Tuesday, 31 January 2012

Na humbi filli i krereve te "Perdhunimit". Megjithate jemi ende ne fillim.

                        ARKITEKTI I PERNDJEKUR


           
Ai kishte qënë gjithnjë I persekutuar. Nga të gjithë. Në mënyrë të pavarur nga sistemi politiko-shoqëror. Nuk e kishin kuptuar ose nuk ishin në gjendje ta kuptonin. Bile e kishin futur edhe në burg. Pikërisht, kur ishte duke punuar për kryeveprën e tij, Muze-Videotekën e Krimit Politik. Gjashtë vitet e izolimit nuk kishin qënë aq të rëndë sa i kishte menduar i tmerruar kur u dha vendimi. Punoi në një zyrë të vogël nëntokë dhe kishte vizatuar projekte kapanonesh e barangash. E vetmja gjë, që e tmerronte ishte mundësia e ridënimit, por kur vinin inspektorët, që hetonin për sjelljen e të dënuarve, ai futej nën shtrat dhe rrinte gjatë. Deri sa ata iknin. Pastaj kishte ardhur lirimi. Por më shume se koha e humbur nëntokë, e kishte munduar fakti që të gjithë e shihnin vëngër; të përmbysur e të rikthyer në pushtet, të vjetër e të rinj, të së djathtës përparimtare dhe të së majtës të përmbajtur. Të gjithë. Thua ajo ç’ka ai donte të projektonte i pezmatonte të tërë. Pavarësisht nga seksi. Thua se volumet e ndërthurur dhe linjat e kithta, që ai konceptonte mundimshëm, ju kujtonin vdekëtarëve të tjerë se sa pak imagjinatë kishin.
Atëhere e kuptoi se flaka e krijimit që i digjej brenda tëmthave ishte mbinatyrore, qiellore, e pakapshme nga kërkush. Veç tij. A ndoshta dhe dikujt tjetër larg, në kohërat e vdekura ose në ato që vinin. Nuk kishte se si të ishte tjetërlloj. Ndaj vendosi, që çdo gjë që do projektonte më tej,  të ishte thjesht e bardhë, krejtesisht e bardhë, tejet fluide dhe e pandryshueshme njëkohësisht, me një bardhësi, që të ndjell duke të trembur dhe nuk të jep mundësinë e rrokjes së përmasave të tjera. E bardha e tingujve të dritës. Një lloj i të bardhës i paparë deri atëhere e që do merrte emrin e tij. Atë emër, te cilin kolegët që s'e kuptonin e përgojonin nën zë ne kafenë e Bashkimit të Arkitektëve, ose si e thërrisnin shkurt “Bashk-Ark-Kafe”.
            Diçka rreth këtij lloji të të bardhës qiellore i kishte shtjelluar Nënkryetarit të Bashkisë në takimin e parë, në zyrën e këtij të fundit, takim i cili solli në dritë idenë për Projektin “White City”. Bile ai kishte dashur ta pagëzonte projektin “Qyteti i të Bardhës Qiellore”, por Nënkryetari, i cili shquhej për forcën e shpejtgjegjes, kishte ndërhyre duke thënë, që emri ka shumë Q-ë për të qënë një projekt serioz, dhe se doçëria në web do fillojnë ta shtrembërojne në “Qyteti i të Q…. Qiellore”. Për më tepër, nje emër anglisht  do ishte jo vetëm më në modë, por do apelonte më mirë tek sponsorët e huaj. Ai ishte tërhequr duke menduar, që edhe njëherë nuk e kishin kuptuar dot plotësisht. Sidoqoftë, kishte mbetur i kënaqur, që do ishte Manaxheri Teknik i projektit dhe autori i hyrjes të materialit shoqërues.
            Përpilimin e Hyrjes, nuk e pati aq të lehtë sa kishte menduar në fillim. E kishte nisur menjëherë pas takimit në Bashki, duke kujtuar se mëngjesin e mëpasëm do e linte në tavolinën e Nënkryetarit duke tejshkuar çdo hamendje të tij. Por çuditerisht, idetë aq qartë të formuluara në mendje, nuk shtjelloheshin po njëlloj në fletët e bardha. Sidomos vështirësi kishte patur në argumentimin filozofik, se vetëm lyerja me të bardhë e qytetit do ndikonte në uljen e korrupsionit dhe do i sillte pushtetarët më pranë shtresave të pervuajtura. Solli në kokë thënie të Biblës dhe Kuranit, si dhe diçka që kishte lexuar në një libër mbi Zen, provoi dhe disa nga argumentat e Revolucionit Arkitekturor, kërkoi të dhëna statistikore mbi shkallën e korrupsionit në disa qytete thuajse të bardhë përreth Mesdheut, por Hyrja nuk merrte dot trajtën, qe ai dëshironte. Prandaj e la të bardhë. Ai do ishte argumenti më i mirë, me universali. Me siguri do i pëlqente edhe Nënkryetarit, atij që fitonte gjithë debatet televizive me argumenta universale dhe shpejtgjegje plot kripë.
            Paragrafët e papërdorur për hyrjen, mendoi t’i zgjeronte në një libër për veten dhe arkitekturën, njëlloj jetëshkrimi arkitekturor, i pari në llojin e vet, si një sinfoni gërmash, vizash dhe fotosh, e padeshifrueshme nga të gjithë, por nxitëse për ata që kishin imagjinatë krijuese. Do ta titullonte “Unë dhe Arkitektura”, ose jo, më mirë do ishte “Spikatës mbi të Bardhën Qiellore” ose ose “Midis të Pamatës dhe Përjetësisë”. I shkrojti me të mëdha mbi murin verior të Studios, përballë tavolinës se kompjuterit dhe çdo mëngjes ju shënonte në krah pluse ose minuse, në varësi të mënyrës se si i tingëllonin. Më pas nisi të mendonte për permbajtjen dhe titujt e krerëve. Do kishte dymbëdhjetë të tillë, po aq sa muajt në një vit, ose më mirë sa kishin qënë apostujt. Dymbëdhjetë krejt të dallueshëm nga njeri tjetri dhe tejet origjinalë. Për shembull, i pari do titullohej “Tymi dhe Lëvizjet Volumore”, një tjetër do përmbante vetëm pjesë projektesh nën titullin “Ku ishe ti Korbyzje?”, një I tretë do kishte foto të maketeve dhe mund të thirrej “Funerali i Ritmit të Vijave”, ndërsa do ta mbyllte me tonet e fuqishme të kreut “Perëndia krijoi Ngjyrat-Arkitekti bëri të Bardhën”.
            Duke qënë shumë punëtor dhe metodik, filloi menjëherë me kreun e parë dhe humbi në hulumtimin se si ndikon lëvizja jo e një trajtëshme e tymit, që del nga një oxhak i një shtëpie fshati, në formimin embrional të një arkitekti. Në mendje i vinte kasollja e drunjtë me një qyngj teneqeje, që tymonte vazhdimisht, të cilën e shihte gjithë ditën nga dritarja e dhomës së zjarrit, kur ishte i vogël. Kasollja e vjetër në një ngjyrë kafe në të zezë, që dukej aq e mistershme në sfondin shumëngjyrësh të pyllit lisor të fundvjeshtës. Pastaj e shpinte mendjen në erën e mirë që mbanin drutë, që digjeshin në vater, erë që duhej të mbushte tej e tej edhe kasollen kafe në të zezë. Aty i kishte lindur në mendje të bënte kasolle, shumë kasolle, mijra të tilla me oxhaqe metali, nga të nxirrnin tym, një tym të bardhë, që të përdridhej e spërdridhej duke marë forma nga më të ndryshmet deri sa të bëhej një me qiellin. Tymnxjerrëset mendoi dhe u mundua të lidhë gjenezën me zjarrin, tymin, hirin dhe pambarimnajën. T’i lidhte sëbashku me fjalë dhe vija në Kreun e Parë të librit Jetëshkrues. Atij që dhe mund të titullohej “Unë dhe Arkitektura”.
            Vazhdoi të punojë për dy ditë të tëra, pa ndërprerë, duke pirë cigare dhe duke u kotur në të vetmin kolltuk të Studios. Kur kishte uri, merrte ndonjë sardele të kripur nga kutia e madhe e metaltë, që kishte blerë muaj më pare në Norvegji, në nje takim të Arkitektëve pa Kufij. Hante sardele të kripura dhe pinte uje. Pastaj rifillonte të shkruante duke pirë cigare deri sa ndjente nevojë të kotej. Kështu, dy ditë të tëra, të paharrueshme, itensive, me sekonda të ngjeshura e të përzjera me duhan, ujë dhe sardele të kripura. Deri sa i mbylli 12 faqet e Kreut të parë. Atij, që bënte fjalë për fillimet. Fillimet në fshatin pranë pyllit lisor, aty ku kishte shtëpi dhe një kasolle tymnxjerrëse, e cila herë dukej kafe dhe herë e zezë.
            Pastaj e lexoi ngadalë, e rilexoi edhe disa herë të tjera metodikisht, duke bërë korigjimet e nevojshme drejtshkrimore dhe u shtriq në kolltukun e studios. U ndje krenar për atë që kishte shkruar dhe për herë të parë nuk u skuq kur ju kujtua nofka Katnari, me te cilën e thërrisnin në shkollen e mesme. Tani do ishte ai, që do nënqeshte, kur t’ju dhuronte ish shokëve të klasës kopjet e librit te tij me kushtimin në cepin e sipërm të faqes së parë dhe të firmuar “Katnari”. Ishte rradha e tyre të skuqeshin. Të tkurreshin shpirtërisht vetëm nga mendimi, që kishin patur fatin të ishin në një klasë me gjeniun dhe s’kishin mundur të kuptonin asgjë; s’kishin arritur të vidhnin një grimë të të pazakonshmes, por ishin tallur dhe e kishin thirrur perbuzshëm me atë nofkë të shëmtuar. Por ai do i mëshironte. Nuk do tallej me ta. As dhe kur ta telefononin për t’i kërkuar spjegime për frazat e pakuptueshme  të krerëve katër dhe nëntë, bile as në mbrëmjen e kremtimit të titullit “Nderi i Qytetit”, titull që me siguri do i jepej shumë shpejt, pas suksesit të librit si dhe të projektit “White City”.
            Këto ishin mendimet e fundit, që rrëshqitën të mjegullta në mendjen gjysëm të fjetur, deri sa koka ju var ne tavolinën e punës, atje ku ishin kopjet e projektit të vetëm të ndërtuar, atij të hotelit “Adriana”.

No comments:

Post a Comment