86 vjet më parë u organizua në Korçë demonstrata e parë kundër regjimit të Zogut, që ka hyrë në histori si Demonstrata e Bukës. U shpërnda me forcë dhe pati përleshje të demonstruesve me xhandërmarinë. E organizuar nga sindikatat e asaj kohe (më vonë historiografia komuniste ja atribuoi Grupit Komunist), ajo ishte dëshmi e vetëdijes së përbashkët të njerëzve në kushtet e varfërisë dhe gati të një urie në shtresa të caktuara të popullsisë.
Ajo e ditëve të sotme, që po e quajmë Demonstrata e Naftës,
ka të njëjtat motive. Protestën e shtresave të varfëruara kundër regjimit
kleptokratik të Edi Ramës. Ka mes tyre edhe një përkim kohor, se e para është
zhvilluar më 21 shkurt, kurse kjo filloi në javën e parë të marsit. Eshtë koha
kur del dimri dhe tradicionalisht në Ballkan, të varfërit ndjejnë më shumë se
kurrë peshën e rëndë të çmimeve. Dimri ju ka tretur edhe kursimet e fundit.
Por nëse në motive janë të ngjashme, dy demonstratat kanë një
ndryshim thelbësor. Tek e para, pjesëmarja ishte masive dhe e organizuar mirë
nga shoqëritë e punëtorëve të ndërtimit, të këpucarëve, të rrobaqepësve dhe të “Lidhjes
së Nëpunësve privatë“, tek kjo e ditëve tona, për fat të keq nuk ndjehen
sindikatat. Ato, sikundër mburret Edi Rama, nuk i ka lejuar të forcohen
regjimi. Ndaj edhe pse Tirana ka 800 mijë banorë, në demonstrim nuk ka më shumë
se 4-5 mijë njerëz.
Administrata e Zogut e shtypi demonstratën dhe disa ditë më
vonë arrestoi një pjesë të organizatorve. Administrata e Ramës arrestoi që në
fillim disa nga pjesëmarrësit për të shuar protestën e ligjshme të shqiptarëve.
Më pas, Rama mobilizoi gjithë mediat pro tij, për t’i akuzuar demonstruesit si
pro-rusë, po njëlloj si kishte bërë Zogu me gazetat proqeveritare për t’i quajtur
demonstruesit e uritur në Korçë
pro-bolshevikë.
Historia përsëritet, por për fat të keq, solidariteti I shtresave
të ndryshme të popullsisë shqiptare është më i ulët se në vitet ’30 edhe për
shkak të shkatërrimit të lëvizjeve sindikaliste në kohën e Diktaturës.
Përbuzja dhe poshtërimi i protestuesve nga ana e
kryeministrit gjithashtu nuk ka paralele në historinë e demonstrimeve në Europë.
Qytetërimi fillon kur njerëzit bashkohen dhe protestojnë paqësisht ndaj qeverisë
së tyre, por nëse qeveritarët duan të vjedhin atëhere qytetërimi është gjëja e
fundit që ju intereson.
No comments:
Post a Comment