Gati 20 vjet më parë, në fillimin e vitit 2003, i ndikuar nga bumi i ndërtimeve në Tiranë dhe nga disa kolegë të mij, që bënin ecejake Tiranë-Kanada, mendova të shihja mundësinë e projektim-investimeve në Shqipëri. Dija përciptaz se norma e fitimit ishte e madhe dhe mund të mos ishte e vështirë të ngjallje interesin në investitorë kanadezë. Nuk është e pamundur të gjesh njerëz të interesuar për të fituar shpejt edhe nëse nuk je pjesë e një rrethi investitorësh pasunarë. Më duhej dikush , të cilit mund t’i shpjegoja në vija të trasha idenë dhe të më orientonte nëse mund të bëhej duke u përfshirë edhe ai në këtë projekt-ide.
Mendja më shkoi në arkitekti sllovak L. Zampa, të cilin e
kam përmendur edhe në shkrime të tjera në këtë blog. Kishte qënë i pari që më
kishte marrë në punë në firmën e tij sa kisha emigruar dhe e dija që shumë gjëra
i njihte me themel. Për Tiranën dija se ishte në dorën e Edi Ramës, se norma e
fitimit ishte shumë e lartë dhe shumë inxhinierë kishin krijuar firma ndërtimi
dhe fitonin duke ndërtuar banesa kolektive pa shumë mund. Kishte shumë kërkesa
për të blerë apartamente. Këto ishin në vija të trasha ato që më kishin treguar
kolegët , që punonin në Tiranë dhe kishin familjet në Kanada.
Zampa e priti me interes propozimin dhe më tregoi që po
punonte për disa projekte në Bratislavë me investitorë vendas dhe kanadezë. Më
pyeti se ç’ishte piktori-kryetar bashkie dhe c’farë e motivonte. I ndikuar nga ç’kisha
lexuar në mediat shqiptare, që dukej se kontrolloheshin nga socialistët dhe
Rama, i shpjegova që Edi Rama ishte një artist ekstravagant, shumë egoist dhe
se motivi kryesor i tij ishte të mbetej në histori?! Nuk ishte i korruptuar. Zampa
më pa me dyshim, por vazhdoi të shpjegonte mundësinë e një firme investuese me
degë në Shqipëri. “Për të gjetur para nuk
është e vështirë. Vemë djalin e një ministri shqiptar si përfaqësues të firmës
në krye të zyrës në Tiranë dhe shohim si do shkojnë projektet e para.” Mua
më çuditi edhe siguria e Zampës edhe “skema me djalë ministri”, gjë që as kisha
idenë se si mund të realizohej. Duket arkitekti sllovak e dinte mirë se si
funksiononin gjërat në Europën Lindore dhe se pa korruptuar funksionarë të lartë
nuk mund të investoje dhe të fitoje sipas rregullave të tregut të lirë. Ishte
gjithashtu e vërtetë që në fillimin e viteve 2000 ishte e lehtë të gjeje
investitorë dhe kredi nga bankat perëndimore. Nuk kishte arritur kriza
ekonomike e viteve 2007-08, kur nisi të shtrëngohej shumë dhënia e kredive.
Në vjeshtën e atij viti shkova në Tiranë jo për të realizuar
projektin e investimeve, por për të punuar për disa projekte banesash në Tiranë
dhe në Korçë. Atje mësova se ç’kishte ndodhur gjatë gjashtë viteve, që nuk
jetoja në Shqipëri. Korrupsioni jo vetëm ishte rritur, por në Tiranë ishte
sofistikuar. Rama merrte për lejet e ndërtimit rryshfete në bazë të metrove
katrore të ndërtimit, që shkonte prej 10 deri 15% të vlerës së shitjes të një
ndërtese banimi ose zyrash. Ndërtuesit që kishin punuar edhe në kohën e Brojkës
theshin që ndryshimi ishte si nata me ditën. Piktori-kryetar bashkie ishte një “përbindësh”
në kërkimin e pjesës së tij, por norma e fitimit ishte e madhe ndaj nuk
hezitonin t’ja jepnin. Qysh në javët e para e kuptova se ç’ndodhte në Tiranë
dhe se si funksiononte skema e dhënies së parave dhe rolet e ndihmësave të Edi
Ramës duke nisur me Blendi Gonxhen, Artan Lamen, Alban Eftimin dhe të tjerë. Sigurisht
nuk ishte i vetmi mes të korruptuarve të qeverisjes socialiste, por mes 3-4
syresh që merrnin “llokmat” më të mëdha.
Në një takim të mëvonshëm me sllovakun Zampa në Kanada, i sqarova
se me naivitet kisha besuar se piktori Rama nuk ishte i korruptuar dhe se nuk
isha më i gatshëm të ndërmerrja “aventurën e investimeve” në Tiranë. Kryeqyteti
gjatë asaj vjeshte dhe dimri më ngjante me një moçal të fëlliqur, ku jetonin njerëz
të varfër dhe të veshur jo mirë dhe njëkohësisht notonin në lluks politikanët e
tipit Nano, Meta, Rama e të tjerë. Në 4 vjet piktori ekstravagant Edi pat vënë
një pasuri të madhe, të cilën do ta shumëfishonte jashtëzakonisht në 19 vitet që
do pasonin.
No comments:
Post a Comment