40 vjet më parë, në fushën e futbollit të Qytetit Studenti, Xhemal Dini, në atë kohë funksionar i lartë në Komitetin Qëndror të Partisë, që mbulonte rininë, duke na folur me zjarr për paraqitjen e jashtme dhe domosdoshmërinë e qethjes “kare”, bëri krahasimin me hipinjtë e Amerikës duke thënë “Mirë ata se i lenë flokët e gjata në shënjë proteste ndaj regjimit kapitalist, por ju kundër kujt do protestoni?!” Dini nuk ishte budalla, por si përfaqësues i regjimit mund të përdorte çdo kartë për të shtypur përpjekjet “rebele” të të rinjve. Për hir të së vërtetës ne nuk mund mundoheshim të zgjatnim flokët për të kundërshtuar Diktaturën, por se në të gjithë botën të rinjtë i mbanin flokët deri në supe. Tek ne edhe me një zgjatje në qafa merrje cilësimin negativ “qafëlesh”, që mund të të kushtonte edhe deri në përjashtim nga universiteti po qe se nuk bindeshe.
Regjimeve nuk ju pëlqen kur protestojnë ndaj tyre. Do
mundohen të gjejnë çdo mënyrë për të denigruar protestuesit duke i quajtur nga “turma
të çartura”, “kokëpalarë“, “agjentë të huaj” etj. etj. Ndodh në shumë vende të
botës dhe më shumë në vendet ku drejtojnë autokratët.
Në këtë mënyrë demagogjike-poshtëruese, kryeministri Rama po
sulmon protestuesit e ditëve të fundit në Tiranë dhe në qytetet e tjera. Bashkë
me korin e “qenërve që lehin për karvanin e tij”, po i cilëson protestuesit si “turp
i Europës”, “njerëz që bëjnë politikën e Rusisë“, “të pasur që pa të drejtë
protestojnë në emër të pensionistëve” e të tjera broçkulla të tilla.
Eshtë një “nonsens” i stërpërsëritur, kur shqiptarët në mënyrë
paqësore dhe me plot të drejtë po kërkojnë politika të favorshme të qeverisë për
uljen e çmimeve. Eshtë minimumi që një taksapagues ka të drejtë të kërkojë nga
qeveria e tij. Nuk ka lidhje as me NATO-n, as me pasojat e luftës në Ukrainë
dhe as me Putin apo Zelenskyn. Shqiptarët duan të mos jenë më të varfërit në
Europë, që paguajnë çmimet më të larta për të njëjtat produkte!
Por kur autokratët preken në xhepin e buxhetit të shtetit, të
cilin e quajnë xhepin e tyre, mund të arrijnë e të thonë çdo lloj absurditeti. Nga
detyrat më elementare të një shteti është të jetë i përgatitur për raste luftërash,
tërmetesh, thatësirash dhe fatkeqësish të tjera natyrore. Edhe nëse nuk ka
likuiditete të mjaftueshme ndryshon përkohësisht politikat fiskale për të mos lënë
gjithë barrën e krizave në konsumatorët e varfër. Këtë regjimi i Ramës nuk e bën
edhe pse e ka thelluar shumë borxhin publik me “akrobacitë“ e PPP-ve dhe
abuzime të tjera.
Në sheshe do dalin edhe ata që kanë I-phone dhe ata që kanë
makina të shtrenjta. Jo vetëm që të gjithë preken nga qeverisja e keqe dhe çmimet
e larta, por askush nuk mund të akuzohet se bën keq që solidarizohet me
shtresat në nevojë, të cilat i ashtuquajturi socialist Edi Rama i ka braktisur
kah moti.
No comments:
Post a Comment