që të na bënte të kishim mendjen tek ajo perandori e madhe.
Në shkollë, në letërsinë e huaj studionim vetëm Gorkin dhe
Majakovskin dhe ndonëse në biblioteka kishte shumë autorë rusë, nuk kishim
ndonjë tërheqje të veçantë ndaj Tolstoit, Turgenievit apo Çehovit. Nuk di pse
na dukej si një botë letrare e largët në kohë dhe në hapësirë. Ndoshta dhe pse
në botën kulturore të viteve ’70 sovjetikët e kishin humbur peshën e tyre. Nuk
kishte më as filma të nivelit të lartë botëror si në vitet ’30 të shekullit të
XX.
Në futboll, në qytetin tim kishte tifozë të Gjermanisë,
Anglisë, Hollandës, Brazilit, Italisë, Jugosllavisë, por nuk kujtoj ndonjë të
ishte me Bashkimin Sovjetik apo me CCCP, si shkruanin atë kohë me gërma cirilike fanelat sportive të sovjetikëve.
I vetmi që njihnim dhe na ndërhynte në diskutimet tona rreth futbolit ishte mësuesi
i ushtarakes Dhori K. Në diskutimet më të nxehta të pas kampionatit botëror të
vitit 1974, kur vazhdonte tema e finales Gjermani- Hollandë dhe ndryshimit të
madh që solli në futboll brezi i Krojfit, mësuesi jonë ndërhynte : “Shiko, po ta marrim nga viti 1960, sovjetikët
kanë pasur më shumë arritje në futbollin europian!” E shihnim me bezdi, po
detyroheshim të vazhdonim diskutimin e devijuar prej tij për të mos na futur në
klasë dhe të riniste me spjegimet e tij të zgjatura për Artin ushtarak.
Dhori kishte edhe një lloj të folure, me pak mbetje në disa bashkëtingëllore,
gjë që tregonte se duhet të kishte qënë belbcak në fëmijëri. Fredi Karanxha e
imitonte në mënyrë të përsosur. Vazhdonim me orë të diskutonim për Pelen,
Krojfin, Bekenbauerin dhe Mylerin dhe përsëri ndërhynte mësuesi jonë prosovjet “Po Bbblohin!” dhe ne e kundërshtonim me
kujdes që mos na vinte të vraponim për t’u përgatitur më mirë ushtarakisht nëse
na sulmonin forcat e Traktatit të Varshavës.
Sovjetikët atë kohë për ne përfaqësonin atë ç’ka nuk deshim
të ishim, nga mënyra e veshjes dhe qethjes dhe deri në mënyra e ashpër me të
cilën luanin futboll dhe basketboll, që ishin sportet që ndiqnim më shumë gjatë
adoleshencës. Ne nuk dinim se ç’ndodhte pas perdes së hekurt të Bashkimit
Sovjetik, pasi jo vetë televizioni jonë që nuk jepte gjë, por as kanalet
italiane dhe jugosllave që shihnim nuk tregonin më shumë se paradat ushtarake në
Sheshin e Kuq, në tribunën e të cilit ishin një dorë me pleq dhe në qëndër udhëhëheqësi
i tyre me vetulla jashtëzakonisht të trasha.
Dhe kështu ishte në të gjithë qytetet shqiptare, se dhe kur
shkuam të studionim në Tiranë, bota sovjetike nuk përmendej kurrë në bisedat
tona. Ishte diku larg, në një të ftohtë të llahtarshme dhe aspak tërheqëse si mund
të ishin “mollët e ndalueme” italiane, franceze, britanike dhe amerikane.
Anti-sovjetikë nga injoranca ose nga njohja e cekët, por e vërteta
është se për fat të mirë mbetëm të tillë gjithë kohën. Nuk ju thamë ndonjëherë
vajzave “ja ljubju teblja!”
No comments:
Post a Comment