Mua më pëlqen më shumë fjala e anëve tona “tartabiq” se sa “çimkë“ e Shqipërisë së mesme dhe të veriut. Çimkë më duket shumë e dobët, gati e parrezikshme kurse “tartabiq” më jep tamam përshtypjen e një insekti parazitar të plotë, të gufuar me gjakun e pafajshëm të fjetësit.
Në lajmet e sotme, më zuri syri se qyteti që ka më shumë
tartabiqë në Kanada është Torontoja. Torontoja ze edhe vendin e dytë për çmimet
e larta të banesave dhe një pesë pesë vendet e para në të gjithë Amerikën e
Veriut. Eshtë pak e çuditshme se si faktori “tartabiq” nuk ndikon negativisht në
çmimet e banesave. Dhe ka të ngjarë që ato më të shtrenjtat, banesat
individuale, të kenë edhe numurin më të madh të tartabiqëve, se kondot janë të
ndërtuara kryesisht me beton dhe xham, gjë që e bën të vështirë jetesën e
tufave lakmitare të insekteve në fjalë.
Tartabiqët janë gjakpirës dhe shfaqen vetëm natën. Nuk mund
t’i përfshijmë në kategorinë “vampirë“ se vetë vampirët janë qënie të sajuara
dhe nuk ekzistojnë. Tartabiqët (dikush i thërriste me përkëdheli-tartabakët)
janë një lloj “dendi” i insekteve, që bëjnë një jetë hedonistike të natës dhe
flenë gjatë ditës. Nëse e ke gjumin e lehtë vërtet që janë të bezdisshëm, por nëse
bën “gjumë artilerie”, gostitë e tufave të tartabiqëve në trupin tënd nuk i ndjen.
Ti fle dhe ata dëfrejnë. Një bashkëjetesë paqësore, ku më të përfituarit janë
parazitët, por këta të fundit janë të privilegjuarit në ]do lloj kolonie me
gjallesa.
Nëse të del gjumi pas orës 12 të natës dhe shkon e hyn në
bare, lokale striptize, kazino, diskoteka do gjesh mijra njerëz të të gjitha
moshave, të cilët nuk i has gjatë ditës. Ata shkojnë e flenë kur zbardh drita,
të kënaqur nga orgjitë, nga përrenjtë e pijeve alkolike, nga hundët e mbushura
me “miell” dhe plot qejfe të tjera që ndalohen kur del drita. Nuk janë tartabiqë.
Janë njerëzit që kanë pasur mundësi të fitojnë më shumë se të
tjerët duke përdorur të gjitha llojet e marifeteve që i përmbajnë apo nuk i përmbajnë
librat me rregullat e lojës. Nuk mbajnë erë si tartabiqët e vërtetë se lahen
rregullisht dhe përdorin aroma nga më të lehtat dhe më të këndshmet, që nuk të
detyrojnë t’ju largohesh.
Dhe nuk ke se si t’ju rrish as pranë, se ti dhe unë dhe
shumica e ata-ve dhe ato-ve, në ato orë flenë.
No comments:
Post a Comment