"
24 MILO
Prilli ishte muaji më i mirë për Milon. Shpatoret ishin plot lule dhe në bregun afrikan të Mesdheut frutat kishin zënë të piqeshin. Në prill zemrat rrihnin më me forcë dhe orekset hapeshin.
Prilli ishte pranverë e plotë dhe në pranverë idetë e ndritura të Milo Majndërbajndër ishin drejtuar tek mandarinat.
- Mandarina?
- Po zotëri.
- Hëm. Këta të mijtë i pëlqejnë mandarinat- pohoi koloneli i katër skuadroneve të B-26 në Sardenjë.
- Do ju sjell të hanë mandarina sa të fryhen po qe se kini para nga fondi i mencës- e siguroi Milo.
- Pjepëra dimërakë?
- Tani i gjen badihava në damask.
- Kam dobësi për dimërakët. Gjithnjë më kanë pëlqyer ata pjepra.
- Më jep vetëm një avion për çdo skuadron dhe do sjell një dynja me pjepëra dimërakë me fondet e mencës.
- Ne i blemë nga sindikata?
- Po dhe të gjithë kanë pjesë.
- eshtë çuditërisht e pabesueshme. Si ja ke arritur?
- Kur ke fuqi të madhe blerëse dhe ble me shumicë gjithshka arrihet. Për shembull kotoletat e viçit.
- S'i kam qejf kotoletat e viçit- tha nëpër dhëmbë komandanti dyshues i B-25 në veri të Korsikës.
- E ke gabim. janë shumë të ushqyeshme.- këmbënguli Milo- I ke të lyera me të verdhë veze dhe thërrime peksimadhesh. Pa le brinjët e qingjit.
- Brinjë qingji?- tregoi interes komandanti i B-25- Të cilësisë së parë?
- Më të mirat e tregut të zi.
- Qingja qumështi?
- Qingja qumështi njomzakë me breçka rozë. I ke si të falura në Portugali.
- Nuk dërgoj dot avion në Portugali. Nuk jam i autorizuar.
- Kam unë autorizim, por vetëm më jep një avion me gjithë pilotin. Dhe mos harro që mund të kesh edhe gjeneral Dredlin në mencë.
- Do vijë prapë gjenerali të hajë në mencën time?
- Do vijë e do hajë si derr po të ketë vezë të freskëta dhe gjalp taze nga ato që ble unë. Do ketë edhe pjepra dimërakë, kunguj Stambolli, fileto salmoni, midhje dhe skallopë.
- Dhe të tërë kanë pjesë në fitim?
- Hë de, kjo është ç'është.
- Nuk më duket punë e pastër- hungërriu komandanti dyshues, që nuk e kishte qejf Milon.
- Eshtë në veri një komandant jodashamirës, që e ka inatin me mua- u ankua Milo në gjenerali Dredël - Mjafton një njeri ta prishë të tërë projektin dhe më s'do kem se ku të gjej vezët e freskëta dhe gjalpin taze që të pëlqejnë ty.
Gjenerali e transferoi jodashamirësin në ishujt Solomon të hapte varre dhe në vend të tij vuri një kolonel me bursitis që pëlqente frutat liçi, prej të cilit Milo njohu gjeneralin e B-17 që vdiste për salçiçe polake.
......."
No comments:
Post a Comment