Saturday, 25 February 2012

Nje poezi e Bodlerit.

DON ZHUANI NE FERR

Sa zbret Don Zhuani në lumin e nëndheshëm
Dhe monedhën Karonit i jep për të kaluar,
Një zhelan i pisët, me vështrim të tmerrshëm,
Dy rremat e barkës i bllokon me duar.

Me gjokset e varur dhe rrobat e shqyera
Femra që përpëliten nën qiejt e errët.
Nga fytet e ngjirur të grave të përlyera,
Një gulçimë ankuese përmbi avuj nderet.

Sgaraneli kërkon pagën gjith' ngërdheshje,
Ndërsa Don Luisi zgjat gishtin tregonjës,
Që ta shohin të pacipin me të bardhë veshje,
Të vdekurit në brigjet e lumit mundonjës.

Pikëlluar Elvira, e krruspur dhe e zbehtë,
Pret nga zuzari, që përherë e pat' dashur,
Të marë vetëm një buzëqeshje të thjeshtë,
Balsam të vonuar për zemrën e plasur.

Një vigan armëngjeshur, në gur i gdhendur,
Në ballë qëndron e të errtën rrjedhë ndan,
Por gjunjas mbi shpatë heroi i patrembur,
Shikon proçesionin e vështrimin tej mban.

No comments:

Post a Comment