Duken të largëta ditët kur këndonin Tefta Tashko dhe Kristaq Antoniu këngët popullore të përpunuara nga Kristo Konoja. Ishin shkëndijat e para të kulturës së vërtetë europiane në shtetin e posaformuar shqiptar. Ndodhnin në Korçë, sepse ishte qyteti më i zhvilluar ekonomokisht dhe si rrjedhim edhe më arsim dhe kulturëdashësi. Korçarët ishin më të shumtët në numur nga të gjithë shqiptarët, që kishin studiuar nga Robert Kollixh në Stamboll, në Monpelie dhe Sorbonë, në Grac dhe Vienë dhe deri në Harvardin e famshëm.
Më pas erdhi koha e kulturës dhe arsimit masiv, kur Korça
mundohej ende të mbante vendin e parë në Shqipëri edhe pse Tirana kishte tashmë
avantazhe të pakrahasueshme. Ajka e kulturës dhe arsimit korçar shkoi në Tiranë
dhe hodhi themelet e institucioneve më të rëndësishme të dijes së Kombit.
Më vonë erdhi mpakja e popullsisë, emigrimi në masë dhe dobësimi
i kulturës së qytetit. Të gjithë kënaqeshim dhe brengoseshim me lavdinë e së
shkuarës. Gjethet e dafinave nga krerët e gjyshërve kishin kaluar tek etërit,
por deri sa zbritën në krerët e bijve ishin gati të tharra. Ndodh në çdo vend të botës dhe janë procese që
askush nuk i kontrollon dot. Thjesht ndodhin.
Një reagim i fortë i bijave dhe bijve të Korçës së lavdishme
ishte vjet në përurimin e Rikonstruksionit të Muzeut të Arsimit. U tregua se
Korça ishte shumë e ndjeshme ndaj tempujve të saj të kulturës. U përfshiva edhe
unë në ato diskutime të nxehta, meqënëse kisha qënë dikur i angazhuar me Muzeun
e Arsimit. E konsideroja dhe e konsideroj të domosdoshme rikthimin e statusit kombëtar
të atij muzeu. Për vulosjen që i bëri fatit të Mëvetësisë.
Sivjet kuptova, se më shumë se me debate dhe hakërrime,
kultura e Korçës mund të ringrihet me punë të vazhdueshme dhe me qetësi dhe
vendosmëri. E hasa në tre-katër intervista që kam parë të drejtoreshës së
Bibliotekës së Korçës Jorida Tollkuçi. E artikuluar, e qetë, por dhe e
vendosur, duket se e reja Jorida i përket një brezi intelektualësh seriozë, që
përpiqen të “rizgjojnë“ Korçën e kulturës. Nuk është e lehtë. Ka shumë faktorë
që shpien në gjallërimin e jetës kulturore të një qyteti, por kryesorët janë
njerëzit. Janë ata që drejtojnë institucionet kulturore dhe mund të kënaqen me
pak dhe të ankohen se nuk na mbështet njeri, ose të përveshin “mëngët dhe
mendjen” dhe të bëjnë diçka.
Dje pati disa veprimtari rreth Ditës së Mësuesit dhe
Biblioteka e Korçës ishte promotori i tyre. Të pëlqen që ndodh dhe me plot gojë
thua:
-Faleminderit Jorida dhe ju të rinjtë e tjerë për ato që bëni!
No comments:
Post a Comment