Thursday, 5 January 2012

Kreshniket e rrezikshem.

RREZIKU QE SJELL ALEANCA KUQ E ZI


Dyshja krizë ekonomike-nacionalizëm ekstrem, është për fatin e keq të njerëzimit dhe sidomos të Europës, një dukuri e njohur dhe e sukseshme në kuptimin e keq të kësaj fjale. Shenjat e qarta duken që nga ish-republikat sovjetike e deri në Norvegji. Zgjatemi, po të analizojmë shkaqet e krizës botërore dhe asaj Europiane, sepse janë të shumta dhe nuk e kanë rrënjën vetëm në të metat e sistemit kapitalist, spekullimet në bursa, lakmia e më të pasurve apo në korrupsioni i klasave politike. Na intereson rajoni i Ballkanit, i cili tradicionalisht është më delikat se të gjithë të tjerët.
Kriza ekonomike e Europës do jetë e gjatë. Këtë e pranojnë të gjithë.
Për vendet e Ballkanit në përgjithësi dhe për Shqipërinë në veçanti do të thotë më pak investime të huaja dhe më pak kredi. Zaten kreditë për qeveritë janë shtrënguar kudo në  botë dhe më shumë akoma për qeveri të korruptuara si këto të Ballkanit. Njerëzit janë plotësisht të zhgënjyer dhe duke kërkuar Shpresën, i zgjatin duart drejt të parës gjë të ndryshme që shfaqet në horizont. E njohur për të tjerët por jo për Shqipërinë, kjo është fantazma e Nacionalizmit Shqiptar në formën e një Shoqate që shpejt do kthehet në Parti. Eshtë Aleanca Kuq e Zi e kryesuar nga një figurë, që diku e kam quajtur Miki Maus, dhe që është juristi Kreshnik Spahiu. Unë nuk e di se kush e financon Aleancën Kuq e Zi, sepse duket që luftohet edhe nga qeveria e Berishës. Duhet të ketë edhe rrethe biznesmenësh, të interesuar për një lloj peshe të Shqipërisë në rajon, megjithëse më duket alogjike që njerëzit e biznesit t'i fryjnë urëve të nacionalizmit.
Po përse është e dëmshme lëvizja Kuq e zi që do kthehet në Parti politike?
Si të gjitha lëvizjet e vjetra dhe të reja të këtij lloji ajo operon me manipulimin e ndienjës të atdhedashurisë. Njeriu është i ndjeshëm për padrejtësitë që i ka bërë historia njerëzve të fisit e të kombit të tij dhe kërkon DREJTESI.
Për më tepër, klasa politike e korruptuar, që vërtet është për tu fajësuar si shkaktare e gjendjes, akuzohet se është gjunjëzuar para fqinjëve armiq, ose më keq akoma ka qënë agjente e tyre. Thuhet hapur që këta njerëz nuk mendojnë për popullin dhe për vendin, por thjesht për xhepat e tyre. Atëhere le të vemë në pushtet patriotët idealistë, që këndojnë këngë për Atdheun ose që mbajnë fjalime mishngjethëse shesheve, pallateve të sportit apo sallave të mëdha ku pihet birrë!
Në dukje si dashuria për familjen, qytetin apo krahinën, mesazhi i ashtuquajtur kombëtar që sjellin lëvizje të këtij lloji(Tek ne quhet Kuq e Zi, në Sërbi, Maqedoni, Greqi, Bullgari, Kroaci kanë emra të tjerë) është i mbështetur në urrejtjen ndaj të huajve, ose në ndienjën e revanshit në rastin më të mirë. Në shumicën e rasteve të lëvizjeve nacionaliste të shekullit të XX-të, udhëheqësit e tyre kanë qënë gënjeshtarë të klasit të parë, që kanë ardhur në pushtet, kanë shfrytëzuar energjitë pozitive që çlirohen nga popullsitë dhe i kanë zhytyr vendet e tyre në një situatë më të keqe ekonomike që ka sjellë detyrimisht luftrat.
I trembem shumë këtij gjallërimi në Shqipëri dhe faktit që Albin Kurti dhe Kreshnik Spahiu, janë shpallur shqiptarët më të besueshëm për vitin që shkoi.
Personalisht mendoj që bashkimi i dy shteteve shqipatre duhet të bëhet me shumë kujdes. edhe shteti ynë, që quhet 100 vjeçar, thuajse asnjëherë nuk ka qënë shtet. Ka kaluar dy lloj regjimesh, njëri një përzjerje mbretëri-diktaturë e djathtë e tjetri një diktaturë e majtë ekstreme dhe po kalon një periudhë të formimit të shtetit, që për arsye normale dhe anormale do zgjatë. Kosova është shtet i ri dhe me dhjetra probleme të saj që lidhen me korrupsionin, me mosndëshkimin e krimeve të luftës, me lidhjet politikë-krim i organizuar, si dhe me probleme të tjera të minoriteteve. Jo thjesht për koniuktura ndërkombëtare apo për probleme kufijsh, dy shtetet shqiptare nuk duhet të bashkohen të paktën për një periudhë dhjetvjeçare. Eshtë në të keqen e popullit tonë krijimi i një shteti të vetëm nga dy pjesë qeverisëse të përçudnuara që nuk janë ende shtete vetë.
Bashkimi i dy pjesëve në një shtet të vetëm, duhet të jetë një proçes që duhet të nisë me studime të plota e serioze të dy Akademive shqiptare të Shkencave dhe të ndihmuara edhe nga Institucione Studimore të huaja të specializuara.
Në të kundërt, rrezikojmë të fillojmë t'i vemë zjarrin vendit dhe Ballkanit, edhe pse nuk e kemi bërë deri tani, por kanë qënë të tjerët zjarrvënësit.



No comments:

Post a Comment