Pandemia e Covid-19 solli shumë të këqija për botën, Shqipërinë dhe Korçën, por për këtë të fundit ndoshta bëri një të mirë të vogël- Largoi nga projektimi i objekteve të reja arkitektin australian Pitër Uilson.
Kam shkruar disa herë për projektet e tij të prapambetura, të
paharmonizuara me arkitekturën e qytetit, por dua të shtoj disa rrjeshta për
Bibliotekën e Re, ose si e kam quajtur me përbuzje në shkrime të mëparshme,
nisur nga eksterieri i saj, “Derrin e lerosur”.
Duket që projekti nuk vuan vetëm nga konceptimi vëllimor dhe
nga trajtimi arkitekturor, tepër banal, që të kujton shtëpitë e kulturës të
projektuara në vitet ’70 për Laçin dhe Memaliajn, por ai ka edhe një problem të
madh të mjediseve të domosdoshme të një Biblioteke. Nuk ka mjedise të mjaftueshme
dhe adekuate për fondin ekzistues dhe atë të ardhshëm të bibliotekës së
qytetit. Edhe pse ka disa vjet, që Biblioteka e projektuar më së miri nga
Petraq Kolevica në fundin e viteve ’60, u kthye në ndërtesë administrative e
Bashkisë së Korçës, ende nuk është në funksion fondi kryesor i institucionit. I
projektuar sipas standarteve europiane tek godina në Shën Gjergji, fondi ishte
në të vërtetë biblioteka. Për shkak të kufizimeve financiare në vitet e
Diktaturës, linin për të dëshëruar raftet e fondit, por kjo nuk kishte të bënte
me projektimin e tij. I gjithë bodrumi i godinës ishte projektuar me lartësinë
e duhur dhe me hapësirën për të patur një vendosje dhe ruajtje të mirë të
librave.
Tek “Derri i lerosur” këto mjedise mungojnë dhe po punohet
për të kthyer në fond të koleksioneve, bodrumet-zyra të ndërtesës
administrative të ish-prefekturës. Këto të fundit, për fat të keq mund të përdoren
për çdo lloj magazinimi nga vezët tek preshtë, por nuk janë të përshtatshme për
mbajtje sipas standarteve librat. Vazhdojnë punimet që kanë nisur të shpenzojnë
paratë e taksapaguesve nga prishja e bibliotekës tek rikonstruksioni për
bashki, nga ndërtimi i “Derrit” dhe deri tek rikonstruksioni i ish-prefekturës.
Një “rrodhan” për përvetësim fondesh publike që vinë nga Tirana, futen në xhep
për ca djem nga Tirana dhe ca nga Korça.
Më e keqja është se mund të kërkosh libra të caktuar, por
nuk mund t’i gjesh se përkohësisht ndodhen diku të pakataloguar, të pasistemuar
dhe jo në shërbim të qytetarëve.
Po ç’na duhen librat në periudhën dixhitale, e cila
trumbetohet vend e pa vend, deri tek rasti i Muzeut të rikonstruktuar keq të Mësonjtores?
Librat ju duhen dhe do ju duhen qytetarëve të botës edhe për
më shumë se 100 vite të tjera. Sa më
shumë të lexojnë aq më mirë do kuptojnë se pushtetarët e pakënduar i vjedhin.
No comments:
Post a Comment