Duhet të ketë qënë pranvera e vitit 1980, kur kollonat e korridoreve të Korpusit Qëndror të Universitetit u mbushën me postera të Revolucionit Iranian dhe të Ajatollah Khomeinit, për shkak të një vizite të shkurtër të një delegacioni të qeverisë iraniane. Ishte delegacioni i rrallë qeveritar, në një periudhë izolimi të plotë, kur nuk na “begenisnin” më as shokët kinezë. Posterat e hoqën po aq shpejt sa dhe i vunë, se i ashtuquajturi Revolucion Iranian ishte një hap mbrapa në historinë e Iranit dhe Njerëzimit. Mbi të gjitha ishte një lëvizje thellësisht fetare dhe reaksionare dhe ishte e çuditshme që “ateistët e Enverit” perqafoheshin me dashuri me “mullah-të e Khomeinit”. Nuk kishin asgjë të përbashkët veç antiamerikanizmit.
Komentet në rrethet studentore ishin rreth refuzimit të tyre
për të takuar gratë tona ministre dhe ndonjë student nga veriu , që theshte pse
nuk venë në Universitet Postera të Papës , por vetëm të Ajatollahut. Vizita u
harrua shpejt dhe nuk kishte as edhe ndonjë lloj marëveshje ekonomike dhe Irani
mbeti po aq i largët për Shqipërinë, sa kishte qënë dikur Persia e Kirit. Lidhja
më e afërt e jona me botën iraniane ishin “Rubairat” e Khajamit të përkthyera
mrekullisht nga Noli.
Ka disa vjet që Irani është i pranishëm më shumë se sa duhet
në jetën shqiptare. Madje këto ditë ka ndodhur dhe një acarim i pazakontë, si dëbimi
i të gjithë ambasadës iraniane nga Tirana për shkak të veprimtarisë agjenturore
të tyre. Mes shumë informacioneve të servirura nga agjenturat e huaja ose dhe nga
shërbimi jonë informative është edhe plani iranian për të vrarë Baba Mondin!
Baba Mondit ndoshta i shtohen ditët nga lajme të një lloji të
tillë si dhe i shtohet rëndësia ndërkombëtare, por absurditeti i gjithë këtij “komplikacioni”
është i njëjtë me atë të takimit komunisto-mullaist të vitit 1980.
C’punë kemi ne për
mirë apo për keq me Iranin?!!
E gjithë situata e sotme me Iranin e ka burimin në një marrëzi
të qeverive shqiptare për të strehuar MEK-un në Tiranë. Ne jemi një vend i vogël,
që nuk kemi luksin të krijojmë konflikte të mëdha të hapura me askënd. Qofshin
këto vende me probleme, qofshin pa probleme, por vende me popullsi të mëdha dhe
me ushtri të fuqishme. Veç interesit, që t’ju themi “peqe-lepe” administrative amerikane
ne nuk kemi asnjë lloj interesi tjetër. Dhe edhe nëse do kishim refuzuar të
pranonim kundërshtarët politikë të qeverisë iraniane, asgjë nuk kishte për të
ndryshuar në raportet tona me Amerikën. Do ishim po njëlloj aleatë.
Duket edhe që zbrazja e plotë e ambasadës dhe marrja në
kontroll nga ana e shtetit tonë, është një veprim që i tejkalon masat e këtij
lloji në raste konfliktesh të çdo lloj karakteri edhe pse Iranianët mund ta kenë
tepruar në veprimtarinë e tyre agjenturore apo edhe të dëmitmeve të rrjeteve
informatike të qeverisë shqiptare. Por qeveritë dhe qeveritarët duhet të
shikojnë disi më larg se hunda e tyre, sepse Irani ka për të qënë një kohë të
gjatë shtet i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare dhe nuk ka garanci se MEK-u
do e rrëzojë në një dhjetvjeçar a më shumë qeverinë reaksionare të mullah-ve.
Ne jemi qëndra e botës, po aq sa ishim “fanari ndriçues” në
kohën e Enver Hoxhës dhe po aq sa e rëndësishme është Kryegjyshata Botërore e Baba
Mondit. Eshtë në të mirë të vendit tonë dhe të popullit shqiptar , që në tryezën
e madhe të popujve të kemi dhe të mbajmë vendin që na takon.
No comments:
Post a Comment