FLUTURIMI
Matanë liqenesh, luginash e pyjesh,
Tutje malesh, resh dhe më larg se dielli
Ku nuk duken detet edhe fund mer qielli,
Tek mbaron efiri dhe s'ka dritë yjesh,
Lirisht krahët ke nderë o shpirti im,
Si ngrihet mbi valët notar i sprovuar,
Tejshkon hapësirat, që s'kan' të mbaruar,
Me një të paparë, ngjethës ngazëllim.
Fluturo më tej, kapto të kthjellat vise
Dliru i gjithi në atë eter sipëror,
Përpije të pastrin nektar qiellor,
Atë flakë rrezear të Pafundësisë.
Leri pas dyshimet, brengat e trazuara,
Që rëndojnë jetën dhe errin vështrimin,
Lum kush ka flatra të marë fluturimin,
N'ato fusha të qeta, magjisht të ndriçuara;
Lum kush mendimet askurrë s'i rreshtën
T'i shigjetojë larg drejt agimit qiellor,
- Që ngrihet mbi jetën dhe krejt thjeshtë, pa zor,
Flet të luleve gjuhë dhe lexon heshtjen.
No comments:
Post a Comment