Wednesday, 14 September 2022

Shtatorët e fëmijërisë sonë


Shtatorët më sillnin një trishtim fëminor. A ndoshta nuk është mirë që e quaj trishtim, se ishte më tepër një ndjenjë, që më kapte edhe të hënave. Në fëmijëri trishtimi është i rrallë dhe nuk di nëse vërtet më ka kapur ndonjëherë. Ndjenja jo e mirë e shtatorit kishte të bënte me fundin e pushimeve dhe lojrave deri sa binim të lodhur. Lidhej me fillimin e shkollës dhe “ngujimin” për 5 ose 6 orë mësimi në ditë pa mundur të vrapoje, shkelmoje topin, fshiheshe nga të tjerët, ose godisje fort cingëlat. Mbetej një ndjenjë e papërcaktuar se kishte edhe një lloj faji të përzjerë me të, sepse nuk mund t'ju thoja të mijve: “Nuk më pëlqen hiç që po vjen koha e shkollës!” Nuk kisha aq përvojë jete sa të mund të mendoja se nuk ishte e çuditshme që ndjenja të ngjashme të kishin patur edhe ata shtatorëve të tyre. Ndikonte edhe e gjithë propaganda shtetërore me “tam-tamet” e vitit të ri shkollor, përgatitjen për tu bërë të aftë për Partinë dhe Atdheun, dashurinë e mësuesve për ne dhe të tjera dëngëla ose dhe gjysëm të vërteta të kohës. Duhet të pranoj që nuk më ka zënë kurrë malli për mësuesit në klasë edhe pse shumë prej tyre i admiroja dhe i takoja me dashuri në rrugë. Por në rrugë as ata nuk ta kishin ngenë dhe ti s’kishe pse i dëgjoje gjatë.

Bezdia e shkollës në vitet e fillores dhe ato të parat e 8-vjeçares fillonte me zgjimin më herët në mëngjes dhe vazhdonte me veshjen e grykëses të zezë, më vonë me lidhjen e shamisë së kuqe dhe merrte rrugë me rrjeshtimin para shkollës, gjimnastikën e mëngjesit dhe betimin e Pionierit! Nuk kishte asgjë të bukur në atë nisjeje të njërës nga gjashtë ditët e javës. Të gjashta ishin po njëlloj dhe shpesh edhe të shoqëruara me ankthin se nuk kishe bërë detyrat e shtëpisë për orën e parë dhe të dytë dhe nuk dije nëse pushimet e vogla do mjaftonin për t’i kryer disi. Në të kundërt do gënjeje duke u skuqur.  Dhe kur je fëmijë nuk të pëlqen të shkosh në shkollë, nuk do të jesh i disiplinuar, por nuk do edhe të gënjesh. Veset nisin të mësohen më vonë se shumë rrallë mund të jenë të lindura.

Vese nuk na mësonin në shkollë. Edhe pse mund të kishte një ngarkesë ideologjike në lëndët shoqërore dhe në veprimtaritë jashtëshkollore, në shkollat tona nuk mësoheshin veset e nënshtrimit apo të spiunimit. Ndoshta vetë strukturimi i mësimdhënies ishte një nga paradokset e sistemit komunjist, që solli më vonë edhe rënien e tij. Por në shtatorët e fëmijërisë të brezit tim ne nuk kishim se si të mendonim për gjëra të tilla. Mendja ishte ende në bregdetin Adriatik për ata që kishin patur fatin të bënin dy ose tre javë pushime pranë detit, në bregun e liqenit të Pogradecit dhe në fshatrat ku mund të kishim bredhur të lirë me dëshirën që pushimet mos mbaronin kurrë. Veçanërisht kur shkolla niste më 1 shtator, (shpesh fillonte më 15) javët e para ishin të vështira për shumicën prej nesh. Ditët ishin ende të gjata dhe të ngrohta dhe dielli na i bënte me sy, por ishim të detyruar të rrinim në bangat aspak të rehatshme.

Nuk di se ç’arkitekt apo dizenjator induatrial i kishte projektuar në Europë bangat ku uleshim, por të rehatshme nuk ishin. Ndoshta si çdo gjë tjetër e kishim të huazuar nga rusët, por edhe në Europën e gjysmës së parë të shekullit të XX nuk ka pasur më të mira. Ishin menduar të ishin të tilla që të përgatisnin fëmijët se jeta do ishte e vështirë? Nuk e di, por nuk mund të them se nuk kam nostalgji për bangat e fëmijërisë. Duket se ato kishin tre synime – të rronin shumë dhjetvjeçarë, mos ndoteshin nga asnjë lloj boje shkrimi dhe të mos ishin të rehatshme. Banga të lyera me një blu të errët dhe me një sipërfaqe të pjerrët të zezë mbi të cilën mësoje të shkruaje. Pjesa e pjerrët mbyllej para me një pjesë horizontale ku ishin gdhendur dy hapje të gjata dhe dy rrumbullake, ku vendoseshin penat dhe shishet e bojës ose kallamarët. Të gjitha bangat ishin për dy nxënës dhe ndenjësja nuk ishte nga një pjesë druri e vetme, por dy pjesë trapezoidale nga një për çdo prapanicë  nxënësi. Të gjitha bangat ishin dyshe, që të të krijonin idenë se do ishe për shumë vite të jetës në krah të një shoku e një shoqeje dhe se ai lloj mundimi dysh mund të vazhdonte edhe gjatë gjithë jetës. A nuk kishte në çdo familje dy prindër të betuar se nuk do ndaheshin deri sa njëri të mbyllte sytë?

(vijon)

No comments:

Post a Comment