RREFIM
Njëherë, vetëm njëherë o vajzë e ëmbël,
Të butën dorë ndjeja
Në krahun tim, ( gdhendur ka ngelur në zemër
Dridhja që fali prekja).
Ishte shumë vonë dhe si një medalion
Gjithdriste hëna e rrumbullt,
Madhërishëm heshtur ajo natë e jonë,
Parisit të përgjumur.
E ndanë shtëpive, nën arkadat e hapura
Kotelet rrëshqisnin shpejt,
Veshë ngritur, më mirë...si hije të dashura
Na ndiqnin me çap të leht'.
Papritur, mes të ëmbëlve çaste intime
Prej drit'hënës praruar,
Nga ti o vegël që krijon tingëllime,
Plot hare e të gëzuar,
Nga ti me temp e vrull si nga një fanfarë,
Posa ra e agut drit'
Një notë ankuese, një tingull i vrarë,
Shpëtoi, në eter u ngjit.
Si një fëmijë i pisët, i shëmtuar, i metë,
I familjes turp i gjallë,
Që prej botës e kanë mbajtur të fshehtë,
Në kthinën nënshkallë,
I gjori ëngjëll klithi me zë gërvishtur
" E sigurt nuk është asgjë,
Ndonëse me tepër kujdes është stisur
Egon njeriu s'e lë;
Nuk është e leht' një femër e ndjeshme të jesh,
Veçse e bën parreshtje,
Valltarja e natës, të cilës mund t'i blesh,
Të rremen buzëqeshje;
Dhe ç'ka thellndjehet në shpirt është e kotë,
Si çdo gjë dhe ndienja kris,
HICI e bluan dhe e zhduk nga kjo botë,
Në t'Pafundmen e degdis."
Pas më ndjek shpesh ajo Hënë gjithë dritë,
Thellheshtja e ai trishtim,
Dhe e vërteta plot tmerr që u pëshpërit,
Nga i shpirtit tim rrëfim.
No comments:
Post a Comment