Friday, 9 July 2021

Nuk dua të jem skllav!

Nuk dua të jem skllav

Edhe pse nuk mund të jem i lirë!

Askush s’mund të më thotë ç’të bëj,

Veç forcës së rëndesës,

Dritës që më përshkon,

Orës biologjike të kurdisur mirë.

Ndoshta një ditë,

Zotërit e gjithëfuqishëm,

Me mendje gjenialisht të përçudnuar,

Gente do spërdredhin më tepër,

Të krijojnë një njeri më të bindur,

Që vetë prangat kërkon.

Por do të jem edhe më i lirë,

Tej pafundësisë.

Për të qënë skllav nuk jam lindur!

 

 

 

 

Thursday, 8 July 2021

Ah të kishim pak “rotacion”!


Një mik i vjetër i imi më shkruante para disa ditësh, që “kishin pritur rotacionin, por ishin zhgënjyer” dhe më kujtoji se gjatë këtij viti flitej shumë edhe në mediat kryesore rreth kësaj dukurie politike. Mu qesh, se mu kujtuan shprehje të huaja, që hyjnë në fjalorin e përditshëm me një përmbajtje disi magjike , rrinë një kohë në përdorim të gjerë dhe pastaj treten. Kështu hyri në fillimin e viteve ’90 “eksodi”, më pas mbeti për një kohë të gjatë “tranzicioni” dhe pas shumë të tjerave, të cilat nuk po më ndërmenden, tani kemi edhe shpëtimtarin “rotacion”.

Nuk ka shumë rëndësi nëse këtë “dobi” të jashtëzakonshme për politikën shqiptare dhe jetën e shqiptarëve e kanë trumbetuar analistët apo politikanët e opozitës, por duhet thënë që “rotacioni” jo vetëm nuk ndodhi, por as kishte për të përmirësuar gjë në Shqipëri. Edhe pse ndodh shpesh në vendet me demokraci të konsoliduar, sidomos në SHBA, ku ka vetëm dy parti të mëdha, ndryshimi i alternuar në pushtet i të quajturave të Majta apo të Djathta nuk është tregues i pjekurisë të Demokracisë. Ndodhte edhe në Republikën e dytë italiane dhe në atë të tretën dhe asgjë e mirë nuk ndodhi me ndrimet e roleve nga Andreoti në Kraksi apo më vonë nga Berluskoni tek D’Alema e kompani. Ka patur edhe vende si Austria e pasluftës, ku e Majta ndenji mbi 40 vite në pushtet dhe demokracia ishte ku e ku më lart se tek fqinjët e tyre italianë.

Tek ne, veç të mirës të largimit të autokratit Rama nga pushteti, nuk do kishte asnjë dobi tjetër, sepse Rama duhet të largohet nga skena politike së bashku me Metën, Berishën, Bashën dhe të tjerë politikanë të korruptuar të të dy krahëve. Sistemit të kleptokracisë, që u krijua nga demokratët në mesin e viteve ’90 dhe hyri në standart mbarëshoqëror nga socialistët e Nano-Metës, nuk i hyri asnjë gjëmb në këmbë nga Berisha i vitit 2005-2013, por vetëm se krijoji familje politikanësh miliarderë. I njëjtë është vazhdimi nga Rama, por me ndryshimin e vogël, se ose nga frika, ose nga deliri i madhështisë, ky i fundit i është nënshtruar Amerikës për Reformën në Drejtësi. Të tjerët e minuan hapur.

Rotacioni në pushtet i hajdutëve nuk i sjell asnjë të mirë asnjë vendi! Këta të fundit ose duhet të përfundojnë në burg, ose në rastin e një marëveshjeje për paqe sociale, le të amnistohen e të “qërrohen” nga Shqipëria edhe me një pjesë të vogël të parave të tyre.

Ne nuk kemi pasur dobi as nga “luga e florinjtë“, as nga “miqësia shqiptaro-kineze”, as nga “mbështetja në forcat tona”, as nga “çeku i bardhë“ dhe nuk kemi për të pasur as nga “rotacioni”.

Duhet të marrim pjesë në jetën politike të vendit dhe duhet të heqim dorë edhe nga ato rryshfetkat e vogla, që japim ose dhe i marrim vetë!

Sunday, 4 July 2021

Komunizmi dhe fashizmi


Ekziston një mendim tepër semplist, se komunizmi është në thelb i njëjtë me fashizmin, si dy sisteme totalitare të cilat mohojnë liritë e individit, i shtypin qytetarët e vendit të tyre dhe i persekutojnë dhe kryejnë krime të mëdha ndaj popujve dhe njerëzimit në përgjithësi. Edhe pse nuk mundesh në mënyrë kategorike të hedhësh këtë mendim, sepse ka shumë prova të cilat e vërtetojnë, mendoj se ka një gabim të madh në identifikimin e të dy ideologjive si të njëjta. Nëse flasim për regjimet e vetëquajtura komuniste dhe fashiste atëhere diskutimi ndryshon.

Deri më sot nuk ka pasur në botë asnjë regjim që ka qënë në përputhje me ideologjinë komuniste.

Shtetet totalitare të Lenin-Stalinit, Maos, Hoxhës, Pol Potit, Kimëve të Koresë janë vetquajtur komunistë, se në të vërtetë kanë patur shumë pak gjëra që kishin në bazë atë ideologji. Si model i keq shërbeu shteti i krijuar nga Bolshevikët i cili u kritikua më shumë nga vetë socialistët e Internacionales së Dytë, bile edhe nga radikalët si Roza Luksemburg. “Nëse ka liri vetëm për qeveritarët, ose vetëm për anëtarët e partisë - edhe pse mund të jenë të shumtë në numur- kjo nuk quhet liri. Liri ekziston vetëm si liri e atij që mendon ndryshe nga ju.”- shkruante Luksemburg në vitin 1918, kur Bolshevikët sa kishin filluar të qeverisnin. Të tjerë socialistë dhe komunistë ishin më të ashpër në kritikat e tyre ndaj Bashkimit Sovjetik të Stalinit duke nisur me Kauckin dhe duke përfunduar me Xhorxh Oruell dhe librat e tij të famshëm “Ferma e kafshëve” dhe “Viti 1984”.

Nga ana tjetër, regjimet fashiste edhe pse me ndryshime nga njëri tjetri në varësi të vendit dhe natyrës së diktatorëve, ishin në përputhje me ideologjinë fashiste të kristalizuar në punimet teorike të Musolinit, Sorelit dhe Koradinit në fillimin e shekullit të XX-të. Nderimi ndaj regjimeve fashiste të së kaluarës ka mbetur i njëjtë në të gjitha partitë e ekstremit të djathtë, kudo në botë.

Fakti që të dy llojet e regjimeve kanë qënë kundër demokracive liberale i bën shumë të ngjashëm regjimet, por jo ideologjitë. Diktaturat e vendeve të ashtuquajtura komuniste nuk kanë pasur asgjë të përbashkët as me konceptin e Diktaturës së proletariatit të teorisë marksiste. Në të parashikohej jo vetëm që ajo të ishte një “diktaturë“ e shumicës mbi pakicën, por mundësisht të vendosej në të gjithë botën njëherësh, ose në pamundësi vetëm në vendet e industrializuara, ku punëtorët përbënin shumicën e popullsisë. Në të vërtetë Diktaturat në Rusi, Kinë, Shqipëri, Kamboxhia dhe gjetkë, ishin diktatura të një “bande revolucionarësh”, të cilët kishin marrë pushtetin në mënyrë të dhunshme dhe e mbanin po në mënyrë të dhunshme. Shtetëzimi që ata i bënë pronave private nuk solli lirimin e proletariatit nga skllavëria, por thjesht krijoi një formë tjetër të skllavërisë, kjo e shoqëruar edhe me dështim ekonomik.

Nëse ideologjia komuniste ishte thellësisht e gabuar, utopike apo kriminale, kjo është një çështje tjetër, e cila kërkon studime të gjata dhe të thella, por qëllimi i këtij shënimi ka të bëjë me njehsimin e gabuar që i bëhet komunizmit me fashizmin, nisur nga krimet që patën bërë të vetquajturat diktatura komuniste. Një shembull i mirë për ilustrim është transformimi i Kinës, nga një vend plotësisht i kolektivizuar (ose në pronësi të shtetit) në një vend ku lulëzon prona private dhe ekonomia e tregut. Partia në pushtet nuk lëshoi rolin e saj udhëheqës, por mbeti pjesë e “elitës”, që gëzon të mirat material të jashtëzakonshme që sjell tregu. Në të njëjtën kohë nuk lejon sindikatat, shtyp kundërshtarët politikë dhe kryen krime monstruoze ndaj atyre që kërkojnë pluralizëm. Shteti totalitar kinez ka qënë dhe është edhe sot një Diktaturë fashiste, me ndryshimin që në kohën e Ten Hsiao Pin-it, u bënë reforma ekonomike, të cilat bënë të mundur që kinezët të jetojnë më mirë. 

Saturday, 3 July 2021

A duhet të kthehen vitet e aktorëve me dosje në sqetull?


“Kultura,… për kulturën,… e kulturës,… o kulturë…” dëgjon shpesh kur diksutohet për teatrot në Shqipëri, sidomos kur bëhet fjalë për shkurtim fondesh, mbyllje të ndonjë teatri, apo për pakësim të aktorëve, të cilët paguhen nga paratë e taksapaguesve. Shpesh herë këto bëhen nga njerëz, që kujtojnë se pse kanë luajtur në disa pjesë teatrore apo në ndonjë film i përkasin Kulturës Kombëtare dhe ndërkombëtare edhe pse mund të jenë thellësisht të pakulturë. Kujtohen me ngazëllim vitet kur Shqipëria kishte shumë trupa profesioniste teatri me nga një “batalion” me aktorë, për të mos përmendur edhe dhjetra të tjerë, që përbënin “prapavijën”.

Ka pasur një arsye të vetme, që Diktatura e Hoxhës ngriti gjithë ato trupa teatri dhe nxiti edhe lëvizjet amatore të teatrit dhe estradës:

Trushpëlarja e rinisë, fëmijëve dhe gjithë shqiptarëve që nuk dinin se ç’ishte bota jashtë kufijve.

Edhe pse Partia e Punës mburrej edhe me të pabërat, çuditërisht nuk jepte shifra që na rendisnin të parët në botë për frymë dhe që ishin pikërisht numuri i trupave profesioniste të teatrit dhe estradës. Jo vetëm që linim pas vendet e zhvilluara perëndimore, por ja u kalonim me diferencë të madhe gjithë vendeve komuniste të Bllokut Lindor. Nuk bëhej fjalë për kulturë, por thjesht për një propagandë të pastër në dobi të Partisë dhe të Komandantit. Sidomos pas vitit 1973, kur thuajse u ndaluan tërësisht pjesët e huaja teatrale (me ndonjë përjashtim të vogël), të gjitha shfaqjet që viheshin në skenë ishin ose propagandë e hapur në favor të luftës së klasave, ose nxitje të një nacionalizmi me ngjyra komuniste. Numuri i dramave të ashtuquajtura të suksesshme si “Toka Jonë“, “Furrnalta”, “Maro Mokra”, “Dy krisma në Paris”, “Shpartallimi”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Mulliri i Kostë Bardhit”,“Djem të mbarë“ etj., apo i komedive “Zonja nga qyteti”, “Shoqja nga fshati”, “Luani i shtëpisë“ etj., të cilat mbartnin mesazhet e qarta të propagandës partiake ishte i madh. Për më tepër këto pjesë luheshin edhe nga qindra trupa amatore dhe shfaqeshin edhe në emisionin televiziv “Teatri në Ekran” duke bërë që batutat e tyre të ishin pjesë e bisedave të përditshme dhe e filozofisë së njerëzve.

Aq rëndësi i ishte kushtuar propagandës nëpërmjet teatrit dhe estradës që në vitet ’50 dhe ’60, sa u krijua edhe një shkollë e lartë 3 vjeçare, që përgatiste aktorë të dramës dhe humorit. Me përjashtime që nuk i kalojnë dy dyzinat, nga ajo shkollë dolën qindra aktorë të patalentuar, dobia e të cilëve ndaj shoqërisë shqiptare ishte të propagandonin duke thirrur Historinë e Partisë, e ilustruar kjo në pjesët teatrale dhe në skeçet dhe paroditë e estradave. Eshtë për tu shënuar se aktorët më të suksesshëm të teatrit dhe estradës shqiptare ishin dhe mbetën ata që nuk kishin mbaruar Institutin e Arteve duke filluar me Loro Kovaçin, Tinka Kurtin, Sandër Prosin, Naim Frashërin, Prokop Mimën, Pjetër Gjokën, Pandi Raidhin, Marie Logorecin, Skënder Sallakun, Tano Banushin, Zyliha Milotin dhe shumë të tjerë.

Në gjithë qytetet kryesore vërtiteshin një tufë “artistësh” me nga një dosje në sqetull, që kalonin paraditet dhe pasditet në kafenetë e qëndrës dhe që paguheshin më mirë se mjekët. Ishin aktorët e teatrit dhe estradave, që kishin në plan 4 premiera në vit dhe një pjesë e mirë prej tyre nuk kishin as role në këto premiera. Të rrallë ishin ata që blini libra ose ishin anëtarë të bibliotekave të qyteteve. Ende sot, nga që shfaqeshin nëpër ekranet e televizionit të vetëm shqiptar ose në ato të kinemave, përmenden si artistë të mëdhenj të dramës apo humorit aktorë mediokër, lista e të cilëve është shumë e gjatë.

Nëse kërkohet ende të përsëritet ajo kohë dhe të shtohen aktorët në trupat profesioniste, të cilat mbahen nga paratë e taksapaguesve, atëhere jo vetëm që do vazhdohet “të vidhen” qytetarët për një “kulturë të pakulturuar”, por do vazhdojnë të krijohen idhuj të pavlerë për adoleshentëtë. Janë të mjaftë modelet e “pseudoartistëve” të rijuar në televizionet shqiptare, nga të cilët të rinjtë nuk kanë asgjë ç’të mësojnë por duan t’ju përngjasin. Por të paktën televizionet janë biznese private dhe vetëm hapësirat valore përfitojnë nga pasuria kombëtare. Të mbash trupa profesioniste edhe në numurin e sotëm, do të thotë të ushqesh parazitizmin kulturor. Duhet vepruar si kudo në botë, ku subvencionohen vetëm trupat kombëtare dhe të tjerat ose funksionojnë privatisht sipas ligjeve të tregut, ose përfitojnë nga dhurime filantropësh.

Aktorët e brezit tim mbanin nën sqetull dosje plot kulturë, por më besoni që në to veç kulturë nuk kishte!

  

Friday, 2 July 2021

Teatri rivjen në skenë

 


Megjithëse përdori gjithë aftësitë e tij manipuluese për 4-5 vite me rradhe dhe dukej se ishte shumë pranë arritjes së rezultatit final, Edi Rama nuk pati gjithshka në dorë për çështjen e Teatrit Kombëtar. TK u rikthye përsëri në skenë për të vazhduar edhe një akt tjetër të tragjikomedisë të tij. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë një vendim të çuditshëm, që bën të gjithë palët të thërresin “Fituam!” Ligji i veçantë, që miratoi PPP-në dhe i kaloi në pronësi Teatrin Bashkisë së Tiranës u quajt jo në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, por ndaj prishjes së teatrit, që ishte pasojë e atij ligji jokushtetues, Gjykata nuk ishte në gjendje të merrte vendim!

Në pragun e verës të vitit 2018 pata shkruar disa shënime rreth çështjes së Teatrit Kombëtar, një prej të cilëve e rilexova dhe po e ve linkun edhe për tu lexuar nga të tjerët. Pak a shumë le mënjanë debatet për vlerat arkitekturore dhe kulturore të Teatrit Kombëtar dhe përqëndrohet në “aferën korruptive”, e cila qysh në kohën kur Rama ishte Kryetar Bashkije i Tiranës ishte një plan i qartë fitimi i tij.

https://kuendemi.blogspot.com/2018/06/teatri-nuk-eshte-ceshtje-aktoresh-dhe.html?m=1

Tani jemi në një situatë pak më të avancuar, kur Teatri është prishur dhe është miratuar leja e ndërtimit, por pronësia ka ndryshuar dhe PPP-ja nuk konsiderohet më e ligjshme. Problemi është komplikuar për Ramën, por ende nuk duken në horizont provat e pakundërshtueshme se e gjitha kjo është një çështje e pastër korrupsioni. Ka thirrje edhe nga shefi i opozitës, që Teatri Kombëtar të rindërtohet ashtu si ishte, atje ku ishte.

Kompleksi i Teatrit Kombëtar ka pasur vlera minimale arkitekturore dhe është më mirë që u prish.

Vlerat artistike kulturore të Teatrit Kombëtar gjithashtu duhen trajtuar me më shumë maturi, se ai ka luajtur një rol jo të vogël në trushpëlarjen e shqiptarëve për 45 vjet.

Por pavarësisht nga sa më sipër, kompleksi i Teatrit Kombëtar duhet rindërtuar në mënyrë bashkëkohore në gjithë parcelën e tij pa lejuar asnjë ndërtim banesash apo zyrash jo vetëm brenda saj , por edhe në afërsi. Mund të jetë një kompleks sallash së bashku me një Akademi Regjije dhe Aktrimi, me një liri të lëvizjes për të gjithë artdashësit dhe qytetarët e Tiranës, në qëndrën e së cilës duhet shumë më shumë art dhe gjelbërim.

Sigurisht që Rama nuk do e lejeojë këtë sepse afera nëse realizohet si ju ka premtuar investitorëve sjell në xhepin e tij të paktën 20 milion dollarë dhe ai do bëjë ç’është e mundur që mos i humbë. Por nëse “Aleanca për Teatrin” dhe gjithë të tjerët që kundërshtojnë Ramën do përqëndrohen në rikthimi i kompleksit si ishte, atëhere tragjikomedia do kthehet në një komedi e shpëlarë, e denjë dhe në nivelin e humorit të “Portokallisë“.


Nëse ngrin Adriatiku


“Po ngriu Adriatiku të gjithë me nalla kemi me ik në Itali”
ishte një shprehje e nxjerrë në Shkodër diku nga vitet ’70, që qarkullonte nën zë, por që dëshmonte se sa të pakënaqur ishin njerëzit në kohën e Diktaturës së Hoxhës.

Adriatiku nuk ngriu, por në vitet ’90 shqiptarët e kaluan me vaporë, anije peshkimi dhe me gomone duke rrezikuar jetët vetëm për tu larguar nga vendi. Nuk dihet numuri i saktë i atyre që ikën edhe nga jeta vetëm për t’i shpëtuar mizerjes dhe padrejtësive shoqërore.

Ka kaluar një brez, që nga vitet ’90 dhe disa breza nga koha kur të gjithë ishin të pakënaqur me jetën e vendit. Por edhe sot gjysma e shqiptarëve të anketuar do që të ikë nga Shqipëria! Dhe dihet që të moshuarit e kanë më të vështirë ndaj kjo e bën që numuri i të rinjve, të cilët duan të largohen, të jetë diku në 70%.

Një vend ku shumica e të rinjve do gjejnë çdo mënyrë për tu larguar është një vend me të ardhme të zymtë!

Varfëria dhe mungesa e punës janë faktorët kryesorë, por më i rëndësishmi është humbja e shpresës se mund të ketë përmirësim.

Ndaj edhe pse është e thjeshtë të tregosh me gisht Ramën dhe Rilindjen për gjendjen e vendit, ata nuk janë të vetmit fajtorë. Të rinjtë nuk shpresojnë tashmë tek askush nga brezi i “elitës” së vendit duke futur këtu opozitën, sistemin e drejtësisë, pasunarët, akademikët. Dhe mbi të gjitha kanë humbur besimin edhe në forcat e tyre, që është dëmi më i madh psikologjik që një shoqëri mund t’i bëjë pjesës më produktive dhe më përparimtare të saj.

Ndaj edhe ai mjeku që merr para, edhe pedagogu që shet provimet, edhe taksidari që fut në xhep ryshfetin, edhe ndërtuesi që paguan nën dorë për të prishur lulishten, dhe që mendojnë se kështu po ju krijojnë mundësi fëmijëve të tyre të blenë makina të reja dhe këpucë të shtrenjta, duhet ta kuptojnë se po ju vrasin të ardhmen fëmijëve të tyre.

Kjo është miopia që e ka kthyer Shqipërinë në një tokë, ku të rinjve ju djegin këmbët dhe duan të ikin sa më parë prej saj. Endrra e brezit të fillimit të viteve ’90 (që është edhe brezi im) “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!” u kthye në “aksionin” “ta bëj shtëpinë time me kushte europiane”, që solli edhe korrupsionin stërmadh të brezit tim.

Tani ne që kemi të kaluar të 60-tat dhe kemi përgjegjësinë tonë të madhe për këtë gjendje, mund të justifikohemi duke thënë se “edhe po ngriu Adriatiku, 30% e të rinjve do mbeten në Atdhe!”

 

 

Thursday, 1 July 2021

"Racizmi" grek dhe ne (fund)

 


(vijim)

Viti 1994 solli keqësim të marëdhënieve midis qeverisë greke dhe asaj shqiptare. Propaganda e shfrenuar ndaj mbrojtjes së “Vorio-Epirit”, ndaj të cilit qeveria greke mbyllte edhe sytë dhe veshët arriti kulmin me hyrjen e një komandoje greke në territorin shqiptar, ku vrau dy ushtarakë shqiptarë në atë që quhet masakra e Peshkëpisë. Berisha nga ana e tij u përgjigj me arrestimin e disa përfaqësuesve të organizatës së minoritetit grek “Omonia” dhe marëdhëniet u bënë të ndera, gjë që solli përkeqësimin e gjendjes së emigrantëve shqiptarë në Greqi. Nisën operacionet famëkëqija “Fshesa”, ku policia greke ndalonte shqiptarët, i arrestonte dhe pas disa ditësh i kthente me autobuza në Shqipëri për t’I bërë presion qeverisë shqiptare. Sjelljet e fëlliqura të policisë greke vetëm sa ndezën urrejtjen mes shqiptarëve dhe grekëve se nuk sollën asnjë ndryshim tjetër. Shtuan të ardhurat e trafikantëve të njerëzve në të dy anët e kufirit. Në Greqi kishte nevojë për krahë të lirë pune dhe emigrantët sa ktheheshin në tokën shqiptare mendoni se si të hynin prapë në tokën greke. Pati edhe një numur rastesh shumë të shëmtuara, ku pronarët grekë në bujqësi ose ndërtim, për të mos paguar punëtorët shqiptarë pas disa javësh punë, lajmëronin policinë që të aplikonte “fshesën”.

Në këtë atmosferë kam bërë vizitën e vetme jo si vizitor, por pjesë e një grupi specialistësh nga Bashkia e Korçës për bashkëpunim me Bashkinë e Kardhicës në Thesali. Kardhica ishte një qytet pak më i vogël se Korça, në mes të fushës së Thesalisë, që të kujtonte qytetet e Myzeqesë sonë. Ndenjëm atje gati një javë duke bërë vizita në pika të infrastrukturës së qytetit dhe duke zhvilluar disa seminare të përbashkëta për njohjen më të mirë të problemeve tonat dhe përvojat që grekët kishin kaluar. Ishin ditë mbresëlënëse se na pritën shumë mirë dhe ishin të gatshëm për të na ndihmuar në të ardhmen, për të përfituar nga programet ndërajonale të Bashkimit Europian. Të dukej se ekzistonin dy Greqi, ose më mirë një vend që ndaj fqinjëve kishte dy fytyra të ndryshme. Me dhjetra familjarë të emigrantëve kishin ardhur nga Shqipëria me problem shëndetsore dhe ishin mjekuar në spitalet shtetërore greke. Ndaj në vite u mundova të mbaja në mendje, që nuk duhej të nxitohesha në përfundimet e mija ndaj popullit grek.

Pas humbjes së referendumit për ndryshimin e Kushtetutës, Berisha i mbajti marëdheniet me Greqinë të tensionuara, të paktën në dukje. Se ç’ndodhte në kanalet diplomatike dhe jodiplomatike me Greqinë dhe Turqinë, nuk pasqyrohej në shtypin shqiptar. Turqia e asaj kohe kishte problem ekonomike dhe nuk paraqiste agresivitetin për ekspansion ekonomik në Ballkan sikundër vepron tani në dhjetvjeçarin e Erdoganit. E megjithatë grekët mundoheshin të vazhdonin politikën e tyre tradicionale dritëshkurtër për marëdhënie të mira me të ashtuquajturën Federatë Jugosllave (Sërbi dhe Mal i Zi) dhe marëdhënie të këqija me gjithë fqinjët e tjerë ballkanikë. Por më dritshkurtër ishte politika e Berishës ndaj Greqisë, një shtet brenda të cilit kishte të paktën 500 mijë shqiptarë pa dokumenta dhe pa të drejta si emigrantë. Të ardhurat që hynin në Shqipëri prej atyre që punonin në Greqi ishin me dhjetra million dollarë në vit, një ndihmë shumë e madhe për ekonominë e dobët shqiptare. Por në vend të përpiqej të rregullonte marëdhëniet, Berisha kishte vënë në veprim të plotë ndaj minoritarëve si dhe emigrantëve, SHIK-un e Gazidedes, një njeri i njohur për ndjenjat e forta proislamike dhe antikristiane.

Ndërkohë midis dy popujve, nën ndikimin e mediave, po shtoheshin ndjenjat armiqësore. Në Greqi shqiptarët po portretizoheshin çdo ditë e më shumë si njerëz të lidhur me krimin edhe pse statistikat tregonin se shqiptarët në raport me popullsinë ishin më pak të përzjerë me krimin se grekët, rusët , rumunët dhe të tjera etni. Përçmimi po pasqyrohej tashmë hapur edhe mes brezave të fëmijëve, që më parë nuk ishin të prekur nga ksenofobia. Në shumë raste shkollat refuzonin t’ju jepnin për të mbajtur flamurin në paradën e festës greke fëmijëve shqiptarë edhe pse ishin të parët e shkollës. Klimë mbytëse kishte edhe ndaj grekëve që përkrahnin me të drejtë shqiptarët.

Edhe pse vazhdova të shkoja në Athinë, ndjenja bezdi nga bisedat me grekët dhe qëndrimi i tyre miop ndaj Shqipërisë dhe sidomos ndaj emigrantëve shqiptarë. Mburreshin se kishin pranuar mijëra duke harruar se i kishin pranuar për t’i paguar më pak, ju kishin lëshuar me qera qindra apartamente në bodrume, të cilat më parë i kishin bosh dhe tani ju sillnin të ardhura, rrisnin fëmijët e tyre të vegjël me gra shqiptare që kishin mbaruar universitetet, bankat greke kishin miliona në likuidetete nga kursimet e shqiptarëve dhe plot avantazhe të tjera.

Në vitin 1997 ndenja dy muaj në Athinë në pritje të vizave kanadeze. Isha familjarizuar me qytetin dhe duke lënë pas një shtet të shkërmoqur dhe një shoqëri të traumatizuar dhe në gjendje deliri, Athina më riktheu në jetën normale. Javën e fundit brodha në disa qoshe të qytetit, ku ishin magazinat e manaxhimit të Postës Greke për të kërkuar zarfin me viza të nisura nga Ambasada Kanadeze në Beograd. Më habiti gatishmëria e punonjësve grekë për të më ndihmuar. As në Shqipëri ndoshta nuk do kisha gjetur një ndihmë të atillë. Më 2 të mëngjesit na telefonuan nga njëra prej tyre dhe na thanë që zarfi kishte ardhur dhe mund të shkonim ta merrnim menjëherë. Diçka e tillë mund të ndodhë vetëm në Ballkan.

Arrita nga Athina në Toronto me mallin për Shqipërinë, por edhe për Athinën, ku kisha të afërmit e mij dhe që më ishte kthyer si një vendbanim i dytë. Prej tetorit 1997 dhe më vonë, marëdhëniet vazhduan të mos ishin të mira dhe lexoja në lajmet, që në ndeshjet e futbollit midis ekipeve kombëtare të dy vendeve hidheshin parrulla plot urrejtje. Qëllova në Korçë gjatë kampionatit europian të futbollit të vitit 2004, kur Greqia fitoi dhe pashë që askush nuk donte të fitonte ekipi grek. Diçka thellë ishte krisur në një dyzinë vitesh midis popujve tanë.

Shpesh pyes veten se si do ishim sjellë ne me grekët nëse pozitat do ishin të përmbysura. Do ishim të ndryshëm? Nuk gjej asnjë arsye ta besoj këtë. Të dy palët kemi të njëjtën mendësi të prapambetur ballkanike, e cila pas kohëve të para të ndihmës ndaj tjetrit, kthehet në një ndjenjë marroke superioriteti. Të dy palët kemi administrata të korruptueshme dhe qeveri të mbushura me karrieristë gënjeshtarë, që e kanë shumë të lehtë që për fajet e tyre të drejtojnë gishtin tek fqinji.

Mendoj edhe se me kohën, marëdhëniet do përmirësohen sepse shqiptarët që jetojnë në Greqi do shërbejnë si një lidhje e fortë midis dy vendeve. Shumë prej tyre kanë bërë martesa dhe lidhje të tjera me grekët dhe gjithashtu po rritet një brez I tërë që i konsideron të dy vendet si atdhe. Nuk më duket e mundshme që shqiptarët që punojnë në Greqi të asimilohen. Në disa dhjetvjeçarë edhe diferencat ekonomike të dy vendeve do ngushtohen dhe të gjithë do kuptojnë se respekti i ndërsjelltë është më i mirë se urrejtja.