Friday, 17 February 2012

Sa Akademik si je!!



Një nga dukuritë më të çuditshme, që kam hasur këtë vitin e fundit në shtypin shqiptar, është një klasifikim interesant i njerëzve të shkolluar. Nuk di nëse e kanë bërë gazetarët, apo përballja me CV-ra, të cilat janë të mbushura tituj doktorësh, profesorësh, masterash, asistent masterash, ndihmës doktorësh, kandidatë shkencash etj. e bëjnë të domosdoshme, që edhe njerëzit që kanë mend, shesin mend, ose japin mend të ndahen në disa grupe.
Një lloj grupimi, ai i intelektualëve, ishte krijuar që në vitet '80. Ndoshta me insistimin e lukunisë të të diplomuarve, fillouan që të quheshin intelektualë të gjithë ata që kishin mbaruar një shkollë të lartë. Më vonë, në këtë grupim u përfshinë edhe ata me të mesme, që shkruanin ndonjë vjershë, lyenin pankartat në raste festash, apo luanin valle në festivalet folklorikë.
Tani, në Tiranë nuk është më e vështirë të jesh intelektual. Bile të mos jesh i tllë është e zorshme pas gjithë atyre universiteteve që janë ngritur dhe gjithë atyre diplomave on-line që janë marë. (Nuk po përmend këtu diplomat fallco se me ato automatikisht quhesh intelektual fallco.) Tani flitet për një elitë intelektuale, që do të thotë më gjenijtë mes gjenijve, që për fatin tonë të mirë edhe këta nuk janë të pakët. Për ta ka filluar të përdoret cilësimi Akademik dhe i tillë mund të jesh edhe pa qënë antar Akademie, apo njeri me kontibut të gjatë e të shquar në mësimdhënie në Universitete serioze.
Detyrimisht, me gjithë këtë arradhë akademikësh do duheshin edhe Akademi të reja, si ajo e Shkencave dhe Arteve, që u krijua para disa javësh, e mbase të tjera do vijojnë pas saj.
Në fund të fundit jemi një popull Akademik! Dhe mendo, që kemi humbur edhe një pjesë të mirë të të shkolluarve për shkak të emigrimit, si ju ka ndodhur edhe gjithë vendeve të tjera ish-komuniste.
Po ç' të mirë kemi që kemi gjithë këta Akademikë?
Ndoshta janë të mira që hë për hë nuk i kuptojmë, po me siguri pas disa vitesh, do i vjelim frytet e këtij Akademizmi të pafre. Dhe atëhere plot dashamirësi do i drejtohemi njëri tjetrit në bisedë, pas çdo ideje të ndritur që do artikulojmë, me shprehjen:
Sa akademik si je!!!

No comments:

Post a Comment