Ne shqiptarët vuajmë të gjithë nga “kompleksi i Nostradamusit” (nëse vërtet ekziston një kompleks i tillë.) Nuk na intereson aq shumë fama, lavdia, pasuria se sa të na vërtetohet aftësia e madhe parashikuese dhe t’ja u pëlcasim në sy me krenari bashkëbiseduesve thënien “Kur thesha unë!” Nuk jemi si anglezët, që shquhen për vënie bastesh jo vetëm në veprimtari sportive, por edhe në shumë e shumë fusha të tjera të veprimtarisë qytetare. Ne nuk vemë baste, por presim të drithëruar atë çast, kur pas një jave a një muaji apo edhe pas disa vjetësh të na “dalë llafi”, që kemi thënë dikur në kafene, në dasma apo edhe në ndonjë ngushëllim.
Më të shquarit mes nesh, sigurisht që janë analistët politikë
të cilët mbushin studio e shumta të kanaleve jo të pakta televizive, që mbulojnë
hapësirën e pafundme të eterit shqiptar. Dhe nuk e kam fjalën për Fredin e
Bajramit që ka parashikuar zhdukjen e brezave të tërë nga vaksinat, Luftën e
Tretë Botërore, asgjesimin e Kamala Harrisit dhe pushtimin e shpejtë të Tokës
nga alienët. As për Nikollë Lesin që parashikon se Edi Rama do jetë Sekretari i
Përgjithshëm i NATO-s. Për gjithë të tjerët të majtë, të djathtë, të qëndrës, të
pavarur, me dy të majta, me shumë flamurë, madje edhe për ata me dy para mend në
kokë.
“Ju thashë unë!!”, “Këtë
e kam thënë unë para dy vjetësh!”, “Këtu, në këtë studio e kam thënë disa herë!”,
“Hëhë, por kur e thesha unë, juve të tërë…!” janë gjoksrrahjet më të
zakonshme të analistëve, që harrojnë se i kanë thirrur për të dhënë mendime dhe
për të analizuar situatat dhe jo për të rrëfyer se kanë qënë si tip Nostradamusësh,
apo fallxhorësh politikë, që kanë parë qartas në filxhanet e kafesë se çdo
ndodhte. Diskutimet e zjarrta ku gjithsejcili do të tregojë se ai i dinte kah
moti se si do zhvilloheshin ngjarjet, se si do dilnin votimet dhe se kush do
arrestohej, katandisin në fyerje për moralet përkatëse, në se i lëpijnë apo jo
prapanicat pushtetarëve dhe deri në aluzione vulgare për higjenën personale të
bashkëfolësit. Sepse kundërshtari i ka prekur në pikën më të dobët, në atë të
mungesës së forcës parashikuese, gjë që nuk mund ta durojnë dot më. Mund të
pranojnë edhe të sharat me “libër shtëpie”, por jo që nuk kanë qënë në gjendje
të shohin thellë në të ardhmen.
Parashikimi i të ardhmes është një biznes i madh në botë. Përgjithësisht
është një biznes mashtrues, që e kërkon prenë e vet tek shtresat më të varfra
dhe më të pashkolluara. Nis me leximin e pëllëmbës së dorës, me hartat vetiake
të horoskopëve, me gjetjen e librave antikë të të fshehtave, me posedimin e
sferaës të kristaltë, me shtirakë që thonë se kanë udhëtuar në kohë dhe ndër
kategoritë e fundit janë analistëtë që përmenda më lart.
Ju që lexoni këto rrjeshta mos ju besoni! Do zhgënjeheni dhe
do humbisni kohë , para dhe besimin në natyra njerëzore. Për më tepër do më dëgjoni
edhe mua t’ju hakërrohem:
“Kur ju thesha unë!”
No comments:
Post a Comment