Çomski (Noam Chomsky)është gjeni i filozofisë, politikës dhe linguistikës, thuajse i pakrahasueshëm me të tjerë në këto fusha. Parimor, i pakompromentueshëm, i saktë, studiuesi 93 vjeçar ka ende një gjykim të kristaltë në fushat e mendimit ku studion dhe angazhohet. E megjithatë edhe gjenijtë mund të gabojnë.
Në një intervistë të dhënë
forumit “Truthout”, ndonëse me forcë dënon sulmin e Putin mbi Ukrainën,
ai gabon, kur nënvizon se lufta mund të ishte parandaluar nëse me kohë do ishin
bërë lëshime ndaj Vladimir Vladimiroviçit, kryesisht duke u zotuar se Ukraina
dhe Gjeorgjia nuk do përfshiheshin në NATO. Eshtë një argument që e përdorin jo
vetëm kritikët e politikave amerikane, por edhe ish-funksionarë të lartë
amerikanë, të cilët i citon edhe Çomski gjatë intervistës.
Moslejimi i ambicieve
të Ukrainës dhe Gjeorgjisë për tu përfshirë në NATO nuk do e ndalte
revanshizmin e Putin për të rikthyer lavdinë e Bashkimit Sovjetik. Shpejt a vonë
një vatër lufte do hapej në Republikat e Baltikut ose në Moldavi.
Zakonisht diktatorët identifikojnë veten me shtetin dhe
vendin. Putin dëshëron të kthejë Rusinë në superfuqi, si një vlerësim të
vetvetes. Ndaj edhe pse tërësisht i korruptuar dhe me miliarda në posedimin e
tij, që logjikisht të bëjnë të mendosh se nuk i intereson lufta, ai hyn në aventura
të tilla. Çdo lloj lëshimi që ju bëhet diktatorëve ata kërkojnë edhe më shumë.
Sigurisht që të vënë para një lufte, ku humbin jetën mijëra
njerëz të pafajshëm, Ukraina dhe Perëndimi mund të hyjnë në një lloj kompromisi
me Rusinë për të shtyrë në një afat mbi dhjetvjeçar hyrjen e Ukrainës në NATO.
Eshtë një marëveshje që të gjithë do e përshëndesin se e rëndësishme është të
ndalet lufta. Le të përkëdhelin edhe sedrën e Diktatorit se arriti një fitore të
madhe. Në fund të fundit edhe atij po i shkurtohen vitet në tokë. Por kjo nuk
do të thotë që Çomski dhe të tjerët kanë të drejtë, se kur mund ta bësh
kompromisin tani pse të mos e bëje më parë.
Kjo “shfryrje e armatosur” do ndodhte. Për të gjithë arsyet
gjeopolitike, psikologjike, shoqërore, ekonomike që lidhen me shoqërinë ruse që
drejtohet nga dora e hekurt e Vladimir Vladimiroviçit. Rusët po shohin që
diktatori i tyre jo vetëm ka humbur ndjenjën e realitetit, por ka edhe një
ushtri jo aq të fuqishme sa është menduar.
Putin është i humbur ç’farëdo rrjedhe të marrin ngjarjet.
No comments:
Post a Comment