Thursday, 5 April 2012

Fillimi i "Klecka-22"

Me poshte eshte fillimi i librit. Vetem nje faqe e kapitullit te pare te romanit "te papam" te Kelerit. Do mundohem pak nga pak ta ve te gjithin:


            1 TEKSANI





Ishte dashuri me shikimin e parë. Në çastin që e pa, Josariani u sevdallis me kapelanin.

            Josariani ishte shtruar në spital me një dhimbje në mëlçi që ishte thuajse verdhëz. Doktorët i ngatërronte fakti që nuk ishte tamam verdhëz, se po të ishte ja gjenin ilaçin. Po të mos ishte verdhëz dhe dhimbja t'i kalonte do e nxirrnin nga spitali, por duke qënë gjithë kohës thuajse verdhëz e pandryshuar, kjo ja u bënte mendjen çorbë.

            Cdo mëngjez, tre mjekë të gjallë e seriozë, me gjuhët brisk dhe shikim të mjegullt, e vizitonin Josarianin të shoqëruar nga infermierja e gjallë dhe serioze Daket, e cila nuk e honepste. Lexonin kartelën në këmbët e krevatit dhe menjëherë e pyesnin për dhimbjen. Kur ai ju thoshte që ishte po njëlloj, acaroheshin.

            - Asnjë ndryshim?- pyeti më i madhi syresh. Doktorët vështruan njëri tjetrin kur Josariani tundi kokën në shenjë mohuese.

            - Jepi një tabletë tjetër

Infermierja shënoi në kartelë që i duhej shtuar edhe një tabletë dhe të katër vazhduan me të sëmurin tjetër. Infermieret nuk e kishin qejf Josarianin. C'është e drejta atij i kishte shkuar dhimbja e mëlçisë, por nuk ju tha doktorëve dhe ata nuk dyshuan. Dyshuan vetëm se nuk ishte më kaps dhe nuk tregonte.

            Në spital Josariani i kishte të tëra. Ushqimi s'ishte keq dhe vaktet t'i sillnin në krevat. Racionet e mishit ishin të bollshme dhe pasditeve të nxehta ju shpinin edhe lëng frutash ose qumësht dhe kakao me akull. Veç doktorëve dhe infermiereve, njeri tjetër s'të binte më qafë. Për ca kohë, mëngjesave e vinin të çensuronte letrat e ushtarëve, por si mbaronte mund të zhgryhej tërë kohën në shtrat duke e patur ndërgjegjen plotësisht të pastër. Në spital ishte rehat dhe që aty s'e lëvizte njeri se temperatura i rrinte 38 e gjysëm. Ishte dhe më rehat se Danbari, i cili herë herë duhej të binte më hundë nga krevati vetëm e vetëm që t'ja sillnin të ngrënat në krevat.

            Si e ndau mendjen të rrinte në spital deri sa të mbaronte lufta, Josariani ju shkrojti tëre të njohurve që ishte në spital, po pa ju thënë përse. Disa ditë më vonë i erdhi një tjetër ide. Ju shkrojti që po shkonte në një mision luftarak shumë të vështirë. " Kërkuan vullnetarë. Eshtë shumë i rrezikshëm po dikush duhet ta bëjë. Do t'ju shkruaj me tu kthyer." Dhe nuk i shkroi më kurrë njeriu.

            Tërë oficerët e shtruar në spital duhet të censuronin letrat e ushtarëve pacientë, të cilët ishin në një pavion më vete. Ishte një punë monotone dhe Josariani u zhgënjye më shumë kur pa që jetët e ushtarëve ishin jo aq të mërzitshme sa jetët e oficerëve. Pas ditës së parë nuk pati më asnjë lloj kureshtje. Për mos u mërzitur filloi nga marifetet. "Poshtë cilësorët!"-tha një ditë dhe i mbuloi me bojë tërë mbiemrat dhe ndajfoljet e letrave. Ditën tjetër ju shpalli luftë nyjeve të përparme. Nivelin krijues e rriti kur i fshiu tërë fjalët dhe la vetëm lidhësat. Sipas mendjes së tij, kjo shtonte tensionin dinamik ndërmjet rrjeshtave dhe shtjellonte një mesazh më universal. Më vonë filloi të fshijë përshëndetjet e para të letrës dhe emrin e të adresuarit, pa prekur ç'shkruhej më poshtë.

(vijon)

           

Wednesday, 28 March 2012

Milo Majnderbajnder.

Milo eshte nje nga personazhet me te lezecem te romanit "Klecka-22" Nga itendent i nje grupi, me shpirtin prej tregetari te lindur, ndermer sipermarje nga me te cuditshem ne teatrin e Luftes se II boterore. Me poshte eshte nje pjese e kapitullit 24, qe titullohet Milo.

"
            24 MILO





            Prilli ishte muaji më i mirë për Milon. Shpatoret ishin plot lule dhe në bregun afrikan të Mesdheut frutat kishin zënë të piqeshin. Në prill zemrat rrihnin më me forcë dhe orekset hapeshin.

Prilli ishte pranverë e plotë dhe në pranverë idetë e ndritura të Milo Majndërbajndër ishin drejtuar tek mandarinat.

            - Mandarina?

            - Po zotëri.

            - Hëm. Këta të mijtë i pëlqejnë mandarinat- pohoi koloneli i katër skuadroneve të B-26 në Sardenjë.

            - Do ju sjell të hanë mandarina sa të fryhen po qe se kini para nga fondi i mencës- e siguroi Milo.

            - Pjepëra dimërakë?

            - Tani  i gjen badihava në damask.

            - Kam dobësi për dimërakët. Gjithnjë më kanë pëlqyer ata pjepra.

            - Më jep vetëm një avion për çdo skuadron dhe do sjell një dynja me pjepëra dimërakë me fondet e mencës.

            - Ne i blemë nga sindikata?

            - Po dhe të gjithë kanë pjesë.

            - eshtë çuditërisht e pabesueshme. Si ja ke arritur?

            - Kur ke fuqi të madhe blerëse dhe ble me shumicë gjithshka arrihet. Për shembull kotoletat e viçit.

            - S'i kam qejf kotoletat e viçit- tha nëpër dhëmbë komandanti dyshues i B-25 në veri të Korsikës.

            - E ke gabim. janë shumë të ushqyeshme.- këmbënguli Milo- I ke të lyera me të verdhë veze dhe thërrime peksimadhesh. Pa le brinjët e qingjit.

            - Brinjë qingji?- tregoi interes komandanti i B-25- Të cilësisë së parë?

            - Më të mirat e tregut të zi.

            - Qingja qumështi?

            - Qingja qumështi njomzakë me breçka rozë. I ke si të falura në Portugali.

            - Nuk dërgoj dot avion në Portugali. Nuk jam i autorizuar.

            - Kam unë autorizim, por vetëm më jep një avion me gjithë pilotin. Dhe mos harro që mund të kesh edhe gjeneral Dredlin në mencë.

            - Do vijë prapë gjenerali të hajë në mencën time?

            - Do vijë e do hajë si derr po të ketë vezë të freskëta dhe gjalp taze nga ato që ble unë. Do ketë edhe pjepra dimërakë, kunguj Stambolli, fileto salmoni, midhje dhe skallopë.

            - Dhe të tërë kanë pjesë në fitim?

            - Hë de, kjo është ç'është.

            - Nuk më duket punë e pastër- hungërriu komandanti dyshues, që nuk e kishte qejf Milon.

            - Eshtë në veri një komandant jodashamirës, që e ka inatin me mua- u ankua Milo në gjenerali Dredël - Mjafton një njeri ta prishë të tërë projektin dhe më s'do kem se ku të gjej vezët e freskëta dhe gjalpin taze që të pëlqejnë ty.

Gjenerali e transferoi jodashamirësin në ishujt Solomon të hapte varre dhe në vend të tij vuri një kolonel me bursitis që pëlqente frutat liçi, prej të cilit Milo njohu gjeneralin e B-17 që vdiste për salçiçe polake.
......."



Sunday, 25 March 2012

Per te dhene pak shije nga "Klecka-22"

Me poshte eshte nje pjese e vogel e kapitullit 17 te romanit "Klecka-22" e Johan Keller. Eshte nje satire ndaj absurditetit te Luftes se Dyte boterore dhe mjediseve ushtarake amerikane. Kapitulli 17 titullohet "Ushtari i shtenen ne allci" dhe zhvillohet ne spitalin ushtarak te Pianozes, ndersa aleatet kane zbarkuar n Jug te Italise.

"
- C'gjynahe do ketë bërë që mbaroi kështu?- tha oficeri i Degës ushtarake që kishte malarie dhe një të pickuar mushkonje në bythë, pasi infermierja Daket pa termometrin dhe zbuloi që ushtari në allçi kishte vdekur.

            - U nis për në luftë

            - Të gjithë u nisëm për luftë - përmëndi Danbari.

            - Këtu dua të dal- vazhdoi oficeri malarik- Përse të vdesë pikërisht ky? Nuk ka asnjë logjikë në këtë sistemin e shpërblim-ndëshkimit. Shiko ç'më gjeti mua. Do ishte e drejtë që në vend të këtij pickimit të mushkojnës të kisha marë sifilis ose skollo për ato pesë minuta pasioni në plazh. Po malarie? malarie? Shpjegomë pak ti ç'lidhje ka malaria me zuzarllëkun?- Vazhdonte të tundte kokën i çudtur oficeri i Degës ushtarake.

            - Po unë?- u hodh Josariani- Po unë që dola një natë të blija një çokollatë në Marakesh dhe përfundova pas ferrave me një oficerkë, që as e njihja dhe mora racionin tënd të skollos. Unë s'kisha dalë për seks po për një çokollatë, po si t'ja prishja?

            - Ke të drejtë që ishte hisja ime e skollos që ke marë, po unë ama kam marë malarien që i takon një tjetri- pohoi tjetri- Si nuk ndodh njëherë që kushdo të marë atë që i takon. Atëhere po që do kisha një farë besimi tek ky univers.

            - Mua më ranë në hise treqindmijë dollarë të një tjetri- tha me sinqeritet kapiteni i ri me mustaqe të verdha.- Që kur jam lindur jam halladitur. Klasat i merja duke kopjuar dhe s'bëja gjë tjetër veç se shkoja kohën me bukuroshe që mendonin se unë mund të bëhesha një bashkëshort ideal. Unë s'kisha asnjë lloj synimi. Si të mbaronte lufta do doja të martohesha me një që kishte para shumë dhe të shkoja lart e poshtë me bukuroshe të tjera. Treqindmijë dollarët m'i kishte lënë para se të lindja nga gjyshi që kishte bërë goxha pasuri nga shitja me shumicë e broçkullave. E di që s'i meritoj po edhe t'i kthej sikur s'vete. Kushedi se hisja e kujt kanë qënë.

            - Mbase kanë qënë të tim eti. - u hodh Danbari- Ai punoi si kalë një jetë të tërë dhe nuk fitonte dot aq sa të na dërgonte në universitet mua dhe motrën. Po ai ka vdekur tani kështu që ti mund t'i mbash paratë.

            - Po gjetëm edhe se kujt i përket malaria që mora unë jemi të tërë në rregull. Jo se kam ndonjë gjë kundër mlaries po vetëm e ndjej që është padrejtësi. Pse të mar unë malarien që i takon një tjetri dhe ti të marësh hisen e skollos që më takon mua?

            - Po le hisen tënde të skollos- tha Josariani- po nga ajo më duhet të vazhdoj të bëj fluturime luftarake deri sa të më vrasin.

            - Aq më keq akoma. C'djall drejtësie është kjo?
......"

           

           

           








Monday, 19 March 2012

222 postime.

Ndoshta numuri 222 i postimeve ishte shenje qe llomotitografi duhet te bllokohej per disa kohe. Mbase per te kapercyer kete gjendje limontie pranverore, ne vend te humbjes se kohes me Ishullin e Blushit(qe eshte shume me poshte se Otelloja i tij)duhet t'i rikthehem Josarianit. Ai gjithmone del ne skene kur i duhet t'ju jape nje dore te gjithe atyre qe urrejne lufterat, disiplinen dhe autoritetet.

Thursday, 8 March 2012

Nje variant i ndryshem i Ballkonit te botuar me 2007.

BALLKONI


Ndjellëse kujtimesh, mbi t'dashurat e dashur,
Për ty gjitha dhelet, tek ti përkushtimin!
Të kujtohet vallë prekja e përmallur
Mbremjet e ëmbla, kur prisnim agimin.,
Ndjellëse kujtimesh, mbi t'dashurat e dashur!

Netët e ndriçuara nga t'kuqtë thëngjij,
Muzgjet në ballkon me të argjentë tis,
Zemrat në një rrahje, tek un' të butët gjinj,
Të pavdekshmet fjalë në vesh të çuçuris,
Netve të ndriçuara nga t'kuqtë thëngjij.

Sa të bukur diejt në ato perëndime!
Hapësira pafund! Shprtrat drithëruar!
Ku mbi ty përkul'sha bukuroshja ime,
Thithja erën e trupit, në myshk kundërmuar.
Sa të bukur diejt në ato perëndime!

Terri i natës rritej si një gardh i dendur,
Flakën e syve të tu shihja në errësirë,
Buzëës thithja pezmin, nektarin e mbledhur,
Kofshët e tua t'ngrohta me duar përfshirë.
Terri i natës rritej si një gardh i dendur.

Unë tani di t'ju jap jetë kujtimeve,
Casteve kur ballin mbaja n'prehrin tënd
Po ku ta kërkoj ëmbëlsinë e hireve
Përpos se tek ti, ku , në ç'tjetër vend?
Unë tani di t'ju jap jetë kujtimeve.

Ato tinguj, afshe, ato puthje panumur,
Do të kthehen vallë përsëri t'i ndjej,
Të dalin prej shpirtit, si detit t'përgjumur,
I ngjiten ajrive të mëngjesit diej.
-O tinguj! O afshe! O puthje pa numur!

Wednesday, 7 March 2012

Nje vit me pare.

Kete Blog e hapa para nje viti nga qe nuk doja me te flisja me vete trotuareve a kur isha ne makine. Gjeta nje lloj menyre te ndryshme per te folur ne "hava", me ndryshimin qe te belebezuarat ne kete lloj eteri mbeten dhe mund t'ju rikthehehsh per t'i pare se sa "trangull" ke qene ne periudha te ndryshme te jetes. Ne te njejten kohe po e perdor si nje lloj magazine te sigurt per ato qe shkruaj, sepse nuk jam i sigurt se nje dite do i kerkoj dhe nuk do i gjej neper sirtaret e shumte dhe hard drivet e prishur ose jo. Dihet qe jam sistematik.
Blogu, me deshiren time, ka ruajtur natyren fillestare edhe pse tani lexohet nga nje rreth shume shume i ngushte miqsh. Te gjithe me lene te vazhdoj ne kete lloj persiatje-botim-percartje-rrefim pa nderhyre se ne fund te fundit askush nuk i flet ne rruge dikujt qe flet me vete. "Le ta leme rehat ne boten e tij! Nje dite mbase i vijne mendte!"
Kjo e fundit nuk ka shume gjasa te ndodhe po te marim ne konsiderate moshen, vendodhjen, vendlindjen, aspiratat per jeten dhe shume e shume arsye te tjera.
Po vazhdoj me nje vit tjeter te te shkruarit ne hava!
Ne fund te fundit te gjithe ne hava jemi.

Monday, 5 March 2012

Nje tjeter sonet.

TRISHTIMI I HENES


Sonte, hëna po shtriqet më me përtesë,
Si një bukuroshe, në të butat shtroje,
Me dorë përkëdhel gjinjtë me kujdes,
Përpara se gjumi trupin t'i kaplojë.

Mbi shpinën mëndafsh të reve puplore
E kotur le veten  gjatë të dremisë,
Me sy gjysëmbyllur ndjek shuka ajrore,
Si lule të bardha ngjiten kaltërsisë.

Kur rrallëherë i ndodh mes shtriqjes së ngeshme,
Përmbi tokë një lot i shpëton në heshtje
Ai që e urren gjumin, poeti i devotë,

E mer mes pëllëmbësh  atë lot të çmuar,
Si një margaritar, plot xixa ndriçuar,
Thellë në gji e mban, fshehur nga kjo botë