Thursday, 5 January 2012

130 vjetori i Nolit.

SYRGJYN GJALLE E SYRGJYN VDEKUR


Nesër është 130 vjetori i shqiptarit më të talentuar, më inteligjent e më të cuditshëm të shekullit të XX-të. Hirësisë të tij Fan Stilian Nolit.
Sipas shtypit shqiptar, një bust i tij(me siguri shtatore se është 2.8 m e lartë) do vendoset në Ibrik Tepe të Turqisë ku u lind. Ibrik Tepeja numuron sot 1700 banorë e me siguri asnjë shqiptar.
Dua ta ndal vrullin e kritizerit, se nuk e di për ç'arsye, Ministria e Kulturës e jona e kabërë këtë zgjidhje. Me sa di, një bust i tij ngrihet pranë Akademisë të Shkencave në Tiranë dhe kaq. Në Korçë i është vënë emri Universitetit, por nuk ka ndonjë shtatore apo bust të tij. Nuk besoj të ketë të tillë as në Boston. Dhe bëhet fjalë për më shqiptarin mes shqiptarëve, të përkushtruar ndaj shqiptarizmës edhe pse nuk kishte jetuar në Shqipëri dhe nuk kishte as prona, as familje apo të afërt.
Kryeministri i sotëm, ka deklaruar se do ngrerë në Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, disa monumente të patriotëve shqiptarë, por Noli nuk bën pjesë mes tyre.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, ka sjellë dhjetra skulptura parku pa ndonjë vlerë artistike në qytet, por nuk kujtohet për 130 vjetorin e Nolit apo 110 vjetorin e Pavarësisë, të ngrerë monumentin për deputetin e Korçës dhe themeluesin e Kishës Ortodokse Autoqefale.
Në qarqet kishtare, edhe pse nuk sulmohet hapur, figura e Hirësisë së tij nuk është shumë i dëshëruar edhe pse ka sjellë Ungjillin në shqip dhe ka afruar besimtarët në fjalët dhe mesazhin e fesë.
Një shtatore e madhe ngrihet për atë që e dënoi me vdekje Nolin në  Burrel e jo në Burgajet, ku ka lindur, ndërsa shtatorja e bronxët e Peshkopit dërgohet në Ibrik Tepe, ku do e shohin 1700 turq.
Fan Noli nuk ka nevojë për hosanara. Ka bërë aq shumë gjatë jetës së tij, që do ja kishte zilinë çdo erudit në botë. Jemi ne shqiparët që kemi nevojë për Nolin. Për atë që donte të na nxirrte nga "syrgjyni" ku e kishim lënë veten e të na sillte në "tokën e premtuar" të lirisë.
Ndoshta edhe vetë Urata, që ishte njeri me shumë humor, nuk do e mbajë dot të qeshurën në bronx, kur ta zbulojnë para Ibriktepistave të Edrenesë.

No comments:

Post a Comment