Sunday, 25 September 2022

Filmat shqiptarë të socializmit (fund)

 


(vijim)

Ka patur disa periudha të zhvillimit të kinematografisë shqiptare nën Diktaturë. Periudha e parë është deri në vitin 1974, që është karakterizuar nga prodhimi i pakët, skematizmi i skenareve dhe interpretimi teatral i aktorëve. Numuri i filmave ishte shumë i kufizuar dhe një film zgjaste deri 6 muaj për tu realizuar. Ishte periudha kur edhe shumë nga aktorët tanë më të mirë si Sandër Prosi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Ndrek Luca, Sulejman Pitarka e të tjerë nuk shkëputeshin dot nga mënyra e interpretimit teatral. Vinte nga mungesa e përvojës së tyre, nga mungesa e përvojës së regjisorëve të filmave si dhe nga skematizmi i dialogëve, por ishte i tillë. I vetmi që luante më natyrshëm dhe shkëlqeu në filmat e asaj periudhe ishte Rikard Ljarja.

Periudha që nis më 1974, pas inkurajimit që i dha Enver Hoxha kinematografisë dhe “zgjidhjes së qeses” nga Parti-Qeveria pati një rritje të madhe të numurit të filmave që prodhoheshin dhe si rrjedhim pati edhe filma të mirë, por edhe shumë filma të dobët. Qëllimi ishte forcimi i propagandaës së Partisë dhe filmi ishte mjeti më i efektshëm për këtë qëllim, sidomos për popullsinë e fshatrave. Teknikisht filmat u përmirësuan së tepërmi, filloi edhe prodhimi i filmave me ngjyra dhe interpretimi pati shumë përmirësim. Ardhja në filma, pasi ishte lënë një kohë mënjanë, e Kadri Roshit dhe më pas e Robert Ndrenikës dhe Bujar Lakos solli një nivel të lartë interpretimi filmik, që solli edhe përmirësimin në interpretim të aktorëve të tjerë. Tinka Kurti, Roza Anagnosti, Sandër Prosi, Vangjush Furrxhiu, Ndrek Luca dhe disa të tjerë patën gjithashtu interpretime të krahasueshme me ato të aktorëve më të mirë të huaj. Por njëkohësisht, si periudhë pas goditjes së liberalizmit në letërsi dhe arte, skenarët sundoheshin nga ideologjia e “partisë“, madje filmat me temë historike ishin gjithashtu të “gatuar” sipas recetave të historiografisë komuniste. Jo vetëm ata që pasqyronin Luftën Nacional Clirimtare si “Njeriu me top” “Rrugicat që kërkonin diell” apo “Dimri i fundit”, por edhe filma të vlerësuar si “Nëntori i Dytë“, “Mësonjtorja” apo “Koncert në vitin 1936”, kishin shtrembërime të mëdha të historisë. Pa patur liri në krijimtari dhe nën një censurë të rreptë, nuk kishte se si të mos dilnin filma me ngarkesë të madhe ideologjike dhe me falsifikime të historisë.

Tek filmat me temë nga jeta në Shqipërinë e atyre viteve dështimi ishte më i garantuar. Përshkruhej në mënyrë të shtrembëruar një realitet, i cili në vetvete ishte një realitet i përçudnuar dhe jo normal nëse krahasohej me vendet e tjera ose dhe me të kaluarën jo të largët të Shqipërisë. Temat e trajtuara përgjithësisht ishin të sajuara dhe jo problemet e vërteta të njerëzve. Kishte filma , që dëshmonin vigjilencën e Organeve të Sigurimit nën udhëheqjen e Partisë dhe që bënin të dështonin planet e imperialistëve dhe revisionistëve për të rrëzuar pushtetin popullor! Një kineast i paanshëm i huaj, sigurisht që do krijonte subjekte të tjera për një film dhe që do dëshmonin se sa të varur ishin fatet e njerëzve nga pushteti dhe se sa mungonte humanizmi në trajtimin e atyre që quheshin ish-klasat e pasura apo kundërshtarët e regjimit. Ndërsa filmat tanë përgjithësisht ndërtoheshin mbi fabula dhe konflikte ndonjëherë edhe qesharake dhe shumë larg jetës së vërtetë.

Si përmenda më lart, niveli teknik0-artistik i filmave u rrit, veçanërisht tek filmat që drejtoheshin nga regjisorët më të mirë si Dhimitër Anagnosti, Muharrem Fejzo, Viktor Gjika e ndonjë tjetër, ku kamera, kolona zanore, montazhi dhe ndonjëherë edhe efektet ishin të niveleve të mira ndërkombëtare. Pra nëse filmat përgjithësisht ishin të sajuar e të pavërtetë, përgjegjësia ishte kryesisht e censurës dhe autocensurës tek skenaristët dhe ndonjëherë edhe të regjisorëve. Grupet që realizonin filmin ishin rritur profesionalisht gjatë viteve. Kjo shpjegon edhe fitimin e ndonjë çmimi në festivalet ndërkombëtare të filmit për fëmijë.

Janë rreth 200 filma shqiptarë të realizuar deri në vitin 1990. Eshtë absurde që të ndalohen të gjithë, por ndoshta ka kuptim të krijohet një komision i përbërë  nga njerëz të filmit që nuk kanë punuar në atë kohë, historianë, filozofë, shkrimtarë dhe të propozojnë një listë me filma që duhet të mos transmetohen pikërisht për interes të publikut të sotëm shqiptar dhe sidomos të të rinjve dhe fëmijëve. Eshtë mirë që brezat të dinë të vërtetën për atë kohë dhe të mos krijojnë iluzionet e gabuara se shoqëria shqiptare jetonte në harmoni, në begati dhe mes të mirave si mund të tregohen në filmat e Piro Milkanit “Zonja nga qyteti” dhe “Shoqja nga fshati”.

Ishte një jetë e zymtë, me mungesë lirie, me kufizime të mëdha në ushqime dhe të mira materiale, me lloj lloj marrëzirash që nisnin nga mbledhjet në bllok dhe lagje dhe përfundonin në kongreset idiote të Partisë dhe të organizatave të masave.

Për fat të keq, artistët nuk mund të ngrinin një art të vërtetë, të mbështetur në filozofitë e humanizmit dhe në parimet më të mira të artit botëror.

 

No comments:

Post a Comment