Wednesday, 4 January 2012

Rrugetimi i Olsit dhe pak grindje ne makine.

Ndoshta se udhëtimi nga Popova Shapka në Tiranë, nga Blu Mountain në Toronto apo nga Mecovo në Athinë është i gjatë, apo nga që Olsi mbante një fytyrë të trishtuar, prej dhembjeve në kërbishtje, të shkaktuar nga njëra prej rënieve në pistën e ngrirë, e jëma dhe i jati flasin pa ndërprerje se sa mirë do ishte të gjenin një mënyrë shkollimi  të përkryer për kanakarin e tyre në ndenjësen e pasme.
            Olsi-mama i hedh shpesh vështrime plot dashuri të shoqit, që duket tepër burrëror edhe pse me mollëza të skuqura nga të ftohtit dhe mendon sa mirë do ishte sikur Olsi t'i ngjajë të jatit dhe të kishte ndjeshmërinë dhe inteligjencën e saj. Prandaj dhe ndul këmbë që ai të shkojë në shkollën private "Kristal", ku formimi akademik spikat mbi atë të sjkollave të tjera të qytetit. për më tepët, prej një viti ata kanë edhe një program pilot për zhdrërvjellësim artistik të memories. Olsi-baba i përgjigjet që ndryshimi në rezultatet e formimit akademik të nxënësve nuk janë aq të ndryshme nga shkollat publike, sa të justifikojnë pagesën e lartë. Për më tepër, mësuesit janë të të njëjtit niveli ,bile paguhen edhe disi më pak, e pjesë e stafit të "Kristalit" është një e njohura e tij që ka mbaruar me 9.99, po që nuk ka dy para mend në kokë. E shoqja e kundërshton butë, duke thënë që paratë nuk duhen bërë pengesë për edukimin e djalit të vetëm dhe në "Kristal" nuk njihet fare dukuria e "bullying", si dhe rastet e përdorimit të drogës janë më të pakta. I shoqi i përgjigjet që në jetë do ketë edhe njerëz që do i sulmojnë, do ketë edhe drogë dhe se ajo nuk e di se ç'fëmijë do të rritë.
            Kjo kthesë e bisedës e tmerron gjashtëvjeçarin në ndenjësen e pasme, i cili e di që pas pak do zihen dhe e jëma do fillojë të qajë thjesht për fajin e tij, që nuk është trim sa duhet. Për më tepër e tremb edhe idea se ç'do bëjë kur të rritet në atë botë plot armiq dhe ku nuk e lenë të bëhet kuzhinier.
            E jëma hesht për disa minuta dhe fillon me një ton pajtues të tregojë se sa nga njerëzit e shquar të biznesit dhe medias kanë kaluar në bangat e "Kristal", ndërsa i jati nuk përgjigjet po mban nofullat e shtrënguara dhe lëshon nga një "pfff" për çdo emër. Atëhere ajo ngre zërin dhe ankohet që i gjithë edukimi i të birit ka rënduar mbi shpatullat e saj dhe ai di vetëm të punojë e të kalojë kohën e lirë duke parë sport, ose po të jetë në Shqipëri duke vënë baste. Ai i hedh një vështrim jo dashamirës, i cili e nervozon atë më shumë dhe fillon t'i hedhë fajin cinizmit dhe ateizmit të tij, si dhe vetes që e kishte dëgjuar për të mos e pagëzuar Olsin, kur tani mund të kishin edhe kumabrën ose pastorin, që mund t'i ndihmonte për zgjedhjen e shkollimit të duhur.
            Dërgoje të bëhet prift, e mbyll diskutimin Olsi-baba, gjë që e tmerron më shumë gjashtëvjeçarin e strukur në ndenjësen e pasme të Volksvagenit, edhe pse e di që ka pak mundësi të shkojë në një shkollë priftërinjsh.

No comments:

Post a Comment