25 vjet më parë, kur ishte bërë e qartë se do largohesha nga vendi im, një nga pengjet që më bënin të vuanja ishte ndarja nga biblioteka e shtëpisë. Kishte qënë një lloj krenarie e familjes, që kur me shumë kujdes dhe durim, im atë e pat krijuar pa patur ndonjë trashëgimi. Librat ishin në dhomën e ndënies, ndërsa ‘fondi” i koleksioneve të periodikëve bashkë me shumë libra politikë ishin në raftet që kisha bërë në bodrum. E dija që ishte e pamundur t’i merrja me vete në emigrim dhe mundohesha t’i ndaja në më të domosdoshmit që do i merrja, në librat me vlerë që do porosisja të më dërgoheshin me vapor në një kohë më të vonë dhe në librat dhe koleksionet që do dhuroja. E nisja seleksionimin herët në mëngjes, mes ngashërimeve që vinin nga kujtimet për babanë dhe brenga e largimit pa kthim nga vendi im.
Nuk ishin të shumtë librat që kisha shtuar gjatë shtatë
viteve, që kur kishte ikur im atë, ndonëse më pëlqente të lexonja dhe në
qarkullim kishte nisur të kishte libra, që më parë ndaloheshin. Më në fund i pata
sistemuar në kuti të mëdha kartoni, gati për t’u nisur dhe një pjesë i lashë në
shtëpi. Mendova që koleksionet e plota të “Nëntori” dhe “Drita” t’ja jepja
bibliotekës së Korçës. Dikujt do i vlenin se duke i lënë në shtëpi nuk dihej nëse
do përfundonin për të ndezur poret me dru gjatë dimërave të ashpër të
tranzicionit. Bisedova me një të njohurën time në Bibliotekën e Korçës dhe
kuptova se në “verën e kallashnikovëve” të vitit 1997, librat dhe revistat nuk
kishin asnjë vlerë. Gati sa nuk më tha: “Pfff…libra!”
Nuk kishte kuptim të këmbëngulja.
Shumë vite më vonë, gjatë një vizite në Korçë, ndjeva se
interesimi për librat ishte rritur. Jo për t’i lexuar, por për t’i blerë.
Dy-tre tregëtarë antikuarësh shprehën interesim nëse kisha libra të vjetër të çdo
kohe dhe nëse kisha ndonjë dëshirë për t’i shitur “toptan”. Nuk kam dashur të
shes ndonjëherë libra, sepse mendoj se është e mira, librat kudo në botë të jenë
gati falas për këdo që do të lexojë.
Por librat sjellin bezdi për këdo që nuk parapëlqen të lëçitë.
Si dikur për bibliotekaren e vitit 1997. Një gjë e tillë më kujtohet tani, kur
disa të njohur kanë bezdi të mbajnë përkohësisht 5-6 kopje të librit tim “Biseda
të pakryera me babanë“. “S’kam ku i mbaj”-
thonë përgjithësisht dhe mua më duket krejtësisht absurde, sepse në fëmijëri
isha mësuar, që librat i mbanim në çdo dhomë, në rafte të sajuara, madje edhe në
banjë. Ndoshta mbanin pluhur dhe ishte e vështirë t’i pastroje, por nuk të lenë
pluhur në kokë që të thuash:
“Pffff…libra!”
No comments:
Post a Comment