Nuk dua të filozofoj rreth vetvrasjes, se për të duhet të jetë shkruar shumë, por vetë nuk jam shumë i nxënë në këtë temë. Mora shkas nga tentativa e Ardian Klosit dhe pasqyrimi i saj në shtypin shqiptar dhe ju ktheva atyre pak gjërave, që di dhe kam ndjerë kur vrau veten im atë e më vonë.
Shoqëria njerëzore e dënon largimin me dëshirë nga jeta. Edhe në kohët moderne, nuk di nëse të jetuarit apo jo hyn në të drejtat e njeriut. ka filluar me dënimin e ashpër që i bënin fetë monoteiste dhe ndoshta mirë bënin. Nuk di nëse nuk do dënohej nga feja do kishte rritje të të vetëvrarëve apo jo. Në shoqërinë komuniste, tentativa dënohej edhe penalisht dhe nuk di se sa përbën vepër penale sot në kodet e vendeve të zhvilluara. Për një antar partie vetvrasja ishte edhe dezertim nga rradhët e saj dhe braktisje e idealit. Para një javë, mbylli sytë kritiku Adriatik Kallulli, i cili në rininë e tij kishte tentuar të vetvritej, por kishte shpëtuar. Në spital, kishte qëlluar Mehmet Shehu që vizitonte dikë tjetër dhe nuk i kishte lënë fjalë pa thënë studentit Kallulli, që ishte duke u mjekuar. 20 vjet më vonë, kryeministri vrau veten!
Njoftimi në shtyp për Klosin, ishte në fillim "toksikim" nga ilaçet! Vetë mendoj, që ndaj këtyre temave, shtypi duhet të rrijë larg, për të respektuar të sëmurin e familjen e tij. Por ama kur shkruan shkruaj të vërtetën! Pirja e një sasie të madhe antidepresivësh dhe alkol është rasti klasik i vetvrasjeve sot, sidomos i grave. Fati i Klosit dhe i familjes së tij që shpëtoi. Por në një gazetë tjetër, lexon që e shoqja, ndonëse gjermane, deklaron që Ardiani nuk ka tentuar, por ka qënë i stresuar dhe ka pirë shumë ilaçe!
Dhe këtu vijmë tek TURPI!
Ndienja e turpit, që është më e theksuar në provincialët dhe në injorantët, e ndonjëherë jo vetëm tek ta. Të kesh një të sëmurë mendor në familje, nuk është vetëm dhimbje por edhe turp. Kuptohet, që stigmatizimi qindravjeçar i sëmundjeve mendore e ka bërë të tijën, por edhe sot kur dihet më shumë rreth tyre dhe sëmundjeve dhe trashëgimit të tyre, përsëri vazhdohet me të njëjtin mentalitet?
Një nga ngjarjet më absurde dhe më të "poshtra" që kam qëlluar të mësoj, ka qënë mbulimi i një vetvrasjeje në vitin 1997 në Korçë. Në një familje disi të madhe, me dy mjekë, djali i vogël beqar, pas disa kohësh i mënjanuar vetë nga jeta, i dha fund në kohën kur sa kishte filluar përmbysja e atij viti. I vëllai mjek, me ndihmë edhe të dy tre kolegëve, e ktheu në një vdekje nga infarkti!
Pa dashur të hyj në problemet ligjore që dalin nga një veprim i tillë, ajo që më shqetëson është marrëzi-poshtërsia e vëllait-mjek e ndoshta edhe e babait-mjek. C'dobi kishte ajo shfaje e shëmtuar? I larguari, ishte i njohur nga të tjerët si njeriu më i mirë i asaj familje. C'turp bëri ai që donte t'ja mbulonte i vëllai? Po a mundi me atë mbulim, të ndërpriste trashëgiminë e mundshme të depresionit tek breza të tjerë të asaj familjeje?
Njeriu nuk duhet të largohet vetë nga jeta! Mbase ka raste ekstreme kur jeta nuk ka vërtet më asnjë kuptim, ose është një vuajtje e papërballueshme. Por, edhe në ato raste, natyra e ka mekanizmin e bjerrjes të shëndetit. E megjithatë, ata që vetvriten ose ata që tentojnë nuk duhen përçmuar. Duhen ndihmuar duke ju kërkuar edhe të mësojmë më shumë prej tyre se çndodh, që dorëzon gjënë më të çmuar që ke.
No comments:
Post a Comment