(vijim)
Në ditët e para nuk mungonte dhe entusiazmi për t’ju treguar
shokëve që nuk i kishe takuar gjatë verës se nga e kishe kaluar dhe se ç’gjëra
kishe parë. Disa mburreshin me ngjyrën që kishin marrë në plazh duke treguar
kontrastin e lëkurës të ngjyruar nga dielli, atje ku rrobat e banjës kishin
mbuluar pjesët “e turpshme”. Por të gjitha këto ndodhnin gjatë pushimeve të
vogla dhe atij të madh, sepse gjatë orës së mësimit, mësuesit plot energji nga
pushimet e mbanin mirë në kontroll klasën.
Javët e para të shkollës kishin edhe zgjedhjet në organizatën
e pionierit, që përgjithësisht shoqërohej me ngacmime dhe të tallura, me nxënës
që dëshëronin të zgjidheshin në kryesinë prej pesë vetësh, por shtireshin sikur
nuk donin, me nxënës që nuk donin por dikush i propozonte dhe votoheshin, si
dhe me ndonjë rast kur dikush propozohej për të shkaktur të qeshura. Mbledhja bëhej
në praninë e mësuesit kujdestar, që duhej të ishte i pranishëm, që mbledhja mos
merrte karakterin e një takimi “disidentësh”. Edhe pse nuk ishim kundër
“Partisë dhe xhaxhit Enver”, më të shumtit nga ne e merrnin me të tallur
zgjedhjen e Komandantit të pionierëve të klasës dhe kryesisë. Gjithashtu nuk
pëlqehej të ishe në krye se do të duhej të “rrjeshtoheshe” në anën e drejtorisë
dhe mësuesve, që presupozonte “kallzimin” e shokëve për çapkënllëqet, ose
kritikën ndaj tyre në mbledhjen e organizatës. Edhe pionierët duhet të
“zhvillonin frymën e kritikës dhe autokritikës”, si të gjithë organizatat e
tjera. Ndoshta atje mbillej fara e karrierizmit të mëvonshëm.
Mbledhja e organizatës na mbante dhe një orë më shumë pas mësimit
dhe ne mezi të prisnim të vraponim në “sheshka”, të bënim portat me çantat e
shkollës dhe të nisnim të luanim futboll. Sa ishte ende ngrohtë dhe nuk kishin
nisur shirat e vjeshtës, që e bënin më të vështirë të luajturën me top. Jo se
ju trembeshim gropave me ujë dhe baltës, por se do dëgjonim shumë të shara në
shtëpi nga nënat tona, kur të arrinim të lyer nga koka tek këmbët me baltë. Futbolli
ishte gëzimi më i madh i fëmijërisë sonë, ku kënaqeshim duke vrapuar pas topit
dhe shfrenim të gjitha dufet e shkollës duke sharë njëri tjetrin me rënjë dhe
degë. Në fushat e futbollit mësuam të gjitha llojet e sharjeve dhe të gjitha
sinonimet e organeve gjenitale të të dy sekseve. Atëhere ende nuk dinim se ç’ishin
transgjinorët se do kishim edhe të shara që lidheshin me ta. Të gjorat nënat
tona ishin me fat nuk ishin pranë shesheve të lojrave dhe të dëgjonin të sharat
tona që ju drejtoheshin kryesisht atyre, edhe pse nuk mendonim vërtet se do ju
bënim ndonjë të keqe nënave të shokëve.
Më të vështirë e kishin disa nga shokët e klasës, që kishin
nënat ose baballarët mësues në shkollën tonë. Ata e kishin më të vështirë për të
fshehur “çamarokllëqet” e moshës, e kishin të pamundur për të manovruar për të
fshehur orarin e mësimeve të së nesërmes dhe ndodheshin edhe para trysnisë të
shokëve për të mos i “tradhëtuar”. Ne të tjerët pasi kishim luajtur mirë e mirë
dy tre orë futboll pas shkolle, nxitonim në shtëpi për të ngrënë drekë dhe ju
ktheheshim përsëri fushave. Detyrat dhe mësimet ose “ i kishim bërë para se të
hanim bukë“ ose të nesërmen kishim shumë orë të “lehta” dhe nuk duhej të mësonim,
ose mësuesit nuk na kishin dhënë ende detyra shtëpie se viti i ri shkollor sa
kishte filluar. Gjithë qejf ne luanim futboll para se të vinin më të rriturit
dhe t’ju lëshonim fushën atyre dhe më pas vazhdonim të luanim me “kuku”, “fiç i
rënë“, “me fugë“ ose me “komant”. “Të telendisur” nga të lojturat dhe të
vrapuarat, pasi na kishin thirrur prindërit disa herë nga dritaret, ne përfundonim
të këputur në kuzhinat e shtëpisë dhe hanim të uritur darkën e më pas merrnim
nga një libër të shkollës dhe shtireshim se po mësonim. Gjumi na zinte duke u
ndjerë fajtorë që nuk kishim bërë detyrat e shtëpisë, po ora 8 e fillimit të mësimit
na dukej e largët dhe shpresonim që do bënim dy palë detyra dhe mund edhe t’i hidhnim
një sy librit të Gjuhës Shqipe dhe atij të Aritmetikës. Gjumin ama e bënim si të shqerrkave!
(vijon)
No comments:
Post a Comment