Meqe artikulli qe permenda, nuk gjendet me ne internet, po e ve me poshte. Ne te fajin ja u kam hedhur "episodiksave".
Artan Lame dhe arkitektët e majtë dhe të djathtë
Më ra në sy lëndimi i sedrës së tij profesionale, por edhe
të nëpunësit, nga sulmi i ministrit të Punëve Publike ndaj planit të Qendrës së
Tiranës. Sidomos i pamëshirshëm ishte Lame me arkitektët e fshehur, të cilët
kanë mashtruar (ose i kanë thënë atë që dëshironte) ministrin. Por ajo që më
bën të trishtohem nuk është as deklarata e ministrit, as tërbimi i zotit Lame
dhe as fshehja e arkitektëve.
Eshtë moskërkimi i një pjese të madhe të përgjegjësisë tek
vetja.
Të gjithë në Shqipëri (përfshi këtu arkitektët dhe
urbanistët) flasin se çfarë ka ndodhur e po ndodh me ndërtimet në Tiranë dhe në
qytetet e tjera gjatë viteve '90 të shekullit të kaluar dhe gjatë këtyre viteve
të këtij shekulli. Shembujt e Epidemisë së kioskave, e shumëkatsheve që nuk
përfillin distancat, e ndërtesave të shëmtuara prej betoni që zënë vendin e
pemëve, e restoranteve karikatura që mbushin Bregdetin, e serviseve që
bllokojnë rrugët, janë evidente. Dhe kryesisht për fajin tonë, të arkitektëve
dhe urbanistëve "kolaboracionistë". Jemi ne që jemi nënshtruara para
presionit të parave (të pista ose jo). jemi ne që nuk i kemi rezistuar
arrogancës së pushtetarëve të korruptuar. Jemi ne që kemi këshilluar (për keq),
se kjo mund të kalojë po të justifikohet me "elegancën vertikale" apo
me "soliditetin horizontal". Mbi 90% e projekteve mbajnë firmat tona.
Ato nuk i kanë vizatuar as kryetarët e komunave apo të bashkive, dhe as
pronarët e skafeve apo trafikantët e prostitutave. Në KRRT-të e qyteteve të mëdha
gjithmonë ka pasur arkitektë dhe urbanistë. Por thuajse të gjithë kemi shkelur
mbi ndërgjegjen tonë profesionale, duke lejuar të kalohen studime apo projekte,
të cilat rrezikojnë të mbeten për qindra vjet dëshmonjëse të marrëzisë që po
kalon shoqëria jonë.
Për fat të keq, Tirana (dhe jo Shijaku) është shembulli më
negativ, sepse edhe interesat aty kanë qënë më të mëdha. Dendësia e ndërtimeve,
mungesa e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe sidomos shtimi i trafikut janë dhe do
mbeten për një kohë të gjatë problemet "gangrenë" të kryeqytetit. Se
si mund të zgjidhen pjesërisht(tërësisht do jetë shumë e vështirë), kjo kërkon
hapjen e një diskutimi profesional për përcaktimin e prioriteteve. Eshtë i
domosdoshëm jo vetëm një angazhim i Bashkisë dhe Ministrisë, por i i të gjitha
institucioneve të tjera. Sidomos i Medias, Shoqatës së Arkitektëve, shoqatave
të Ambientalistëve, Ndërtuesve, Pronarëve të tokave etj. Por ky angazhim kërkon
të lihen mënjanë, për një farë kohe, interesat personale dhe etiketimet "i
Majtë" apo "i Djathtë". Kërkon gjithashtu që Tirana mos
konsiderohet si domen i një njeriu apo një grupi të caktuar. Nga ky ballafaqim
mendimesh , le të dalë nëse mund të përmirësohet(ose jo) Plani i Qendrës dhe se
ç'duhet bërë me pjesët e tjera të Tiranës. Në se ka raste flagrante të të
shkeljes së logjikës së formulimit të qyteteve, atëhere pjesë të veçanta të
Planit mund të bllokohen, por jo në frymën e: "e dimë ne pse miratohet
x-kompleks ose pse nuk lejohet nuk lejohet në x-truall".
Duhet filluar (mbase ka filluar dhe unë nuk e di) të bëhet
si në vendet e tjera në Perëndim, ku nga Pushteti Vendor njoftohet me tabela
pranë vendit të ndërtimit, si edhe në shtyp, kërkesa për të ndërtuar me të
gjitha karakteristikat e objektit, disa muaj para. Të gjithë të interesuarit
janë të mirëpritur të dëgjojnë seancën e hapur të Këshillit Bashkiak (në rastin
tonë të KRRT), ku diskutohet dhe mbrohet projekti. Informimi më i mirë i
publikutdo sjellë rritjen e presionit ndaj përfaqësuesve të pushtetit si dhe
ndaj arkitektëve dhe urbanistëve të liçensuar që s'bëzajnë. Gjithashtu është
koha, që qytetet të kenë Rregulloret Urbanistike të formuluara mirë, të cilat
nuk ndryshohen sa herë ndërrohet Kryetari i Bashkisë.
Shoqëria jonë ka kaluar dhe po kalon trauma të mëdha. Si
rrjedhojë do kishte dhe do ketë edhe çrregullime në arkitekturë dhe
urbanistikë. A janë këto deformime më të mëdha se sa normalisht do ishin në një
shoqëri të sëmurë? Këtë mbetet ta gjykojë historia. Por një gjë e di me siguri.
Eshtë më e lehtë të justifikohesh duke drejtuar gishtin tek politikanët e
korruptuar ose më mirë tek "Korrupsioni", se sa tek vetja. Por kjo
dukuri nuk është në ajër dhe as abstrakte. Ka emra të caktuar dhe forma të
përcaktuara mirë. Nuk është e thënë se gjithnjë shoqërohet me para nën dorë. Shpesh
fillon me korruptimin e bindjeve tona profesionale dhe symbylljen ndaj
"masakrave që ndodhin.
Ndaj nuk i duhet rënë gjoksit se "ja u lamë Shqipërinë
me Plane qendrash apo Tiranën ngjyra-ngjyra (kjo më sjell ndërmend frazën e
Merhumit- "po ju a lemë Shqipërinë e kuqe") dhe po s'e bëtë ju ta
dini kur të kthehemi ne në pushtet"!!! Brezat kanë për të na qeshur, kur
të mësojnë se në kohën e ndërrimt të shekujve, në Shqipëri kishte arkitektë të
Majtë e të Djathtë. Do mendojnë se kur projektonim, njërën dorë e mbanim të
lidhur.
No comments:
Post a Comment