhurit shtrënguar në djep apo nga rrotat e makinave. Askënd nuk e vdesin në dru.

Thursday, 3 October 2013

Raqi vs Raqi

Raqi vs Raqi Nuk munda të rrija pa shkruar për këtë garë mes dy të njohurve të mij, për tu bërë qytetari i parë i qytetit tim. (Titulli më kujton një mesele të 30 viteve më parë, kur një baba që trembej se i biri mund të kthehej sarahosh, i tregonte të shoqes i shqetësuar "Eshtë Raqi me Raqin në kafene. Por kjo nuk ka lidhje me dy kandidatët tanë, të cilët i qëndrojnë larg alkolit.) Duhet të them që në fillim, që të dy kandidatët vijnë nga familje shumë të mira korçare, kanë qënë studentë shumë të mirë dhe kanë qënë prej fillimit antikomunistë. Kandidati Stratobërdha u përfshi shpejt në politikë dhe ishte deputet, që në legjislaturat e para ndërsa kandidati Filo, 10 vjet më i vogël ishte simpatizant i PD-së deri në fillimin e këtij shekulli, kur filloi të merte vende pune të rëndësishme nga PS-ja. Po pa hyrë në detajet e jetës dhe veprimtarive politike e profesionale të kandidatëve duhet shkruar se si duhet të jetë një Kryetar Bashkie i një qyteti të vogël të Ballkanit. Vizionar, administrator i mirë apo një njeri politik i lidhur me pushtetin qendror? Ndoshta është shumë e vështirë të gjendet një njeri që t'i ketë të trija këto cilësi ndaj mendoj që për këto dy vjet të mbetura nga kjo legjislaturë, Korçës i duhet një administrator i mirë, për të balancuar buxhetin dhe për të mos hyrë më thellë në borxhe. Edhe pse e kam quajtur disa herë "ligavec gollash" them që kandidati Filo i përmbush më mirë këto kushte. Jo se kandidati Stratobërdha ka më pak aftësi administrative, por nisur nga përvoja e 6 viteve të Filos dhe sidomos nga kundërvënia që mund t'i bëjë zv.kryeministri Stratobërdhës, them se për qytetin edhe në një periudhë afatshkurtër, por edhe afatmesme, më mirë është të ketë një kryetar bashkie të PS-së. Sa për cilësitë morale të Stratobërdhës, them se ato janë superiore po të krahasohen me kandidatin tjetër, i cili mbetet një burokrat i dyshimtë në hije, pra një "ligavec gollash" i vërtetë. Por edhe pastërtia e Stratobërdhës nuk mund të bëjë të ndryshojnë gjërat rrënjësisht, sepse edhe ai mbetet përfaqësues i një Partie tejet të korruptuar. (Në Qytetin e Nofkave, ku kanë jetuar të ndjerët Raqi Groshka, Raqi Gripi, Raqi Domuzi e shume të tjerë, kryetar këtë rradhe do zgjidhet Raqi Ligaveci Gollash.)

Sunday, 29 September 2013

Rremuje ne Mesdhe.

Lemshit te Sirise, Egjiptit, Libise, Palestines, Turqise dhe Qipros dje ju shtuan edhe “kotkat” e greqise dhe Italise.

Dje, ne Greqi u arrestuan udheheqesit e Partise neonaziste “Agimi I Arte“, ndersa ne Itali Berluskoni terhoqi ministrant e tij, gje qe do sjelle zgjedhje te parakohshme.

Te dy ngjarjet edhe pse nuk lidhen me njera tjetren, jane te lidhur me krizen ekonomike te zgjatur dhe me mungesen e stabilitetit ne vendet mesdhetare. Edhe pse duket si shenje e mire, goditja ndaj partise se ekstremit te djathte ne Greqi, rrezikon te kete efektin e kundert te asaj qe deshirojne autoret e goditjes(me mire t’I quajme Statukoistet). Politikanet e partise neo-naziste do marrin rolin e ‘te kulluarve”, qe goditen prej ‘te korruptuarve”- shkaktare te krizes se thelle greke. Kjo do sjelle rritjen e mungeses se stabilitetit politik ne Greqi, gje qe ndikon drejtperdrejt ne Ballkan(20% te sektorit bankar ne Ballkan mbulohet nga bankat greke).

Kriza politike italiane do rrise problemet ekonomike te italise dhe te gjithe rajonit, si edhe mund te sjelle nje rritje te levizjeve anti-europiane dhe anti-gjermane, gje qe mund te kete pasoja me te demshme se sa te dobishme per popujt europiane dhe sidomos ata ballkanike.

Djepi I qyteterimit boteror eshte ne ditet me te keqia te tij, qe prej perfundimit te Luftes se Dyte Boterore. Le te shpresojme se do kaloje shpejt.

 

Wednesday, 25 September 2013

E shkruar me 23 Gusht 2004

Titullohet "Ku je?" dhe nuk e kam lexuar qe me 2007. Kisha rreth dy jave qe isha kthyer nga Shqiperia dhe nuk isha aq"I dermuar" sa deshmojne vargjet. Me siguri, qe nuk e kam perfshire ne vellimin e vetem te botuar me 2007"Endem", per te mos tingelluar si nje thirrje qe i beja gruas(me te jam ndare me 2005). Poezia eshte ne natyren e disa te tjerave qe jane perfshire ne vellim dhe ngjan me pak me poezite e shkruara pas kesaj periudhe.

Ku je?

 

Ku je?

Tani që dua diçka të them,

Tani që mëri s’mbaj dot,

Tani që dua të pëshpëritësh ëmbël,

Tani që më vjen të hargalisemi kot.

 

Ti ike.

Pa dashur të kthesh kokën të shohësh kë le,

Pa lënë pas shpresën e kthimit një ditë,

Pa  puthur,

               Pa më prekur ballin,

                              Pa nënqeshjen e ngrohtë,

Pa varrosur ëndrrat,

               Pa nxitur mëritë.

 

Unë mbeta.

I akulluar prej tmerrit të ikjes pa kthim;

I murrëtyer prej pabesisë të braktisjes nën diell,

I turpëruar nga pafuqia për të fshehur plagën,

I qeshur nga llumi që mbi dashuritë vjell.

 

Kthehu!

Jo për mua,

               As për endrrat,

Aq më pak për mbrëmjet plot drithërim.

Kthehu të rigjesh vetvehten,

                              Frymëzimin,

                                             Këngët,

Ktheu të ringjallësh ç’ka le në harrim.

 

                                                                                                                        Kanada 23 Gusht 2004

 

 

Shfaqjet me arkitekte te majte , te djathte e te huaj.

Para 6-7 vjetesh, pasi kisha lexuar nje shkrim te dikujt te quajtur Artan Lame, te cilin kujtova se ishte arkitekt, ku sulmonte Ministrin e Puneve Publike dhe arkitektet e "djathte", i indinjuar, por edhe me njefare shprese shkrojta nje artikull, i cili u botua ne nje gazete shqiptare. Sot, ministri i atehershem eshte kryetar i bashkise se Tiranes, ish-kryetari po dihet qe eshte kryeminister dhe z.Lame, edhe se nuk u be minister i ndertimit do drejtoje ndonje zyre me rendesi qe lidhet me kete sector fitimprures. Pra ne rolet kryesore jane te njejtit aktore, ndersa ne role episodike mbeten arkitektet e majte, te djathte dhe ata te huaj. Qe prej asaj kohe "episodiksit" jane perdorur mire nga pushteti per te dhene shfaqje per te ngjallur shpresat e popullit per nje te ardhme me te mire,sepse arkitektuar e urbanistika kane nje efekt te dukshem e te prekshem nga te gjithe. Gjithashtu shfaqjet kane sherbyer per te mbuluar mire investimet private ose publike, nje pjese e te cilave perfundojne ne xhepat e aktoreve kryesore. Te njejtat shfaqje do vazhdojne (me me pak para per shkak te krizes)ne vitet e ardhme dhe titujt do jene nga me te ndryshmet.
Meqe artikulli qe permenda, nuk gjendet me ne internet, po e ve me poshte. Ne te fajin ja u kam hedhur "episodiksave".


Artan Lame dhe arkitektët e majtë dhe të djathtë

 
Pa njohur se kush është zoti Artan Lame dhe ç'sektor me rëndësi ka mbuluar në vitet e shkuara, si edhe pa njohur në hollësi debatin rreth studimit të Qendrës së Tiranës, po shkruaj disa rrjeshta rreth artikullit të tij botuar sot në "Gazetën Shqiptare".

Më ra në sy lëndimi i sedrës së tij profesionale, por edhe të nëpunësit, nga sulmi i ministrit të Punëve Publike ndaj planit të Qendrës së Tiranës. Sidomos i pamëshirshëm ishte Lame me arkitektët e fshehur, të cilët kanë mashtruar (ose i kanë thënë atë që dëshironte) ministrin. Por ajo që më bën të trishtohem nuk është as deklarata e ministrit, as tërbimi i zotit Lame dhe as fshehja e arkitektëve.

Eshtë moskërkimi i një pjese të madhe të përgjegjësisë tek vetja.

Të gjithë në Shqipëri (përfshi këtu arkitektët dhe urbanistët) flasin se çfarë ka ndodhur e po ndodh me ndërtimet në Tiranë dhe në qytetet e tjera gjatë viteve '90 të shekullit të kaluar dhe gjatë këtyre viteve të këtij shekulli. Shembujt e Epidemisë së kioskave, e shumëkatsheve që nuk përfillin distancat, e ndërtesave të shëmtuara prej betoni që zënë vendin e pemëve, e restoranteve karikatura që mbushin Bregdetin, e serviseve që bllokojnë rrugët, janë evidente. Dhe kryesisht për fajin tonë, të arkitektëve dhe urbanistëve "kolaboracionistë". Jemi ne që jemi nënshtruara para presionit të parave (të pista ose jo). jemi ne që nuk i kemi rezistuar arrogancës së pushtetarëve të korruptuar. Jemi ne që kemi këshilluar (për keq), se kjo mund të kalojë po të justifikohet me "elegancën vertikale" apo me "soliditetin horizontal". Mbi 90% e projekteve mbajnë firmat tona. Ato nuk i kanë vizatuar as kryetarët e komunave apo të bashkive, dhe as pronarët e skafeve apo trafikantët e prostitutave. Në KRRT-të e qyteteve të mëdha gjithmonë ka pasur arkitektë dhe urbanistë. Por thuajse të gjithë kemi shkelur mbi ndërgjegjen tonë profesionale, duke lejuar të kalohen studime apo projekte, të cilat rrezikojnë të mbeten për qindra vjet dëshmonjëse të marrëzisë që po kalon shoqëria jonë.

Për fat të keq, Tirana (dhe jo Shijaku) është shembulli më negativ, sepse edhe interesat aty kanë qënë më të mëdha. Dendësia e ndërtimeve, mungesa e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe sidomos shtimi i trafikut janë dhe do mbeten për një kohë të gjatë problemet "gangrenë" të kryeqytetit. Se si mund të zgjidhen pjesërisht(tërësisht do jetë shumë e vështirë), kjo kërkon hapjen e një diskutimi profesional për përcaktimin e prioriteteve. Eshtë i domosdoshëm jo vetëm një angazhim i Bashkisë dhe Ministrisë, por i i të gjitha institucioneve të tjera. Sidomos i Medias, Shoqatës së Arkitektëve, shoqatave të Ambientalistëve, Ndërtuesve, Pronarëve të tokave etj. Por ky angazhim kërkon të lihen mënjanë, për një farë kohe, interesat personale dhe etiketimet "i Majtë" apo "i Djathtë". Kërkon gjithashtu që Tirana mos konsiderohet si domen i një njeriu apo një grupi të caktuar. Nga ky ballafaqim mendimesh , le të dalë nëse mund të përmirësohet(ose jo) Plani i Qendrës dhe se ç'duhet bërë me pjesët e tjera të Tiranës. Në se ka raste flagrante të të shkeljes së logjikës së formulimit të qyteteve, atëhere pjesë të veçanta të Planit mund të bllokohen, por jo në frymën e: "e dimë ne pse miratohet x-kompleks ose pse nuk lejohet nuk lejohet në x-truall".

Duhet filluar (mbase ka filluar dhe unë nuk e di) të bëhet si në vendet e tjera në Perëndim, ku nga Pushteti Vendor njoftohet me tabela pranë vendit të ndërtimit, si edhe në shtyp, kërkesa për të ndërtuar me të gjitha karakteristikat e objektit, disa muaj para. Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të dëgjojnë seancën e hapur të Këshillit Bashkiak (në rastin tonë të KRRT), ku diskutohet dhe mbrohet projekti. Informimi më i mirë i publikutdo sjellë rritjen e presionit ndaj përfaqësuesve të pushtetit si dhe ndaj arkitektëve dhe urbanistëve të liçensuar që s'bëzajnë. Gjithashtu është koha, që qytetet të kenë Rregulloret Urbanistike të formuluara mirë, të cilat nuk ndryshohen sa herë ndërrohet Kryetari i Bashkisë.

Shoqëria jonë ka kaluar dhe po kalon trauma të mëdha. Si rrjedhojë do kishte dhe do ketë edhe çrregullime në arkitekturë dhe urbanistikë. A janë këto deformime më të mëdha se sa normalisht do ishin në një shoqëri të sëmurë? Këtë mbetet ta gjykojë historia. Por një gjë e di me siguri. Eshtë më e lehtë të justifikohesh duke drejtuar gishtin tek politikanët e korruptuar ose më mirë tek "Korrupsioni", se sa tek vetja. Por kjo dukuri nuk është në ajër dhe as abstrakte. Ka emra të caktuar dhe forma të përcaktuara mirë. Nuk është e thënë se gjithnjë shoqërohet me para nën dorë. Shpesh fillon me korruptimin e bindjeve tona profesionale dhe symbylljen ndaj "masakrave që ndodhin.

Ndaj nuk i duhet rënë gjoksit se "ja u lamë Shqipërinë me Plane qendrash apo Tiranën ngjyra-ngjyra (kjo më sjell ndërmend frazën e Merhumit- "po ju a lemë Shqipërinë e kuqe") dhe po s'e bëtë ju ta dini kur të kthehemi ne në pushtet"!!! Brezat kanë për të na qeshur, kur të mësojnë se në kohën e ndërrimt të shekujve, në Shqipëri kishte arkitektë të Majtë e të Djathtë. Do mendojnë se kur projektonim, njërën dorë e mbanim të lidhur.

Monday, 23 September 2013

Jam lodhur


Jam lodhur duke të ëndërruar
Sa kam harruar të jetoj
Ditët e mia,
Por endem
Plazhit tënd mbushur leshterikë
Dhe shkel të detit kandilë
Tejdukës në vdekjen e tyre,
Siç shkel ti në të kthjelltën dëshirë
Për të të parë.
Vetëm kaq doja.
Të të shihja ndërsa me krahët
Rrethuar gjunjësh
Ti,
Kokënpërkulur lehtë
Sheh detin
E pastaj zhdukesh për tu rikthyer
Pas dy dhjetvjeçarësh.
Vetëm tre herë të tjera
Në stina lindjesh,
Gjumi,
Të njëjtën marrëzi të ringjallësh.