Thursday, 12 January 2012

Albin Kurti, Bisnesmeni saudit dhe kalendari Maja.



Sepse mu bashkuan keto tre gjëra në kokën time të çorbavitur, jo aq nga pagesa r lartë për ndrimin e motorrit të makinës, se sa nga suprat e shpëlara me barrishte, që po ha për të rënë nga pesha. Në të njëjtën faqe interneti, Albin Kurti shpjegon pse duhet bllokuar kufiri i Kosovës me Sërbinë për mallrat serbe, Bisnesmeni i falimentuar saudit do të shesë djalin e vetëm për 20 milion dollarë dhe gjendet njoftimi për pllakën e dytë Maja që konfirmon fundin e botës më 21 dhjetor të këtij viti.
Pak a shumë kjo është bota sot, më 12 janar 2012. Ndonëse e konfirmuar që po i vjen fundi kësaj "jallan dynjaje", Albin Kurti do të pengojë patatet serbe të hyjnë në Kosovë, që të marrë vrull rritja e patateve kosovare; Biznesmeni saudit kërkon një çmim të arsyeshëm për mallin-bir dhe më gomari, që jam unë, në vend të shijoj mishra e djathra me kolesterol sa më të lartë, po cfilitem shpirtërisht e barkërisht duke ngrënë supë me karrota!
Botës vërtet po i vjen fundi!
Po jo se është shkruar në pllakat e Majave.
Botës i vjen fundi kur një baba jo vetëm do të shesë djalin, por këtë e bën hapur, në sytë e gjithë botës.
Botës i vjen fundi, kur njerëz të marrë si Albin Kurti, që kërkon moskëmbimin e gjërave midis njerëzve, ndryshe nga ç'është bërë për 6-7 mijë vjet, ka 30% të elektoratit të një vendi pas.
Botës i vjen fundi edhe kur mesoburrat fillojnë të hanë supë me karrota në kërkim të një rinie, që ka kohë që ka perënduar!

Wednesday, 11 January 2012

Nje Parti e deshtuar ne embrion.



Dy tre vjet më parë, kam menduar, që një parti e qendrës së djathtë, e mbështetur nga bizneset e mëdha, jo vetëm duhet të krijohet por është mirë edhe të vijë në pushtet në Shqipëri. Një parti liberale, që do sillte liberalizimin e gjithë jetës së vendit, duke filluar nga zvogëlimi i Institucioneve shtetërore të qendrës, në rritjen e autonomisë të vendorëve dhe sidomos në ligjet ekonomike që mund të sjellin rritjen e investimeve të fondeve të vendit dhe të atyre të jashtme.
Mefgjithëse e kam quajtur një ide gati utopike, sepse klasa politike, por edhe klasa e pasur që është më e interesuara nuk kanë prirje ta bëjnë, kam menduar që ende në Shqipëri ka njerëz me mend që duan ta kthejnë në një vend normal sepse jetojnë aty dhe kanë se ç'të humbin.
Duket që një parti e këtij lloji mund të krijohet në qershor, nga disa njerëz të PD-së, të cilët i ka larguar Berisha. Në krye qëndrojnë Bamir Topi dhe Aleksandër Biberaj. Jo thjesht për arsye organizative apo për sulmet që do ketë nga PD-ja, partia e re e djathtë është e dështuar. Dy njerëzve kryesorë të saj ju mungon kredibiliteti, pikërisht për faktin që kanë qëndruar pranë Berishës në vitin 1997. Eshtë një fakt i mjaftueshëm për të diskretituar politikisht Pollon, Topallin, Boden, Bejën si dhe Topin e Biberajn. Cdo justifikim i tyre, që qëndruan në PD për të mos tradhëtuar të djathtën apo për antikomunizëm është një alibi e rreme për të justifikuar përuljen e kurrizit deri aty ku nuk mban. Në vitin 1997, njerëzit që qëndruan në PD, jo vetëm u përulën para vendimit të Berishës për të shkatërruar shtetin, për të futur vendin në një Luftë Civile, por as tentuan pas gjithë katrahurës të riorganizonin PD-në duke mënjanuar shkaktarin dhe duke treguar që ishin një forcë serioze politike.
Tani ata janë  pak të besueshëm për elektoratin e moderuar që kërkon të ndjekë një forcë politike të ndryshme nga ekzistueset dhe as elektoratin e djathtë, që i konsideron tradhëtarë.
Them që në zgjedhjet e ardhshme, nuk do shkojnë më shumë se pragu i 4 %, ndaj do nbeten një faktor i parëndësishëm në jetën politike shqiptare.
Në më pak se 18 muaj që mbeten, e vetmja mënyrë për të krijuar një Pol të tretë, është zbritja në arenën politike e një njeriu të pasur, karizmatik dhe me mbështetje nga bizneset, i cili mund të tërheqë një elektorat prej 15-25%, të njerëzve të zhgënjyer nga Berisha e Rama. Për fat të keq, ende as në Shqipëri dhe as në Diasporë, ndonjë njeri i pasur nuk ka shfaqur ambicien për të bërë një gjë të tillë. Kështu që ky kapitull në jetën politike shqiptare, mbetet të hapet në vitin 2017. Më 2013, mendoj se do ketë përsëri një ekuilibër të forcave dhe do varet sërish nga Meta se kush do bëhet Kryeminstër.
Parashikim pesimist, por më duket si më pranë të së vërtetës!

Tuesday, 10 January 2012

Rreth vetvrasjes.



Nuk dua të filozofoj rreth vetvrasjes, se për të duhet të jetë shkruar shumë, por vetë nuk jam shumë i nxënë në këtë temë. Mora shkas nga tentativa e Ardian Klosit dhe pasqyrimi i saj në shtypin shqiptar dhe ju ktheva atyre pak gjërave, që di dhe kam ndjerë kur vrau veten im atë e më vonë.
Shoqëria njerëzore e dënon largimin me dëshirë nga jeta. Edhe në kohët moderne, nuk di nëse të jetuarit apo jo hyn në të drejtat e njeriut. ka filluar me dënimin e ashpër që i bënin fetë monoteiste dhe ndoshta mirë bënin. Nuk di nëse nuk do dënohej nga feja do kishte rritje të të vetëvrarëve apo jo. Në shoqërinë komuniste, tentativa dënohej edhe penalisht dhe nuk di se sa përbën vepër penale sot në kodet e vendeve të zhvilluara. Për një antar partie vetvrasja ishte edhe dezertim nga rradhët e saj dhe braktisje e idealit. Para një javë, mbylli sytë kritiku Adriatik Kallulli, i cili në rininë e tij kishte tentuar të vetvritej, por kishte shpëtuar. Në spital, kishte qëlluar Mehmet Shehu që vizitonte dikë tjetër dhe nuk i kishte lënë fjalë pa thënë studentit Kallulli, që ishte duke u mjekuar. 20 vjet më vonë, kryeministri vrau veten!
Njoftimi në shtyp për Klosin, ishte në fillim "toksikim" nga ilaçet! Vetë mendoj, që ndaj këtyre temave, shtypi duhet të rrijë larg, për të respektuar të sëmurin e familjen e tij. Por ama kur shkruan shkruaj të vërtetën! Pirja e një sasie të madhe antidepresivësh dhe alkol është rasti klasik i vetvrasjeve sot, sidomos i grave. Fati i Klosit dhe i familjes së tij që shpëtoi. Por në një gazetë tjetër, lexon që e shoqja, ndonëse gjermane, deklaron që Ardiani nuk ka tentuar, por ka qënë i stresuar dhe ka pirë shumë ilaçe!
Dhe këtu vijmë tek TURPI!
Ndienja e turpit, që është më e theksuar në provincialët dhe në injorantët, e ndonjëherë jo vetëm tek ta. Të kesh një të sëmurë mendor në familje, nuk është vetëm dhimbje por edhe turp. Kuptohet, që stigmatizimi qindravjeçar i sëmundjeve mendore e ka bërë të tijën, por edhe sot kur dihet më shumë rreth tyre dhe sëmundjeve dhe trashëgimit të tyre, përsëri vazhdohet me të njëjtin mentalitet?
Një nga ngjarjet më absurde dhe më të "poshtra" që kam qëlluar të mësoj, ka qënë mbulimi i një vetvrasjeje në vitin 1997 në Korçë. Në një familje disi të madhe, me dy mjekë, djali i vogël beqar, pas disa kohësh i mënjanuar vetë nga jeta, i dha fund në kohën kur sa kishte filluar përmbysja e atij viti. I vëllai mjek, me ndihmë edhe të dy tre kolegëve, e ktheu në një vdekje nga infarkti!
Pa dashur të hyj në problemet ligjore që dalin nga një veprim i tillë, ajo që më shqetëson është marrëzi-poshtërsia e vëllait-mjek e ndoshta edhe e babait-mjek. C'dobi kishte ajo shfaje e shëmtuar? I larguari, ishte i njohur nga të tjerët si njeriu më i mirë i asaj familje. C'turp bëri ai që donte t'ja mbulonte i vëllai? Po a mundi me atë mbulim, të ndërpriste trashëgiminë e mundshme të depresionit tek breza të tjerë të asaj familjeje?

Njeriu nuk duhet të largohet vetë nga jeta! Mbase ka raste ekstreme kur jeta nuk ka vërtet më asnjë kuptim, ose është një vuajtje e papërballueshme. Por, edhe në ato raste, natyra e ka mekanizmin e bjerrjes të shëndetit. E megjithatë, ata që vetvriten ose ata që tentojnë nuk duhen përçmuar. Duhen ndihmuar duke ju kërkuar edhe të mësojmë më shumë prej tyre se çndodh, që dorëzon gjënë më të çmuar që ke.

Thursday, 5 January 2012

130 vjetori i Nolit.

SYRGJYN GJALLE E SYRGJYN VDEKUR


Nesër është 130 vjetori i shqiptarit më të talentuar, më inteligjent e më të cuditshëm të shekullit të XX-të. Hirësisë të tij Fan Stilian Nolit.
Sipas shtypit shqiptar, një bust i tij(me siguri shtatore se është 2.8 m e lartë) do vendoset në Ibrik Tepe të Turqisë ku u lind. Ibrik Tepeja numuron sot 1700 banorë e me siguri asnjë shqiptar.
Dua ta ndal vrullin e kritizerit, se nuk e di për ç'arsye, Ministria e Kulturës e jona e kabërë këtë zgjidhje. Me sa di, një bust i tij ngrihet pranë Akademisë të Shkencave në Tiranë dhe kaq. Në Korçë i është vënë emri Universitetit, por nuk ka ndonjë shtatore apo bust të tij. Nuk besoj të ketë të tillë as në Boston. Dhe bëhet fjalë për më shqiptarin mes shqiptarëve, të përkushtruar ndaj shqiptarizmës edhe pse nuk kishte jetuar në Shqipëri dhe nuk kishte as prona, as familje apo të afërt.
Kryeministri i sotëm, ka deklaruar se do ngrerë në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, disa monumente të patriotëve shqiptarë, por Noli nuk bën pjesë mes tyre.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, ka sjellë dhjetra skulptura parku pa ndonjë vlerë artistike në qytet, por nuk kujtohet për 130 vjetorin e Nolit apo 110 vjetorin e Pavarësisë, të ngrerë monumentin për deputetin e Korçës dhe themeluesin e Kishës Ortodokse Autoqefale.
Në qarqet kishtare, edhe pse nuk sulmohet hapur, figura e Hirësisë së tij nuk është shumë i dëshëruar edhe pse ka sjellë Ungjillin në shqip dhe ka afruar besimtarët në fjalët dhe mesazhin e fesë.
Një shtatore e madhe ngrihet për atë që e dënoi me vdekje Nolin në  Burrel e jo në Burgajet, ku ka lindur, ndërsa shtatorja e bronxët e Peshkopit dërgohet në Ibrik Tepe, ku do e shohin 1700 turq.
Fan Noli nuk ka nevojë për hosanara. Ka bërë aq shumë gjatë jetës së tij, që do ja kishte zilinë çdo erudit në botë. Jemi ne shqiparët që kemi nevojë për Nolin. Për atë që donte të na nxirrte nga "syrgjyni" ku e kishim lënë veten e të na sillte në "tokën e premtuar" të lirisë.
Ndoshta edhe vetë Urata, që ishte njeri me shumë humor, nuk do e mbajë dot të qeshurën në bronx, kur ta zbulojnë para Ibriktepistave të Edrenesë.

Kreshniket e rrezikshem.

RREZIKU QE SJELL ALEANCA KUQ E ZI


Dyshja krizë ekonomike-nacionalizëm ekstrem, është për fatin e keq të njerëzimit dhe sidomos të Europës, një dukuri e njohur dhe e sukseshme në kuptimin e keq të kësaj fjale. Shenjat e qarta duken që nga ish-republikat sovjetike e deri në Norvegji. Zgjatemi, po të analizojmë shkaqet e krizës botërore dhe asaj Europiane, sepse janë të shumta dhe nuk e kanë rrënjën vetëm në të metat e sistemit kapitalist, spekullimet në bursa, lakmia e më të pasurve apo në korrupsioni i klasave politike. Na intereson rajoni i Ballkanit, i cili tradicionalisht është më delikat se të gjithë të tjerët.
Kriza ekonomike e Europës do jetë e gjatë. Këtë e pranojnë të gjithë.
Për vendet e Ballkanit në përgjithësi dhe për Shqipërinë në veçanti do të thotë më pak investime të huaja dhe më pak kredi. Zaten kreditë për qeveritë janë shtrënguar kudo në  botë dhe më shumë akoma për qeveri të korruptuara si këto të Ballkanit. Njerëzit janë plotësisht të zhgënjyer dhe duke kërkuar Shpresën, i zgjatin duart drejt të parës gjë të ndryshme që shfaqet në horizont. E njohur për të tjerët por jo për Shqipërinë, kjo është fantazma e Nacionalizmit Shqiptar në formën e një Shoqate që shpejt do kthehet në Parti. Eshtë Aleanca Kuq e Zi e kryesuar nga një figurë, që diku e kam quajtur Miki Maus, dhe që është juristi Kreshnik Spahiu. Unë nuk e di se kush e financon Aleancën Kuq e Zi, sepse duket që luftohet edhe nga qeveria e Berishës. Duhet të ketë edhe rrethe biznesmenësh, të interesuar për një lloj peshe të Shqipërisë në rajon, megjithëse më duket alogjike që njerëzit e biznesit t'i fryjnë urëve të nacionalizmit.
Po përse është e dëmshme lëvizja Kuq e zi që do kthehet në Parti politike?
Si të gjitha lëvizjet e vjetra dhe të reja të këtij lloji ajo operon me manipulimin e ndienjës të atdhedashurisë. Njeriu është i ndjeshëm për padrejtësitë që i ka bërë historia njerëzve të fisit e të kombit të tij dhe kërkon DREJTESI.
Për më tepër, klasa politike e korruptuar, që vërtet është për tu fajësuar si shkaktare e gjendjes, akuzohet se është gjunjëzuar para fqinjëve armiq, ose më keq akoma ka qënë agjente e tyre. Thuhet hapur që këta njerëz nuk mendojnë për popullin dhe për vendin, por thjesht për xhepat e tyre. Atëhere le të vemë në pushtet patriotët idealistë, që këndojnë këngë për Atdheun ose që mbajnë fjalime mishngjethëse shesheve, pallateve të sportit apo sallave të mëdha ku pihet birrë!
Në dukje si dashuria për familjen, qytetin apo krahinën, mesazhi i ashtuquajtur kombëtar që sjellin lëvizje të këtij lloji(Tek ne quhet Kuq e Zi, në Sërbi, Maqedoni, Greqi, Bullgari, Kroaci kanë emra të tjerë) është i mbështetur në urrejtjen ndaj të huajve, ose në ndienjën e revanshit në rastin më të mirë. Në shumicën e rasteve të lëvizjeve nacionaliste të shekullit të XX-të, udhëheqësit e tyre kanë qënë gënjeshtarë të klasit të parë, që kanë ardhur në pushtet, kanë shfrytëzuar energjitë pozitive që çlirohen nga popullsitë dhe i kanë zhytyr vendet e tyre në një situatë më të keqe ekonomike që ka sjellë detyrimisht luftrat.
I trembem shumë këtij gjallërimi në Shqipëri dhe faktit që Albin Kurti dhe Kreshnik Spahiu, janë shpallur shqiptarët më të besueshëm për vitin që shkoi.
Personalisht mendoj që bashkimi i dy shteteve shqipatre duhet të bëhet me shumë kujdes. edhe shteti ynë, që quhet 100 vjeçar, thuajse asnjëherë nuk ka qënë shtet. Ka kaluar dy lloj regjimesh, njëri një përzjerje mbretëri-diktaturë e djathtë e tjetri një diktaturë e majtë ekstreme dhe po kalon një periudhë të formimit të shtetit, që për arsye normale dhe anormale do zgjatë. Kosova është shtet i ri dhe me dhjetra probleme të saj që lidhen me korrupsionin, me mosndëshkimin e krimeve të luftës, me lidhjet politikë-krim i organizuar, si dhe me probleme të tjera të minoriteteve. Jo thjesht për koniuktura ndërkombëtare apo për probleme kufijsh, dy shtetet shqiptare nuk duhet të bashkohen të paktën për një periudhë dhjetvjeçare. Eshtë në të keqen e popullit tonë krijimi i një shteti të vetëm nga dy pjesë qeverisëse të përçudnuara që nuk janë ende shtete vetë.
Bashkimi i dy pjesëve në një shtet të vetëm, duhet të jetë një proçes që duhet të nisë me studime të plota e serioze të dy Akademive shqiptare të Shkencave dhe të ndihmuara edhe nga Institucione Studimore të huaja të specializuara.
Në të kundërt, rrezikojmë të fillojmë t'i vemë zjarrin vendit dhe Ballkanit, edhe pse nuk e kemi bërë deri tani, por kanë qënë të tjerët zjarrvënësit.



Wednesday, 4 January 2012

Rrugetimi i Olsit dhe pak grindje ne makine.

Ndoshta se udhëtimi nga Popova Shapka në Tiranë, nga Blu Mountain në Toronto apo nga Mecovo në Athinë është i gjatë, apo nga që Olsi mbante një fytyrë të trishtuar, prej dhembjeve në kërbishtje, të shkaktuar nga njëra prej rënieve në pistën e ngrirë, e jëma dhe i jati flasin pa ndërprerje se sa mirë do ishte të gjenin një mënyrë shkollimi  të përkryer për kanakarin e tyre në ndenjësen e pasme.
            Olsi-mama i hedh shpesh vështrime plot dashuri të shoqit, që duket tepër burrëror edhe pse me mollëza të skuqura nga të ftohtit dhe mendon sa mirë do ishte sikur Olsi t'i ngjajë të jatit dhe të kishte ndjeshmërinë dhe inteligjencën e saj. Prandaj dhe ndul këmbë që ai të shkojë në shkollën private "Kristal", ku formimi akademik spikat mbi atë të sjkollave të tjera të qytetit. për më tepët, prej një viti ata kanë edhe një program pilot për zhdrërvjellësim artistik të memories. Olsi-baba i përgjigjet që ndryshimi në rezultatet e formimit akademik të nxënësve nuk janë aq të ndryshme nga shkollat publike, sa të justifikojnë pagesën e lartë. Për më tepër, mësuesit janë të të njëjtit niveli ,bile paguhen edhe disi më pak, e pjesë e stafit të "Kristalit" është një e njohura e tij që ka mbaruar me 9.99, po që nuk ka dy para mend në kokë. E shoqja e kundërshton butë, duke thënë që paratë nuk duhen bërë pengesë për edukimin e djalit të vetëm dhe në "Kristal" nuk njihet fare dukuria e "bullying", si dhe rastet e përdorimit të drogës janë më të pakta. I shoqi i përgjigjet që në jetë do ketë edhe njerëz që do i sulmojnë, do ketë edhe drogë dhe se ajo nuk e di se ç'fëmijë do të rritë.
            Kjo kthesë e bisedës e tmerron gjashtëvjeçarin në ndenjësen e pasme, i cili e di që pas pak do zihen dhe e jëma do fillojë të qajë thjesht për fajin e tij, që nuk është trim sa duhet. Për më tepër e tremb edhe idea se ç'do bëjë kur të rritet në atë botë plot armiq dhe ku nuk e lenë të bëhet kuzhinier.
            E jëma hesht për disa minuta dhe fillon me një ton pajtues të tregojë se sa nga njerëzit e shquar të biznesit dhe medias kanë kaluar në bangat e "Kristal", ndërsa i jati nuk përgjigjet po mban nofullat e shtrënguara dhe lëshon nga një "pfff" për çdo emër. Atëhere ajo ngre zërin dhe ankohet që i gjithë edukimi i të birit ka rënduar mbi shpatullat e saj dhe ai di vetëm të punojë e të kalojë kohën e lirë duke parë sport, ose po të jetë në Shqipëri duke vënë baste. Ai i hedh një vështrim jo dashamirës, i cili e nervozon atë më shumë dhe fillon t'i hedhë fajin cinizmit dhe ateizmit të tij, si dhe vetes që e kishte dëgjuar për të mos e pagëzuar Olsin, kur tani mund të kishin edhe kumabrën ose pastorin, që mund t'i ndihmonte për zgjedhjen e shkollimit të duhur.
            Dërgoje të bëhet prift, e mbyll diskutimin Olsi-baba, gjë që e tmerron më shumë gjashtëvjeçarin e strukur në ndenjësen e pasme të Volksvagenit, edhe pse e di që ka pak mundësi të shkojë në një shkollë priftërinjsh.

Tuesday, 3 January 2012

Rrugetimi i Olsit(Pyetje pa Pergjigje)

Le ta lemë Olsin dhe prindrit e tij, në një pistë skish, ku po festojnë ndrimin e viteve, në Kolorado, Malin Blu, Mecovo apo ne Shapkën e Priftit, ndonëse edhe atje, ndërsa e shohin të bjerë shpesh duke rrëshqitur, nëna e ati diskutojnë nëse për forcimin e trupit i duhet dhënë përparësi stërvitjes së Olsit në grup apo asaj individuale.
            Le të fillojmë e të shtjellojmë pyetjet që kemi për njëri tjetrin ndërsa lexojmë pjesët e para të "Rrugëtimit". Mbase kjo pjesë do ju ngjajë fundeve të kapitujve, në dispensat e shpifura të shkollës, por është një e keqe nga e cila nuk shpëtojmë dot ne të rriturit. Jemi të molepsur.
            Pyetja e parë që dikujt i vjen ndërmend është se ç'pa Olsi në Banjon Publike, që i heq atij mundësinë për tu bërë një mjek i mirë në të ardhmen, po kjo është një pyetje kot, që s'ka të bëjë me diskutimin rreth shkollimit të 6 vjeçarit.
            "Mua më duket plani i së jëmës i llogjikshëm dhe i dobishëm apo jo?" është një lloj deklarate e pasigurt e dikujt tjetër, që gjen një balancë të mirë mes përgatitjes trupore dhe asaj akademike të Olsit, në planin për mësim kitare, gjuhe të huaj, dhe stërvitje futbolli mbi mësimet në shkollën e sprovuar private. Plani nuk është i pallogjikshëm nëse e konsiderojmë 6 veçarin një lodër të cilën e duam marrëzisht po duam të na ngjasë, të na i kalojë, ose të arrijë ato "suksese”, që i kemi ëndërruar po nuk i kemi arritur dot vetë. Po a e bëjmë ne planin e edukimit të pasardhësit, me një lloj pasigurie dhe frike? Bëhet fjalë për brumosjen e një njeriu dhe një njeriu të cilin e duam edhe më shumë se veten.
Një pyetje tjetër e natyrshme është "Po i jati a nuk rri si shumë larg Olsit dhe nuk përpiqet t'i mësojë gjëra që janë të domosdoshme për një fëmijë gjashtë vjeç?" Sigurisht, që i jati ka si detyrë kryesore të sjellë në shtëpi mjetet e jetesës dhe meqë në Amerikën e Veriut do ikë pa u zgjuar Olsi nga gjumi dhe do kthehet kur të hanë darkë, ndërsa në Shqipëri e Greqi do kthehet po në darkë, ama i ngrënë e i pirë e do shtrihet të marë një dremkë në kolltukun tresh, atëhere nuk mbetet shumë kohë për Olsin, veç uikendit. Fundjavat do kalohen edhe me familje të tjera në pikat turistike, ku të gjithë do kënaqen sipas qejfit të tyre, ndërsa i vogli gjshtëvjeçar do dëgjojë për shoqet e shkollës së Anas dhe do përpiqet të mos klithë si çakall.
(vijon)