NDESHKIM KRENARISE
Rrëfenjat tregojnë se kohë më parë,
Kur në lulëzim ishin shkrimet fetare,
Një i ditur shëronjës bëri për vehte,
Shumë shpirtra të qashtër e indiferente;
Duke rrëmuar në ndërgjegjet e errta,
Duke i lartuar lavdeve të qiellta,
Duke i hallakatur në të fshehta shtigje,
Ku veç Fryma Hyjnore mund të gjej' përgjigje,
Si ai që dridhet se kapi shumë lart,
Prej djallit pushtuar zu klithi përçart:
"Krisht, i vogli Krisht! Unë të vura brerore!
Por po qe se bëja ç'farë më vinte dore,
Të dëshmoja turpin, si lavdin' ku t'kam ngritur,
S'do ishe tjetër veç një embrion i shpifur!"
Atë çast fatkeq, mendja e la menjëher',
Një vello e errët mbi diellin u nder,
Rrëmuja pushtoi në ditën e mjegullt
Vatrën e mendimit, dikur plot me rregull.
Errësira e plotë u shtrua serbes,
E ktheu tek ndriste rrezja në mëngjez,
Në qilar të zbrazët, ku s'ka mbetur verë.
Plot ngut sorrollatej si një qen pa erë,
Endej lart e poshtë fushave të gjëra,
S'dinte në qe dimër, apo digjte vera ,
Gjithë zhul e zhele, i ndarë nga shokët,
Rrugëve t'qytetit e tallnin çamarrokët.
No comments:
Post a Comment