Wednesday, 15 February 2012

Kreu VIII i Perdhunimit

                                    PROJEKTI “WHITE CITY”

           


Bojaxhiu Fat dhe ndihmësi i tij Vath e kishin filluar ditën në mëngjezoren “Freskia”. Atje kishin ngrënë mëngjesin dhe kishin rrëkëllyer nga një dopio raki. Ndihmësi Vath kishte pirë dhe një të dytë e më vonë një të tretë duke përsëritur “Me tre e ka lali. I do tre dopio Lali të fillojë punë. Se edhe furça nuk ecën mirë po nuk u ngjye pak në raki.” Pastaj ishin nisur të lyenin. Të lyenin me të bardhe pallatin ku rrinte Nevila. Të dy kishin më shumë se gjashtë muaj që çdo ditë (përfshi këtu dhe të dielat) lyenin fasadat e ndërtesave të qytetit me të bardhë. Në kuadrin e projektit “White City”. Të financuar nga qeveria e SHBE-së, Banka e Detit të Zi dhe Fondacioni për Qytete të Pastër e të Pakorruptuar.
            Por kjo lyerje nuk ishte krejt njëlloj me ç'ka kishte bere Fati deri atëhere. Në fillim u duhej të pastronin të gjithe muret e katit përdhe nga balta e tharrë dhe pluhuri i bërë njësh me suvanë ose veshjen e gurtë. Javët e para kishin përdorur ujë me presion, por më vonë, për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të furnizimit me ujë dhe sidomos për vështirësitë, që sillte shqitja e dheut nga mbështjellësja e ndërtesës, ju dhanë të përdorin një makinë me rërë të trysnuar, e cila pastronte më mire dhe nuk kishte nevojë për ujë të vazhdueshëm. Më të veshtira paraqiteshin ndërtimet e pasuvatuara, që ishin ndërtuar disa dhjetra vjet më pare. Në to ishte e vështirë të ndajë ç’ishte baltë e shtresuar nga llaçi lidhës apo nga tullat e papjekura mirë. Kur kishin për të lyer ndërtesa të tilla, ndihmësi Vath pinte katër dopio të mira para se të fillonte punë. Pastaj zinte të shante e përshante sistemin e vjetër që kishte ndërtimet e pasuvatuara dhe tullat e papjekura mirë. ”…O të dhjefsha diktaturën, le që na le të paveshur dhe pa u mësuar mirë, po dhe këto mut mure deshe t'i lije të ngordhnin. Të kursejmë, të kursejmë kudo, në çdo gjë dhe vazhdimisht, në çdo gjë, tulla, llaç, bojë e tani hamë dynjanë ne për t’i pastruar. Të kam thënë Fato, në fund prapë ne hamë dynjanë; ai Qorri i Bashkisë i do të Bardha se i shkojnë me kostumin, pastaj vjen tjetri e i do me bojna, e shih kur pas dhjetë vjetësh t’i pastrojmë nga e para se gjoja jane antike”. Fati i përsëriste për të kushedisatën herë, që nuk i bëhej vonë se ç’ngjyrë do t’i lyenin, veë t’i bojatisnin gjithmonë, të gjitha dhe sa më shpesh. Të nxirrnin edhe ata ndonjë lekë nga lyerja e fasadave. Jo vetëm Qorri i Bashkisë.
            Gjithë paraditen kishin mbetur majë skelës për orë të tëra duke lyer dhe shkëmbyer rromuze. E vetmja ndërprerje ishte bërë rreth orës 10 e 45, kur Vathi i kishte thirrur ustajt të shihte gjoksmadhen lakuriq në një nga dritaret e katit të tretë. Fati i tha të mos ndjehej shume, se thuajse lakuriq e shihte çdo ditë në televizor kur këndonte, e se nuk donte të hynte në telash me atë prokurorin a gjykatësin, a ç’djall ishte ai që flinte me të. Ndihmësi kishte mbyllur gojen duke mbajtur sytë dhe mendjen nga dritarja e këngëtares, me shpresë se diku thellë dhomës do dukej serish figura e xhveshur. Kështu deri sa filloi shiu. Kur e panë, që nuk kishte të mbaruar mblodhën veglat dhe u nisën sërish për tek “Freskia”. Rrugës, Fati i kërkonte ndihmësit Vath të tregonte edhe njëherë atë meselenë e “shiut vu”. Vathi qeshte më të madhe dhe përsëriste "…e shiu vuuu…dhe ajo kishte veshur çorapet setapura… hahaaa… e shiu vuuuu… edhe kepucët e mira me taka, ato llustrafinat....hahahaaaaaaa. Kujtonte se e kisha me gjithe mend… budallaqjaaaa….e shiu vuuuuuuuuu… obobobo ç’ma kujtove… o s’më del nga mendja… o, o, o….e shiu vuuu…" Duke qeshur hynë në mëngjesore.
            Askush nuk ju kushtoi vëmendje kur hynë. Të gjithë rrinin me sytë e mbërthyer lart në televizorin e vetëm të “Freskisë”.
            - C’ka bo vaki çuna?- thirri duke qeshur Vathi.
            - Kanë përdhunuar Leon Gurazin- shpjegoi kamarieri Vendim.
            - …Perdhunuar, ca o Leon Gurazi, politikan; t’gjith politikanët janë putana …e putanat nuk i ze njeri me zor, shkojnë vetë….”; vazhdoi të zgërdhihej ndihmësi Vath, por pa se askush nuk po shpinte buzën në gaz, ndaj i shkeli syrin Fatit. Bojaxhiu dukej më i vrerët se të tjerët. Në buzë, veç një lloj dridhjeje të lehtë, i nderej një trishtim i murrëtyer. U mbështet në banak, si për të rregulluar drejtpeshimin dhe mbështeti ballin mbi duart e ashpëruara nga të lyerit.
            - C’a pate Fato?- pyeti Vathi, por nuk mori përgjigje.
            Fati heshti nje cope herë, pastaj, pa ju drejtuar njeriu tha nëpër dhëmbë ”…Leon e kam njohur që femijë. Në fillore ishim bashkë; është alamet çuni.” dhe befas brofi me këmbë dhe ju drejtua kamarierit, duke nxjerrë një copë letër nga xhepi i këmishës:
            - Bjeri pak këtij numuri!- dhe mëpas mori në dore aparatin e vogël Nokia, që i zgjati tjetri.
            - Alo…Manaxheri Teknik…ti je? …jam Fati….bojaxhiu i Konstruksionit Real 99… për sot do ndërpritet lyerja….pse?… kam hall… pastaj edhe lagështia është mbi normalen…si?… kështu më kanë thënë… të të njoftoj ty për çdo problem teknik… teknik është… thuaji kujt të duash… kujt?… e kam dhjerë atë, bojën e bardhë dhe ty bashkë…-  dhe i dha pa e mbyllur telefonin kamarierit. Nga aparati dëgjohej një si lloj zukatje e pandërprerë, nga e cila mund të kuptoheshin vetëm: "…gjegjësia…shkia… nik… xheri… jekti… nëntë… efi… jekur… alo… alo… shkia…"  Ishte Arkitekti i Përndjekur.
            Ndërkohë Fati kishte dalë rrëmbimthi nga mëngjesorja duke lënë edhe më të habitur ata që rrinin me sytë ngultas tek i vetmi televizor.

No comments:

Post a Comment